Shqiptarët depozituan jashtë vendit 114 milionë euro më 2015

Për vitin 2015, shqiptarët depozituan jashtë vendit 114 milionë euro. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, viti i kaluar regjistroi një rritje të ndjeshme të sasisë së parasë që ekonomia shqiptare e ka vendosur jashtë vendit. Për vitin 2014, bilanci i depozitimeve jashtë vendit ishte negative në vlerën e 93 milionë eurove, çka tregon shumën neto të riatdhesuar nga pronarët e kapitaleve. Në bilancin e pagesave, kjo klasifikohet në zërin “monedha dhe depozita”, çka përfshin vetëm vendosjet në para. Statistikat nuk detajojnë sa prej këtyre parave i takojnë bankave, shoqërive tregtare apo individëve, megjithatë, kjo shumë nuk përfshin format e tjera të transfertave, si ato kapitale dhe investimet financiare. Duke llogaritur edhe këto të fundit, vlerat janë edhe më të larta. Vitin e kaluar, transfertat kapitale të shqiptarëve jashtë vendit arritën në 101 milionë euro, nga 94 milionë që patën qenë në vitin 2014. Nga pikëpamja teknike, transfertat kapitale përfshijnë kryesisht pagesat për transferimin e pronësisë së një aseti fiks. Për shembull, nëse një individ rezident në Shqipëri blen një pasuri të paluajtshme jashtë vendit, kjo klasifikohet si transfertë kapitale. Mes depozitave dhe shpenzimeve kapitale, llogarisim se shqiptarët kanë investuar jashtë 215 milionë euro gjatë vitit të kaluar. Ndërkohë, investimet direkte të individëve dhe kompanive shqiptare jashtë vendit vitin e kaluar, në terma neto, ishin vetëm 11 milionë euro, nga rreth 58 milionë euro që patën qenë në vitin 2014. Nëse llogarisim së bashku depozitat jashtë vendit, transfertat kapitale dhe ato financiare, shqiptarët investuan jashtë vendit 226 milionë euro gjatë vitit 2015.

Artikulli paraprak“Panama Papers” të korruptuarit dhe kriminelët nuk do të mund të flenë
Artikulli tjetërPa konsensus me opozitën, Reforma në Drejtësi nuk kalon