Shpirti gjerman i Amerikës

Aaron Spencer Fogleman

Midis shumë emigrantëve të ardhur në kolonitë britanike të Amerikës Veriore në të sapokrijuarën Shtete të Bashkuara, rreth 150000 vinin nga territoret gjermanishtfolëse të Perandorisë së Shenjtë Romake. Ata përbënin grupin më të madh europian të emigruar në këto koloni dhe primati numerik i tyre ka vazhduar gjatë gjithë shekullit XIX dhe një pjese të mirë të shekullit XX. Rreth ¾ e emigrantëve në periudhën koloniale dhe shumë të tjerë në periudhën pas pavarësisë u vendosën në Philadelphia; pjesa më e madhe mbeti në Pennsylvania apo në afërsitë e shtetit, ku gjatë gjeneratave mori formë familjaria Pennsylvania Dutch, domethënë një kulturë specifike e markës gjermanike. Si grup, këta emigrantë dhe trashëgimtarët e tyre kontribuan ndjeshëm për të plazmuar fizionominë demografike, ekonomike, politike, sociale e kulturore të kolonive britanike më parë dhe të Shteteve të Bashkuara më pas. Qenë protagonistë të fazave vendimtare të historisë amerikane, midis të cilave pushtimi i territoreve të banuara nga vendasit amerikanë, skllavërisë, luftës për (ose kundër) pavarësisë. Si emigrantë, shumë bënë pasuri në tokat e reja, shumë të tjerë jo. Në disa aspekte të caktuara, ata qenë pararoja e miliona europianëve të tjerë që më pas erdhën në Amerikën Veriore. Në epokën koloniale dhe në periudhën e parë të pavarësisë, këta emigrantë ndërtuan dhe ruajtën një identitet etnik specifik, të bazuar sidomos mbi gjuhën, religjionin dhe vendbanimet, siç rezulton pjesërisht evidente akoma sot.
Bota e vjetër që emigrantët lanë prapa ishte e përbërë nga zakone, besime dhe raporte që vazhduan të informojnë jetën e emigrantëve edhe pas vendosjes së tyre përtej oqeanit. Në epokën koloniale, pjesa më e madhe e emigrantëve gjermanishtfolës vinte nga territoret juperëndimore gjermane përgjatë Rinit e degëve të tij dhe nga kantonet zvicerane. Vitet që shkojnë nga 1714 më 1792 qenë vite paqeje dhe prosperiteti relativ për këto troje, pas dekadash luftërash shkatërrimtare. Në shekullin XVIII ndodhën ndryshimet sociale: popullsia rurale në rritje ndeshej me mungesën e tokave, ndërsa shtetet moderne po vinin duke u strukturuar. Reformat agrare dhe zhvillimi i manifakturave rurale i përmirësuan pjesërisht kushtet e jetesës. Shumë të rinj gjetën punë si fshatarë dhe artizanë, në tentativën për të rritur të ardhurat e tyre në këto kohë të vështira. Të tjerë iu kundërvunë aristokratëve që kërkuan të mohojnë marrëveshjet e bëra në shekullin XVI, në kohën e Bauernkrieg (revoltës fshatare që mori zjarr midis viteve 1524 e 1526 në Perandorinë e Shenjtë Romake). Këta fshatarë, shumë prej të cilëve shërbëtorë të fisnikëve, i kishin shumë të qarta të drejtat e tyre dhe tregoheshin të gatshëm që t’i mbronin. Shumë fshatarë zviceranë dhe të territoreve jugperëndimore gjermane bënin atë që individë dhe familje kishin bërë prej shekujsh në kohë të vështira: linin shtëpitë dhe tokat e tyre në kërkim të një të ardhmeje më të mirë. Shumë prej atyre që emigruan në vende të largëta shkuan në Europën Lindore, sidomos në Rusi, në territoret e reja të fituara nga Prusia apo në Banat, në Transilvani, në Hungari dhe tjetërkund në Juglindje. Për shekuj me radhë, në periudhat e vështira fshatarët e Jugperëndimit gjerman kishin emigruar në Europën Lindore dhe vazhduan ta bëjnë edhe gjatë shekullit XVIII. Qe vetëm pas luftërave napoleoniane që Amerika Veriore u bë destinacion për pjesën më të madhe të emigrantëve gjermanë. Megjithatë, duke filluar nga ‘700, në Jugperëndimin gjerman dhe në Zvicër ishte përhapur zëri se Amerika Veriore, sidomos Pennsylvania, ishte një tjetër opsion i mirë. Përderisa dhjetëra mijëra fshatarë filluan të emigrojnë përtej oqeanit duke u mbështetur në rrjete familjare, të fshatit apo fetare. Letrat dhe libërthat nga Amerika që përshkruajnë hapësira të gjera të lira dhe lirinë relative lidhur me një prani qeveritare të reduktuar i tërhoqën shumë fshatarë, që zgjodhën për një zgjedhje drastike në tentativën për t’u dhënë një kthesë jetëve të tyre.
