Shqipëria ndër vendet me paga të ulëta në Europë në sektorin privat

Observatori Financiar për Europën Qendrore ka publikuar një studim mbi diferencat e pagave në këtë rajon, përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Studimi tregon se, banorët e rajonit të Europës Qendrore dhe Juglindore, fitojnë rreth 2.5 herë më pak se ata të Bashkimit Europian dhe se shumica e këtyre vendeve nuk konkurrojnë për investitorë, duke ulur pagat
Në Shqipëri, paga mesatare bruto mujore në sektorin privat është 400 euro, ndër më të ulëtat në Europë. Vendi që paguan më pak në privat është Bosnja, me 277 euro, e ndjekur nga Ukraina, me 300 euro. Në shtetin fqinjë Maqedoni, paga mesatare në sektorin privat është 524 euro. Akoma më e lartë është paga në privat në Malin e Zi, që i kalon 700 euro në muaj. Në Serbi është 505 euro.
Shqipëria renditet edhe ndër vendet me pagë minimale neto të ulët, e cila llogaritet në 140 euro. Ukraina dhe Rusia janë vendet që kanë nivelin më të ulët të këtij treguesi, përkatësisht me 42 dhe 63 euro. Vendi me pagën më të lartë minimale neto është Austria, me 1,483 euro. Sllovenia, nga ana tjetër, llogarit një pagë minimale neto në rreth 561 euro. Ndryshimet janë dramatike. Pagat minimale neto në vende si Rusia, Ukraina, Shqipëria, Maqedonia, Bosnja etj., janë deri në 5 apo 7 herë më të ulëta se ato të 15 vendeve të BE-së (struktura e vjetër e familjes europiane).
Studimi tregon se, kjo shpërndarje nuk lidhet vetëm me faktorë ekonomikë, por edhe me ata historikë. Vendet lindore dhe pjesa jugore e Baltikut kanë pasur ndikim të fortë nga Rusia, Austro-Hungaria dhe Perandoria Osmane. Efektet 200-vjeçare ndihen edhe sot në tregun e punës. Individët e këtyre rajoneve punojnë më fort se fqinjët perëndimorë. Studimi gjithashtu nxjerr në pah se Europa Qendrore dhe Juglindore është heterogjene. Në të bëjnë pjesë shtete moderne siç është Austria, Sllovenia apo Çekia; shtete që synojnë që t’u bashkohen atyre me ekonomi të konsoliduar si: Polonia, Hungaria, Shtetet Baltike, Sllovakia etj., si dhe ato që janë në “kryqëzim” si Shqipëria, vendet e ish-Jugosllavisë apo së fundmi edhe Rusia. Megjithatë ka edhe shtete që kanë reduktuar ndjeshëm diferencat, siç është rasti i Polonisë, ku paga neto mesatare është 2.5 herë më e vogël se në 15 vendet bazë të BE-së.

Artikulli paraprakNgecin fondet e BE për bujqësinë, përdoren vetëm 23% e planit vjetor
Artikulli tjetërKryeministri i Malit të Zi, ua thotë copë serbëve: Kosovën e keni humbur që në brezat e mëparshëm