18 mijë kredi të këqija në Përmbarim

Ekonomia shqiptare është e mbërthyer në një zinxhir të madh borxhesh të këqija, nga i cili po lulëzon vetëm një biznes, ai i Përmbarimit. Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Privatë bëri të ditur se bankat private kanë çuar mbi 18 mijë kredi të këqija për ekzekutim kolaterali. Shifra e lartë pasqyron situatën e vështirë në sektorin financiar, si dhe pamundësinë e debitorëve për të shlyer borxhet, që kanë marrë në banka. Sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë aktualisht niveli i kredive të këqija në banka llogaritet rreth 90 miliardë lekë ose afro 690 milionë euro, ndërkohë që bankat kanë fshirë nga bilancet të paktën edhe 50 miliardë lekë të tjera kredi të humbura. Mijëra prona të sekuestruara për shkak të kredive të pashlyera i kanë shndërruar bankat private në pronaret më të mëdha të pasurive të paluajtshme në Shqipëri. Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në fund të tremujorit të parë të këtij viti vlera e pronave të sekuestruara në bilancet e bankave arriti në 23.3 miliardë lekë ose gati 175 milionë euro. Këtu bëjnë pjesë ndërtesa për qëllime tregtare, apartamente banimi apo toka, kryesisht në bregdet të sekuestruara nga individë dhe biznese, që nuk kanë kthyer kreditë e marra. Sipas shifrave krahasuar me fundin e vitit 2015, vlera e pasurive të patundshme që zotërohet nga bankat është rritur me 12 për qind, nga 20.8 miliardë lekë në 23.3 miliardë lekë. Por krahasuar me 5 vjet më parë, kjo vlerë është rritur me katër herë e gjysmë. Në total kreditë e këqija në banka vlerësohen rreth 690 milionë euro, rrjedhimisht vlera e pronave të sekuestruara është sa 25 për qind e totalit të kredive të këqija. Fillimisht, pasi e sekuestrojnë një pronë bankat e nxjerrin atë për shitje në ankand. Por sipas Bankës së Shqipërisë, një pjesë e madhe e tyre nuk arrijnë të shiten dhe bankat detyrohen që t’i marrin në pronësinë e tyre. Mbushja e bankave me pasuri të bllokuara i ekspozon ato para disa rreziqeve. Më kryesori është ai i rënies së çmimit të këtyre pasurive gjatë kohës që mbahen nga bankat, çka ul shumën e përfituar nga shitja. Por veç rrezikut të rënies së çmimit, mbajtja e pronave nga bankat është edhe një proces me kosto, pasi ato duhet të ruhen, por edhe mirëmbahen.

Artikulli paraprakShqiptarët paguan 130 milionë për shkarravinat e Ramës në Bienale
Artikulli tjetërBMI: Qeveria Rama po rrezikon integrimin në BE