Ndërsa shumë emigrantë u përthithën në kontekstin e ri, duke e humbur në mënyrë relativisht të shpejtë identitetin e tyre qendro–europian dhe duke u zhytur në panoramën e gjerë e laramane të Amerikës, shumë të tjerë krijuan komunitete me një profil etnik të mirëpërcaktuar. Pjesa më e madhe e tyre ishte në Pennsylvania, por dora-dorës që shteti copëzohej prej emigrimit të vazhdueshëm dhe rritjes natyrale, shumë gjermanë (apo Teutschen, siç e quanin ata veten) nisën të themelojnë koloni të reja tjetërkund, disa duke u shtyrë deri në North dhe South Carolina. Familja, fshati dhe feja mbetën kanunet themelore të këtyre vendbanimeve, që rikrijonin në tokën amerikane komunitetet e origjinës të emigrantëve. Megjithëse më pak se 10% e të ardhurve të rinj i përkiste grupeve të vogla të pietistëve radikalë (si amishët, mennonitët apo moravianët), këto pakica të vogla qëndronin kokëfortësisht të bashkuara. Veç kësaj, komunitetet e reja kalviniste e luterane të krijuara në kolonitë tërhoqën shumë emigrantë dhe trashëgimtarët e tyre, megjithëse të ardhur nga kontinente të tjera dhe të emigruar për motive të ndryshme nga ato religjioze. Rezultati qe krijimi i komuniteteve të qëndrueshme gjermane, që ushtruan influenca të forta religjioze në universin e madh e të përbërë amerikan. Amerika Veriore britanike e shekullit XVIII u paraqitej emigrantëve nga Europa Qendrore si tokë e mundësive, por në realitet emigrimi masiv e bëri mjedisin e ri tmerrësisht konkurrues. Në fakt, kush ia doli dhe kush dështoi në botën e re? Ata që ia dolën qenë ata që sollën me vete një pasuri të konsiderueshme (domethënë një pakicë e vogël) dhe kush ndoqi një të ashtuquajtur “strategji kolektive”; kurse kush erdhi i varfër u besoi vetëm forcave të veta, me rregull mbeti prapa. Ata që u besuan rrjetit familjar, territorial e religjioz kishin avantazhin e marrjes së një mbështetjeje të drejtpërdrejtë, përfshi këshilla të dobishme e të detajuara lidhur me mënyrën sesi të emigronin, ku të vendoseshin, si të raportoheshin me autoritetet, si të përballonin çështje të tjera vendimtare të jetës në një mjedis të panjohur. Përkundrazi, shumë prej atyre që emigruan jashtë këtyre rrjeteve u bënë krah pune i detyruar, duke iu dashur që të punonin vite të tëra në gjendje gjysmë skllavërie për të paguar borxhet përpara se të kërkonin fat. Pjesa më e madhe e ish-shërbëtorëve e konsideronin këtë gjendje një perspektivë të sigurtë falimentimi në Amerikë, ndërsa ata që arrinin me pak para apo me hiçasgjë, por mund të llogarisnin një mbështetje, gëzonin huara dhe kushte pune të favorshme në debutimin e tyre. Për këta njerëz, ngjitja sociale ishte një mundësi konkrete. Mbi 40% e emigrantëve qenë gra ose vajza. Ndërsa në pjesën më të madhe të rasteve burrat zgjidhnin të emigronin në Amerikë për të kërkuar ndonjë formë mundësie apo lirie, shumë gra niseshin sepse burrat, babai apo figura të tjera mashkullore të tyre i dëshironin me vete. Përkrah punës së vështirë, kjo përfaqëson një element tjetër shtrëngues në një fenomen, ai migrator, që shpesh konsiderohej në fakt si i “lirë”. Për shembull, në vitin 1739 një grua luterane me emrin Maria Barbara Knoll arriti në një komunitet moravian afër Frankfurtit pasi i pëlqente stili komunitar i jetesës dhe mundësitë që ky kontekst u ofronte grave. Por me të hyrë në të, udhëheqësit e grupit e martuan me një doktor që kishte nevojë për një grua dhe ishte i destinuar për një mision në Amerikë. Ishte një normë specifike e moravianëve ajo që të dërgonin përtej oqeanit, kur ishte e mundur, çifte të martuara, kështu që Knoll u gjet në Amerikë në ndjekje të bashkëshortit dhe kundër vullnetit të saj. Për më tepër, gratë e emigruara qenë më të prekshmet, sidomos nëse nuk qenë të integruara mirë në një rrjet familjar apo të llojit tjetër. Më 1738 Maria Barbara Kobe emigroi me burrin e sapomartuar dhe fëmijën e tyre në Pennsylvania. E humbi djalin gjatë udhëtimit dhe pasi arritën, çifti nuk arriti që të grumbullojë paratë e nevojshme për të paguar borxhet, kështu që të dy iu shitën si shërbëtorë dy padronëve të ndryshëm. Kober kaloi një jetë të vështirë si shërbëtore larg nga Philadelphia dhe vetëm shumë vite më pas mësoi se i shoqi kishte vdekur pak ditë nga ndarja e tyre. Megjithatë, nganjëherë emigrimi në Amerikë mund të ishte çlirues për gratë, sidomos nëse linin prapa krahëve struktura asfiksuese patriarkale dhe shmangnin që të binin sërish në kushte të ngjashme në kontekstin e ri. Në pjesën më të madhe të rasteve, emigrantet dhe vajzat e tyre kontribuan gjerësisht në rritjen e kulturës etnike të Amerikës, pavarësisht nga fakti nëse donin apo jo të gjendeshin aty.
