Shqipëria e fundit në Ballkan për të ardhurat për frymë

Shqipëria shihet të ketë ritmet më të ulëta të konvergjencës (ritmi i rritjes të të ardhurave për t’u përafruar me BE-në) se sa vendet e tjera të rajonit, raportoi agjencia e vlerësimit të borxhit Moody’s në raportin e zgjeruar me rastin e dhënies së vlerësimit B1 për borxhin e Shqipërisë.
Analistët e Moody’s kanë vënë në dukje se konvergjenca e të ardhurave në Shqipëri mbetet nga më të ulëtat në rajon, duke lënë pas vetëm Bosnjën. Kjo do të thotë se të ardhurat për frymë në raport me PBB në vendet e tjera të rajonit po rriten me ritme më të shpejta se sa në Shqipëri për të kapur nivelin e vendeve të BE-së.
Pak kohë më parë, në një vlerësim të ngjashëm, FMN vlerësoi se midis viteve 1995 dhe 2008, të ardhurat në të gjithë rajonin po arrinin drejt së njëjtës linjë me të ardhurat mesatare të Bashkimit Europian në një normë prej rreth 1 pikë përqindjeje në vit, nga rreth 35% në gati 50%. Megjithatë që nga kriza financiare 2008 është bërë pak progres, në krahasim me disa ekonomi të tjera në zhvillim.
Moody’s vë në dukje se Shqipëria ka të pashfrytëzuara potencialet e saj në bujqësi dhe turizëm. Sektori bujqësor i Shqipërisë, i cili përfiton nga një klimë e butë dhe burime të bollshme ujore, punëson rreth 40% të fuqisë punëtore dhe kontribuon me një të pestën e PBB-së së vendit.
Zhvillimi i bujqësisë në Shqipëri është i mbështetur në një vlerë të ulët të shtuar, me një fokus të veçantë në blegtori, bimët e arave dhe frutat. Sektori i bujqësisë shihet të ketë edhe konvergjencën më të ulët edhe në raport me vendet e tjera të rajonit. Moody’s vë në dukje se, sektori vazhdon të pengohet nga copëzimi i lartë i tokës bujqësore, depërtimi i ulët teknologjik dhe mungesa e infrastrukturës dhe ujitjes, të cilat janë rënduar nga mungesa e kredisë dhe konkurrenca e sektorit joformal.
Në mënyrë të ngjashme, sektori i turizmit mbetet nën potencialin e tij për shkak të infrastrukturës së pazhvilluar të Shqipërisë dhe vështirësive në marrjen e lejeve të ndërtimit. Sipas raportit të 2015-ës të Forumit Ekonomik Botëror të Turizmit, Shqipëria renditet në vendin e 106 nga 141 vende të botës, me rezultate e dobëta në mbrojtjen e të drejtave pronësore, kohën e nevojshme për të marrë lejet e ndërtimit dhe përqendrimit të tregut.

Artikulli paraprakNga zgjedhja e Azemit tek krijimi i PD
Artikulli tjetërMediu takime me senatorë e kongresmenë: Ka shqetësim për Shqipërinë