Shqipëria nuk është Surreli dhe Surreli nuk është Shqipëria!

Nga Elona CASLLI

Shqiptarët në Kakavijë kanë mbetur peng i tokës asnjëanëse. Prej disa ditësh, Kryeministri i vendit, i vetëshpallur ‘Baba i Kombit’ nuk i lejon shqiptarët të kalojnë kufirin shqiptar dhe të kthehen në vatrën e tyre.

”Qëndroni atje ku jeni, ose kthehuni nga erdhët!- është argumenti – urdhër, që përdor Babai i Kombit qoftë në rastin konkret dhe qoftë në rastin kur e njëjta këkesë, i paraqitet në profilin e tij në FaceBook.

Babai i Kombit dhe njëkohësisht Kryeministri ynë, duhet ta ndalë këtë marrëzi dhe t’i çlirojë pengjet nga zona asnjëanëse. Ata kanë një kombësi, kanë një identitet dhe i përkasin një kombi. Nuk mund të jenë me kombësi asnjëanëse.

Për sa kohë i përkasin një shteti, ky i fundit përveç urdhrave ka dhe detyrime.

Detyrimi i shtetit në këtë rast është që t’i testojë ata shqiptarë dhe t’i fusë në karantinë.

Babai i Kombit të kujtojë,që ata njerëz nuk po kthehen nga një udhëtim turistik. Ata njerëz kanë një valixhe emigrimi me vete në rastin më të mirë dhe përkeqësimin e një sëmundjeje në rastin më të keq.

Kufijtë e shtetit Babai i Kombit po i ngatërron me dyert e shtëpisë së tij.

Kufijtë e një vendi nuk janë dyer shtëpie, që i hap dhe i mbyll kur do ti dhe i përzgjedh ti njerëzit që duhet të hyjnë apo të dalin.

Babai i Kombit po ngatërron Surrelin me Shqipërinë. Ndoshta shkronja e përbashkët “S” ,me të cilën fillojnë emrat ia turbullon pak mendjen Babait të Kombit, por e ftojmë Babain të vazhdojë leximin e fjalëve deri në fund dhe të bëjë dallimin mes tyre.

Ky dallim do të mundësojë nxjerrjen e vëllezërve tanë nga ajo zonë asnjëanëse.

Babai i Kombit duhet të kuptojë se Shqipërinë, sipërfaqen e saj nuk mund t’i shndërrojë dhe nuk mund t’i trajtojë si tokë asnjëanëse.

Post Scriptum- Surreli nuk është Shqipëria dhe Shqipëria nuk është Surreli.

Artikulli paraprakIpeshkvi i njohur: Pandemia nuk është luftë, mjaft me këtë fjalë të tmerrshme!
Artikulli tjetërDitari i Koronavirusit/ Në Javën e Madhe të Pashkëve hyn edhe tradhtia