Kontributi i emigrantëve në politikën dhe në kulturën politike të kolonive veriamerikane e më pas të Shteteve të Bashkuara qe e konsiderueshme. Duke lënë prapa krahëve territore të populluara dhe të kontestuara, mbështesnin politika që lehtësonin blerjen dhe pagimin e tokës, pse jo edhe mbrojtjen e saj nga indigjenët amerikanë, nga burokracia dhe nga spekulatorët. Në vigjilje të luftës për pavarësi, këta emigrantë kërkonin natyralizimin për të vulosur të drejtat e tyre të pronësisë dhe votonin politikanë që ua garantonin ato. Vetë lufta përfaqësoi një ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme politike për emigrantët gjermanë, ashtu si për të gjithë kolonët e tjerë. Atyre iu desh të kryenin një zgjedhje themelore: t’i bashkoheshin rebelimit, të mbështesnin monarkinë ose të qëndronin jashtë. Opsioni i fundit rezultoi jo i ndjekshëm, përderisa shumë u bënë lealistë, ndërsa shumë të tjerë iu bashkuan rebelëve. Në Pennsylvania këta të fundit luajtën një rol qendror në shtytjen radikale që më 1776 prodhoi një prej kushtetutave më demokratike të shkruar ndonjëherë. Në anën tjetër të barrikadës, 30000 ushtarë gjermanë luftuan përkrah trupave britanike, duke pësuar humbje të tmerrshme. Prej këtyre, 5000 dezertuan dhe kaluan tek amerikanët, duke mbetur në vendin e ri si “emigrantë”. Midis fundit të ‘700 dhe fillimit të ‘800, kultura dhe shoqëria gjermane lulëzuan në Shtetet e Bashkuara, duke vazhduar të prosperojnë edhe në shekullin XX. Në vitin 1790 pothuajse të gjithë emigrantët dhe pasardhësit e tyre flisnin gjermanisht në shtëpi dhe në publik, martoheshin me gjermanë të tjerë dhe shkonin nëpër kisha gjermane. Pjesa më e madhe e tyre jetonte në lagje gjermane. Shtypi në gjuhën gjermane ishte shumë i përhapur dhe në rritje, ndërsa kishat e shumta luterane dhe kalviniste formonin klerikët e tyre. Megjithëse vala pasuese emigratore nga Gjermania e tejkaloi gjerësisht atë fillestare, për shumë aspekte kultura e vjetër gjermanike ka mbijetuar dhe ekziston akoma sot. Kishat luterane, kalviniste apo moraviane ekzistojnë akoma dhe festojnë historinë e tyre, megjithëse jo më në gjermanisht. Amishët dhe mennonistët janë përhapur nga Pennsylvania në Midwest, duke e ruajtur pothuajse të paprekur folklorin e tyre (përfshi atë gjerman). Në koloni dhe në agimin e republikës, shumë gjermanë kanë kontribuar të krijohet një Amerikë e re, e ndryshme dhe kompetitive. Duke bërë këtë, ata janë amerikanizuar pa abdikuar nga origjina e tyre. Kështu, në njëfarë kuptimi, është Amerika ajo që është bërë paksa gjermane.

Autori është profesor historie në Northern Illinois University

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakRoberto Baggio Forever
Artikulli tjetërAskush në Venezuelë nuk e di çfarë po ndodh