Shqipëria ka humbur kapacitetet për ndërmarrjet e mëdha

Ekonomia shqiptare duket se është e përqendruar tek bizneset mikro, ndërsa ritmi i shtimit të bizneseve të mëdha ka qenë i ngadaltë. Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria dhe Kosova janë më të varurat nga bizneset e vogla, të cilat ndonëse janë më të shumta në numër, kanë një ndikim më të vogël në punësim dhe ekonomi. Në fund të vitit 2016, mikrondërmarrjet numëronin mbi 145 mijë nga 160 mijë ndërmarrje në total. Rreth 95,2% e këtyre ndërmarrjeve punësojnë deri në 9 persona, ndërsa 90,5% e ndërmarrjeve në Shqipëri kanë më pak se katër të punësuar. Gjatë vitit 2016 trendi i regjistrimit të bizneseve mikro është rritur dhe nga 31,377 biznese të reja, 98,2% e tyre punësonin deri në katër persona. Në vitin 2016 janë regjistruar vetëm 6 biznese të mëdha, ku gjysma i takojnë sektorit të ndërtimit. Në total bizneset e mëdha përbëjnë 1,1% të totalit dhe punësojnë 48,3% të individëve. Situata paraqitet e njëjtë edhe në Kosovë, ku nga bizneset e reja të regjistruara gjatë tremujorit të parë të vitit 2017, 99% e tyre janë biznese mikro. Ashtu si në vendin tonë, edhe në Kosovë janë ndërmarrjet e tregtisë me shumicë dhe pakicë, si dhe njësitë e akomodimit dhe shërbimeve ushqimore, ato që përbëjnë numrin më të madh të ndërmarrjeve. Mikrondërmarrjet përbëjnë 98,4% të të gjithë ndërmarrjeve, ato të vogla dhe 1,4%, ato të mesme (50-249 të punësuar) përbëjnë 0,2%, ndërsa ato të mëdha përbëjnë vetëm 0,1% me rreth 58 kompani të tilla. Sa i takon punësimit, Kosova është edhe më e varur se Shqipëria në numrin e të punësuarve në mikrondërmarrje, të cilët janë 64% të totalit. Ndërmarrjet me 50+ të punësuar ofrojnë vende pune për vetëm 27% të të punësuarve. Në Serbi ndërkohë, bizneset mikro, që punësojnë deri në 9 persona përbëjnë sipas të dhënave të zyrës së statistikave në vend, 87% të totalit të bizneseve. Ndërkohë që numri i bizneseve me mbi 50 punonjës është 2506. Ky numër bën më shumë përshtypje kur e krahasojmë me vendin tonë, i cili ka vetëm 1690 biznese të tilla, pavarësisht se rezultojnë të regjistruara pothuajse dyfishi i ndërmarrjeve. Mbi të gjitha, diferenca është më e ndjeshme tek punësimi, ku ndërmarrjet me mbi 50 punonjës punësojnë pothuajse 62% të individëve. Në Republikën e Maqedonisë rezultojnë aktive për vitin 2016 rreth 56,725 biznese mikro, ose 79,3% e totalit prej 71,519 ndërmarrjeve. Ndërkohë, bizneset e mëdha që punësojnë mbi 50 persona përbëjnë 2,2% të totalit, shumë mbi mesataren e Shqipërisë e Kosovës. Sa i takon megabizneseve që punësojnë mbi 250 persona, në Maqedoni rezultojnë 233 ndërmarrje aktive. Të dhënat e Malit të Zi i llogarisin të dhënat e ndërmarrjeve sipas prodhimit bruto, por gjithsesi duket se janë në një situatë më favorizuese se Shqipëria, ku 48% e aktivitetit ekonomik mbështetet tek ndërmarrjet e vogla dhe të mesme; ndërsa pjesa tjetër tek bizneset që punësojnë mbi 50 punonjës.

Artikulli paraprakKonkurrenca heton edhe monopolin me majanë e bukës
Artikulli tjetërRriten kostot e ndërtimit, a do të transferohen te çmimi?!