Me shqiptarë nga Zyrihu në Prishtinë

Enver Robelli

Është herët, shumë herët në mëngjes, por shqiptarët s’janë të përgjumur. Janë në disponim të flasin me njëri-tjetrin. Të gëzuar që po vizitojnë vendlindjen, ata duket se nuk kanë fjetur tërë natën. Flasin për biletat e shtrenjta të avionit, një temë e përjetshme; flasin për fatin që patën, kur arritën të blejnë një biletë me çmim të volitshëm, domethënë gati 400 franga për vajtje-ardhje (me pak më shumë se 500 franga njeriu shkon nga Zürichu në New York); flasin për planet që kanë gjatë qëndrimit në Kosovë: takim me familjarë, dasma, disa ditë në plazh në Durrës, Shëngjin apo Sarandë.
Për shqiptarët e diasporës, pushimet janë një aventurë e mundimshme. Mendojnë se do të vijnë për të pushuar në Kosovë, Luginë të Preshevës, në Maqedoninë shqiptare. Nuk janë naivë, e dinë se dëshira për të pushuar mbetet vetëm dëshirë. Por, atdheu, vendlindja, të tërheq. Diaspora shqiptare është e re dhe refuzon të shkëputet nga atdheu.
Andaj shumë mërgimtarë e ndjejnë veten të fyer, kur njerëz në Kosovë, të cilët kanë arritur të hapin një profil në Facebook, i fyejnë, i përçmojnë, i mbulojnë me klishe si të prapambetur, fshatarë gjoja të pakulturuar. Armiku më i madh i mendimit serioz është përgjithësimi.
Ndërsa njerëzit presin para policit zviceran që do të kontrollojë pasaportat, debati është në pikën e vlimit. «A e ke lexuar çka ka shkruar ajo? Ajo, bre, ajo gruaja e atij ministrit?» Disa fjalë të pamenduara mirë të një gruaje, e cila duket se profilin e saj në Facebook e percepton si pazar llafesh vulgare, arrijnë të zemërojnë edhe njerëz, shqiptarë, mes St. Gallenit dhe Gjenevës. Por, ata vijnë në atdhe dhe s’ndalen, përkundër fyerjeve. Në kohërat e shkuara (pa media sociale) një budallallëk do të dëgjohej më së largu në shtëpinë e fundit të mëhallës, në epokën e Facebookut çdo llaf merr botën.
Budallenj, të pakulturuar, agresivë, të pakujdesshëm ka në çdo shoqëri. Policia në Palma de Mallorca ka kërkuar që kompanitë ajrore dhe aeroporti i ishullit spanjoll të mos shesin alkool. Britanikë dhe gjermanë të dehur janë një sfidë e madhe për policët spanjollë. Primitivizmi i turistëve gjermanë dhe britanikë në plazhet e Mallorcas është legjendar. Ç’të bëjmë tani? T’i shpallim të gjithë gjermanët dhe britanikët primitivë, para të cilëve na vjen të vjellim?
Rrjedhimisht, siç ka britanikë, zviceranë apo gjermanë primitivë, ka edhe shqiptarë primitivë – në Kosovë dhe në diasporë. Ose të papërgjegjshëm. Në avionin e linjës Zürich-Prishtinë, stjuardesat së paku katër herë shpjegojnë dhe kërkojnë që të gjithë pasagjerët të lidhen patjetër kur avioni fillon aterrimin. Po ashtu kërkohet, që nënat t’i mbajnë fëmijët nën kontroll dhe të lidhur me rripin e sigurisë. Më parë, stjuardesat ia kanë shpjeguar çdo nëne si vendoset rripi i sigurisë. Asgjë s’ka bërë punë. Sapo rrotat e avionit prekin pistën në Aeroportin e Sllatinës, një fëmijë marshon nëpër korridorin e avionit. Një stjuardesë vrapon dhe ia hedh fëmijën në prehër nënës së papërgjegjshme, ndërkohë babai i fëmijës e sheh të udhës të tregojë trimëri në avion, të fjaloset me stjuardesën, e cila vetëm zbaton rregullat e sigurisë. Në këtë situatë, njeriu sikur ndjen nevojën të çohet në këmbë, të shkojë te burrë-gomari shqiptar dhe t’i thotë: «Avionët janë të pajisur edhe me pranga». Për çdo rast. Për çdo budalla. Natyrisht, që është e tmerrshme të shohësh një situatë të tillë, por budallai ka mundur të jetë edhe britanik, edhe francez, edhe austriak. Shqiptarët, as ata të diasporës, nuk e kanë licencën e budallallëkut. Ka lloj-lloj shqiptarësh.
Për shembull si ai mixha që u shfaq në sportelin e aeroportit për të dorëzuar valixhet dhe tërhoqi vëmendjen e pasagjerëve me dukjen e tij. Plisi i bardhë si bora dhe kravata, kuq e zi, e cila s’i mbërrinte as deri te kërthiza, andaj dukej si personazh i ndonjë komedie ballkanike. Megjithatë, kur aterroi avioni, mixha u soll në mënyrë shembullore: as nuk duartrokiti, as nuk mori hov të çohet në këmbë sapo avioni puthi tokën e Kosovës. Mixha priti me durim. Ka shqiptarë të llojllojshëm, prandaj edhe jeta është kaq e bukur. Madje edhe në avionin e linjës Zürich-Prishtinë.

Artikulli paraprakSi po digjen malet me plehra
Artikulli tjetër“Masakra” idiote për rënkimet e tenorit Agim Hushi!