Shqipëria, jashtë listës së kompanive amerikane

Armë, municione dhe pajisje të tjera do të prodhohen nga kompania amerikane “Broadstone Defence” në Maqedoni.
Së fundmi, kompania amerikane deklaroi zyrtarisht fillimin e investimit prej 5 milionë dollarësh.
Fabrika, e cila përbëhet nga pesë salla prodhimi, një ndërtesë administrative dhe një godinë për ruajtjen e prodhimit, do të ndërtohet në afërsi të Makedonski Brod në qendër të Maqedonisë, në një sipërfaqe toke prej 10 hektarësh.
Projekti pritet të përfundojë në fund të majit të 2017, ndërsa procesi i prodhimit është planifikuar të përfundojë në muajin korrik të 2017. Ndërtimi i kësaj fabrike është edhe një mundësi mjaft e mirë punësimi sepse do të hapen rreth 200 vende të reja pune.
Sipas CEO-s së “Broadstone Defense”, Dennis Pratte, kompania amerikane ka zgjedhur Maqedoninë për shkak të vendndodhjes së saj të shkëlqyer strategjike dhe klimës së favorshme të biznesit. Që nga fillimi i prillit të 2017, kompania do të fillojë të punësojë 200 njerëz, duke përfshirë këtu, zejtarët lokalë, ish-ushtarakë dhe staf për administratën, u shpreh ai. Drejtuesit e kompanisë amerikane “Boadstone Defence” kanë deklaruar se ata bënë një analizë në rajon, ku përveç Maqedonisë, konkurrentë ishin dhe Serbia e Rumania, ndërsa Shqipëria nuk përmendet në listën e vendeve që u morën në konsideratë për investimin.
Gjatë ceremonisë së përurimit, ministri i Mbrojtjes, Zoran Jolevski, u shpreh se “Broadstone Defense” do të sjellë me vete teknologjinë e prodhimit të municioneve amerikane në qytetin e vogël të Maqedonisë, nga ku ushtria amerikane dhe anëtarë të NATO-s do të pajisen me municion dhe armë.
Përveç krijimit të vendeve të reja të punës, Maqedonia do të pajisjet me një fabrikë moderne për prodhimin e armëve dhe municioneve sipas standardeve të NATO-s.
Në të njëjtën kohë, investimi amerikan është një hap i fuqishëm në rritjen e gatishmërisë luftarake të Armatës së Maqedonisë (ARM), vazhdoi më tej Jolevski.
Me këtë projekt të financuar nga SHBA-ja, vendi përfiton krijimin e një fabrike armësh dhe municionesh që do të përdoret në të ardhmen nga ushtria maqedonase.
Ministri tha gjithashtu se, “Broadstone Defense” ka nisur marrëveshjet për eksport të produkteve të saj për vitet e ardhshme, por në qoftë se Ushtria maqedonase do të ketë nevojë, ajo do të trajtohet me prioritet të veçantë.
Ndërtimi i kësaj fabrike është investimi i parë në Makedonski Brod në 30 vitet e fundit. Sipas kryetarit të komunës Milosim Vojneski, kjo do të thotë shumë për zhvillimin ekonomik të vendit dhe punësimin e të rinjve. Përveç fabrikës së prodhimit të armëve dhe municioneve, “Broadstone Defense” po planifikon edhe ndërtimin e disa projekteve të tjera.
Gjatë vizitës së tij në Uashington në nëntor, DM Jolevski u informua për planet e ardhshme të kompanisë në lidhje me ndërtimin e fabrikave të reja në Maqedoni. Realizimi i këtyre projekteve do ta bëjë vendin qendër të industrisë jo vetëm për Maqedoninë, por për të gjithë rajonin, përfundoi Jolevski.

Artikulli paraprakBiznesi 50 milionë euro i universiteteve, kush e mori tregun e atyre që u mbyllën
Artikulli tjetërMafia e lojërave të fatit në qeveri dhe aleanca politike