Shqipëria, e treta në Europë për rritjen e çmimeve

Rritja e Përgjithshme e Çmimeve sipas standardit të EUROSTAT pësoi rritje të mëtejshme në muajin tetor, duke arritur në 3.2 për qind, teksa sipas metodologjisë vendase që përdor INSTAT inflacioni në muajin tetor ishte 1.9 për qind ose 1.3 pikë përqindje më pak se referenca e Eurostat.
Shqipëria u rendit e treta në rang europian për ritmet e lartë të rritjes së çmimeve në muajin tetor pas Lituanisë dhe Estonisë.
Rritja më e madhe e çmimeve prej 7,8% vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2,1%, “Shërbimi arsimor” me 1,2%, “Argëtim dhe kulturë” me 1,0%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,8%, etj.
Ndërsa, çmimet e grupeve “Veshje dhe këpucë” dhe “Mobilje shtëpie dhe mirëmbajtje” u ulën përkatësisht me nga 0,7%, etj. Në muajin tetor 2017, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0,2%. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupeve “Veshje dhe këpucë” me 1,5% dhe “Ushqime dhe pije jo alkoolike” me 0,4%
Në fillim të këtij viti për të ndihmuar hartimin e politikave dhe për të realizuar një krahasueshmëri sa më të mirë me vendet e tjera, në bashkërendim me Eurostat, INSTAT ndërmori hapa në drejtim të krijimit të një baze të përbashkët metodologjike të shteteve anëtare për ndërtimin dhe përdorimin e IHÇK-së, sipas Rregullores së Këshillit Europian (KE), nr. 2494/95, të datës 23 tetor 1995.
Inflacioni i Eurozonës matet mbi bazën e treguesit të IHÇK-së. Termi “i harmonizuar” nënvizon faktin që të gjitha vendet e BE-së zbatojnë të njëjtën metodologji në matjen e treguesit përkatës.
Ndryshimet e kontributit nga një tregues në tjetrin lidhen me faktin se kompozimi i peshave të mallrave brenda grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” është i ndryshëm nga një tregues në tjetrin.
Kështu, brenda këtij grupi, nëngrupi “Fruta – Perime”, ka një peshë më të madhe te shporta e IHÇK-së (12.84% e shportës totale) sesa tek ajo e IÇK-së (8.44% e totalit).
Për shkak të këtij ndryshimi, kontributi i këtij grupi mallrash te totali është i barabartë me 2.5 pikë përqindje në rastin e treguesit IHÇK dhe me 1.2 pikë përqindje në rastin e IÇK-së. Ndryshime të vogla në kontribute vihen re edhe në disa grupe të tjera, por jo në madhësinë e ndryshimit të rastit të mësipërm.
Në përfundim, nëngrupi “Fruta-Perime”, ka krijuar 1.3 pikë përqindje ose më shumë se 80% të diferencës së inflacionit të matur sipas dy treguesve (3.84% kundrejt 2.38%).
Zërat e shportave përkatëse në rastin e Shqipërisë. IÇK-ja përmban 332 zëra; IHÇK-ja përmban 331 zëra (qiraja e imputuar nuk është element i shportës).
IÇK-ja mbulon vetëm shpenzimet familjare private shqiptare të kryera, brenda territorit të vendit. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) është Anketa e Buxhetit të Familjeve (ABF); IHÇK-ja mbulon të gjitha shpenzimet e kryera brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve rezidentë dhe jorezidentë. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) janë Llogaritë Kombëtare “Shpenzimet Monetare të Konsumit Final të Familjeve (HFMCE)”.
Gjithashtu, rritja e kostove të prodhimit kryesisht në industrinë nxjerrëse dhe atë përpunuese kanë ndikuar në rritjen e përgjithshme të çmimeve të prodhimit në tremujorin e dytë të vitit.
INSTAT shprehet se, indeksi i çmimeve të prodhimit shënoi një rritje vjetore me 1,6% në krahasim dhe u ul me 0,9% në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2017.
Rritjen më të lartë e kanë shënuar çmimet e prodhimit në seksionin “industri nxjerrëse” me 8,2%. Brenda kësaj industrie vihet re rritja e çmimeve të prodhimit të produkteve në nxjerrjen e naftës bruto dhe gazit natyror me 12,0%.
Referuar të njëjtës periudhë krahasimi, çmimet e prodhimit në aktivitetet e industrisë përpunuese kanë shënuar rritje me 1,2%. Brenda kësaj industrie vihet re rritja e çmimeve të prodhimit të produkteve në aktivitetin e metalurgjisë me 5,3%, prodhimi i produkteve kimike me 5,1%, konfeksionimi i veshjeve me 0,6%.
Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2016, çmimet e prodhimit të produkteve vendase shënuan rritje me 1,9%.
Çmimet e prodhimit të produkteve për eksport kanë shënuar rritje me 3,3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.
Në tremujorin e dytë 2017 ndryshimi tremujor i indeksit është 0,9%. Çmimet e prodhimit në seksionin “industri nxjerrëse” shënuan ulje me 4,6%, krahasuar me tremujorin e parë 2017. Uljen më të lartë e shënuan çmimet e prodhimit në aktivitetin “nxjerrja e naftës bruto dhe gazit natyror” me 6,5%.

Artikulli paraprakFMN: Shqipëria, në katër vendet më të varfëra në Europë
Artikulli tjetërNushi fitoi konçesionin 100 milionë euro por do të investojë vetëm 9.9 milionë