Shqipëria digjet, Rama krihet, fondet vetëm për luks

Shqipëria është përfshirë prej dy javësh nga vatrat masive të zjarrit. Të paktën gjashtë qarqe në vend janë gjunjëzuar nga flakët e zjarrit duke vënë përpara fusha e kodra të tëra, të cilat në disa raste kanë qenë edhe të mbjella me ullishte apo dru të tjerë frutorë. E ndërsa mijëra hektarë pyjesh e kullotash janë shkrumbuar, vetëm 24 orët e fundit Emergjencat Civile shprehen se janë shfaqur 10 vatra zjarri, ku për shuarjen dhe mbajtjen nën kontroll të të cilave është dashur angazhimi i 102 zjarrfikësve me 21 mjete, 60 ushtarëve, 32 forcave vullnetare. Sipas Emergjencave Civile zjarret në fjalë kanë rënë në Qarkun e Beratit, Vlorës, Gjirokastrës, Dibrës, Shkodrës, Lezhës, Elbasanit dhe Korçës. Shtabi i Emergjencave Civile është i pafuqishëm përballë situatës alarmante për shkak të mungesës së fondeve të alokuara nga qeveria.
Vitin që shkoi, në hartimin e buxhetit për këtë vit, qeveria zbriti në mënyrë drastike shpenzimet në rastet e emergjencave civile duke e çuar atë thuajse drejt zeros. Si në rastin e përmbytjeve në fillim të këtij viti ashtu edhe në rastin e vatrave të zjarrit që janë duke bërë kërdinë, qeveria nuk ndërmori asnjë masë për të përballuar me sukses situatën. Aktualisht mobilizimi për përballimin e situatës është minimal në një kohë që nga dita në ditë sipërfaqet e përfshira nga flakët të shuhen vetë.
Në Qarkun e Beratit janë shkrumbuar thuajse 40 hektarë sipërfaqe pyjesh, e njëjta situatë ka ndodhur edhe në Qarkun e Gjirokastrës. Në Qarkun e Vlorës disa banesa janë krejt në rrezik ndërsa pyje e kullota janë bërë hi në qarqet e Shkodrës, Lezhës, Korçë e Elbasanit. Ndërkohë në Dibër flakët megjithë përpjekjet minimale të shtabit të emergjenca kanë përpirë sipërfaqe të tëra pyjesh duke përparuar në zmadhimin e terrenit të djegur.

91 milionë euro për zyra, makina e bileta avioni në 2017

Sikur gjysma e parave që shkojnë për shpenzime luksoze të shkonte për fondin e emergjencave civile sot Shqipëria do ta kishte më të lehtë përballimin e vatrave masive të zjarrit. Përmbytje, i ftohtë ekstrem apo vatra masive zjarri asnjë prej këtyre nuk tërheq vëmendjen e qeverisë për të alokuar fonde shtesë në ndihmë të zonave të dëmtuara. Por e kundërta ndodh në rast se flitet për shpenzimet e luksit qeveritar. Edi Rama përgjatë katër viteve të qeverisjes ka pasur një pasion të shfrenuar për rritjen e këtyre shpenzimeve. Janë ato shpenzime që kanë të bëjnë me mobilime zyrash, makina të shtrenjta për ofiqarët apo shpenzime për rikonstruksione vilash qeveritare etj. Për shembull, për vitin 2017, që ishte dhe vit elektoral, në buxhetin e shtetit ka planifikuar 30 milionë euro shpenzime vetëm për Kryeministrinë.
E ndërsa në tre vitet e fundit, shqiptarët kanë vuajtur përmbytjet masive nga reshjet e shiut ku ka patur dhe viktima, të ftohtin ekstrem që ka paralizuar vendin dhe zjarret masive qeveria nuk ka shpenzuar asnjë para për menaxhimin e situatës dhe rehabilitimin e dëmeve. Vetëm për arredime zyrash dhe jetë sheikësh qeveritarët e mazhorancës me në krye Ramën kanë shpenzuar jo pak, por miliona euro. Vetëm vitin që shkoi shënohen shpenzimet më të larta të luksit, u shpenzuan rreth  91 milion euro për mobilim zyrash dhe bileta avioni. Konkretisht, 80 milionë dollarë për mobilim zyrash e blerje makinash u shpenzuan në vitin 2016, ndërsa 15 milionë euro u shpenzuan vetëm për bileta avioni. Për vitin 2017 Rama ka akorduar në buxhet 30 milionë euro për arredim zyrash dhe shërbime të tjera të luksit vetëm në aparatin e kryeministrit. Ndërkohë shifra e akorduar për fondin e emergjencave civile është në nivel qesharak.
Për vitin 2017, Kryeministri do të shpenzojë 530 milionë lekë (të vjetra) ose 350 mijë euro vetëm për blerje kondicionerësh. Shpenzimet luksoze të qeverisë u faktuan në raportin vjetor të Kontrollit të Lartë të Shtetit, nga i cili për vitin 2015 dolën një numër i pafund shkeljesh që kanë të bëjnë me afera, skandale dhe vjedhje të qeverisë përmes tenderave, koncesioneve e fondeve abuzive. Dëmi në total për atë vit që i shkaktohej buxhetit, sipas KLSH, shkonte në 919 milionë euro ose gati 15% e tij. Nëse gjysma e shpenzimeve të luksit të Ramës të ishte alokuar për përballimin e emergjencave civile, sot vendi nuk do të ishte në pushtetin e flakëve dhe banesat e shumë banorëve nuk do të rrezikoheshin nga shkatërrimi.

