Shqipëria, e fundit në rajon edhe për kërkim-zhvillim

Kërkimi dhe zhvillimi është faktor i rëndësishëm në proceset e inovacionit dhe zëri i shpenzimeve për to ka një peshë gjithnjë e më të madhe si në sektorin privat, edhe në atë publik. Pavarësisht rëndësisë së kërkimit dhe zhvillimit, Shqipëria renditet e fundit në rajon dhe botë për sa u përket shpenzimeve në këtë fushë dhe numrit të ulët të kërkuesve për një milion banorë. Sipas Institutit të Statistikave të UNESCO-s, shpenzimet për kërkimin dhe zhvillimin në Shqipëri përllogariten 0.2% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, rreth 37 milionë dollarë, më e ulëta në rajon. Nga këto rreth 19 milionë janë shpenzime të kryera nga qeveria dhe 17 milionë dollarë nga universitetet. Nuk ka të dhëna për shpenzimet që kryejnë bizneset në fushën e kërkimit dhe zhvillimit. Nga të dhënat e UNESCO-s, në Shqipëri ka rreth 157 kërkues për një milion banorë, nga të cilët 57% janë meshkuj dhe 44% femra. Në rajon, nivelin më të lartë të shpenzimeve për kërkimin dhe zhvillimin e ka Serbia. Shpenzimet për kërkimin dhe zhvillimin janë sa 0.8% të PBB-së apo 757 milionë dollarë, ndërsa numri i kërkuesve përllogaritet rreth 1,830 për një milion banorë. Sipas të dhënave të publikuara, peshën më të madhe të bizneseve e kanë bizneset me rreth 224 milionë dollarë. E dyta renditet Maqedonia, shpenzimet e së cilës për kërkimin dhe zhvillimin janë rreth 0.5% e PBB-së apo 145 milionë dollarë. Maqedonia numëron rreth 838 kërkues për një milion banorë. Ndërsa Mali i Zi dhe Bosnja, shpenzojnë për kërkimin dhe zhvillimin përkatësisht 0.4% dhe 0.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Numri i kërkuesve për një milion banorë është 673 në Malin e Zi dhe 266 në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Europa Perëndimore dhe Azia, me shpenzimet më të larta

10 nga 15 vendet me shpenzimet më të larta në këtë fushë janë nga rajoni i Europës Perëndimore dhe Amerikës së Veriut. Vendi me shpenzimet më të larta në botë për kërkimin dhe zhvillimin, si dhe për numrin më të lartë të kërkuesve është Izraeli. Shpenzimet për kërkimin dhe zhvillimin në Izrael janë sa 4.3% e Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe vendi numëron 8,255 kërkues për një milion banorë. 84% e totalit të shpenzimeve kryhet nga sektori privat. Rajoni i dytë me shpenzimet më të larta me kërkim dhe zhvillim është rajoni i Azisë dhe Paqësori, duke pasur në klasifikim 4 nga 15 vendet me shpenzime më të larta. Në vend të dytë dhe të tretë në klasifikimin për shpenzimet më të larta në fushën e kërkimit dhe zhvillimit renditen dy vende aziatike, Koreja e Jugut dhe Japonia, ku shpenzimet janë përkatësisht sa 4.3 dhe 3.4% e PBB-së dhe mbi 75% e totalit të tyre kryen nga sektori privat. Shpenzimet globale për kërkim dhe zhvillim kanë arritur shumën rekord prej 1.7 trilionë dollarësh. Por vetëm 10 vende mbulojnë 80% të tyre. Si pjesë e Qëllimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG), vendet kanë premtuar se do të rrisin shpenzimet publike dhe private për kërkimin dhe zhvillimin, si dhe numrin e kërkueseve deri më 2030-n.

Artikulli paraprakKosova shpenzon 200 milionë euro në vit për konsum duhani
Artikulli tjetërEvropa vijon ndalimin e rreptë të produkteve serbe