Berat, 40 hektarë sipërfaqe e shkrumbuar

Në malin “Partizani”, Berat kanë rënë disa vatra zjarri, të cilat u përhapën me shpejtësi edhe nga era e fortë. Zjarret përfshinë një sipërfaqe të konsiderueshme. Zjarrfikëset dhe forcat e ushtrisë kanë ndërhyrë, por nuk kanë mundur të shuajnë flakët. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 40 ha me shkurre.

Vlorë, vatrat e zjarrit prej tre ditësh rrezikojnë banesat

Zjarri i nisur para tre ditësh në malin Mile në Konispol ka vazhduar edhe gjatë natës dhe vetëm dje në mëngjes vatrat janë shtuar. Forcat dhe mjetet nuk kanë mundur të ndërhyjnë nga toka sepse terreni ishte tepër i thyer. Zjarri ka rrezikuar disa banesa.

Gjirokastër, 40 hektarë bimësi e bërë hi

Në fshatin Asim Zeneli, Gjirokastër, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra pranë zonës së banuar. Zjarrfikëset e Gjirokastrës kanë ndërhyrë dhe pas një pune të vështirë kanë shuar plotësisht zjarrin. Si pasojë u dogjën 40 ha shkurre dhe ferra.

Dibër, e pamundur të shuhen vatrat e zjarrit

Vazhdon operacioni për shuarjen e zjarrit, në vendin e quajtur “Liqeni i Zi”, Bulqizë, në një sipërfaqe pyjore me shkurre dhe pemë ahu. Për të shuar zjarrin zjarrfikëset kanë përdorur mjete rrethanore, sepse terreni ishte i thyer. Me gjithë punën intensive nuk është arritur që zjarri të shuhet plotësisht. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe rreth 5 ha me shkurre dhe pemë ahu dhe pishe. Zjarri i rënë në fshatin Llapushë, Klos është shuar plotësisht pas një pune të gjatë të zjarrfikësve të Burrelit me mjete rrethanore. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 3 ha me shkurre, dushk dhe pisha të ulëta.

Lezhë, disa fshatra nën flakë

Në fshatin Nënshejt, Mirditë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore me pisha, e cila ndodhej pranë një zone të banuar. Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve flakët janë shuar. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 20 ha me shkurre dhe pisha. Të tjera vatra janë aktivizuar sërish në disa fshatra.

Shkodër, 80 ha sipërfaqe pyjesh e djegur

Forca të zjarrfikësve dhe ato të ushtrisë kanë punuar gjatë gjithë ditës së djeshme për shuarjen e zjarrit të rënë në Postribë, Shkodër. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 50 ha me shkurre dhe pisha. Në fshatin Mali Hebaj, Shkodër, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra, të cilat rrezikonin disa banesa. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe prej 30 ha me shkurre.

Korçë dhe Elbasan digjen sipërfaqe të tëra me pisha

Në fshatin Kodras, Kolonjë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe shkurre. Si pasojë e zjarrit u dogjën 2 dynym me shkurre dhe pisha. Në fshatin Rovje, Gramsh, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 4 dynym me shkurre dhe disa pisha.

Artikulli paraprakTrump kërkon rinegocim për klimën
Artikulli tjetërDhoma amerikane e Tregtisë: Aktet vandale po godasin investitorët