Shpërthen revolta në Fier për plherat

Banorët e fshatit Mbrostar të Fierit janë përleshur me policinë gjatë protestës së djeshme kundër ndërtimit të fabrikës së plehrave. Ashtu siç kishin paralajmëruar, qindra banorë janë hedhur në protestë, duke kundërshtuar vendimin për ndërtimin e impiantit të përpunimit të mbetjeve. Me parulla në duar, “Mos vrisni jetë”, “Jo Mafias”, “Duam ambient të pastër”, “Jo kancerit”, etj, banorët kanë bllokuar aksin rrugor Fier-Tiranë, duke bërë të pamundur qarkullimin normal të mjeteve.
Disa prej protestuesve u shtrinë në mënyrë demonstrative në rrugë. Ndërsa forcat e policisë kanë ndërhyrë për t’i larguar me dhunë nga rruga, por janë përballur me rezistencën e banorëve. Policia kërcënoi banorët me arrestime masive, por reagimi i tyre ka qenë mjaft i ashpër, duke e detyruar policinë të tërhiqet.
“Nëse nuk gjejnë rrugëzgjidhje, ne këtu jemi përditë. Nuk ka plehra këtu tek ne”, u shpreh një banore. “Kjo është e drejta jonë, kancerin e marrim të gjithë pa ngjyra, pa parti. Duhet të ngrihet i gjithë populli”, tha një tjetër.
Banorët thonë se do vijojnë protestat çdo ditë, derisa Bashkia të tërhiqet nga vendimi për të ndërtuar impiantin e përpunimit të plehrave në Mbrostar. “Nuk duam plehra në zonën tonë. Nuk do lejojmë ndërtimin e impiantit të mbetjeve”, theksuan banorët.
Banorët e Mbrostarit janë të vendosur të protestojnë përçdo ditë. “Më mirë një vrasje e drejtpërdrejtë nga dora e shtetit se sa një thikë pas shpine për fëmijët”. Ky është mesazhi, që përcollën sot banorët e Mbrostarit, duke e bllokuar rrugën nacionale me trupat e tyre të shtrirë përgjatë saj për gati 1 orë. Protesta do të vazhdojë dhe ditën e nesërme, banorët nuk tërhiqen. PD Dega Fier dhe këshilltaret e saj në Këshillin Bashkiak janë dhe do të jenë në mbështetje të banorëve të Mbrostarit.
Të lënë në harresë nga pushteti vendor, me rrugë në gjendje të mjerueshme dhe kanalizime të amortizuara, banorët e zonës së Mbrostarit, të informuar nga këshilltarët e djathtë për ndërtimin e impjantit të mbetjeve pranë zonës së tyre, janë ngritur në protestë kundër vendimit të Këshillit Bashkiak për miratimin e këtij ndërtimi. Ky vendim u miratua vetëm me votat e përfaqesuesve të mazhorancës në këshill dhe u cilësua si absurditet nga ana e përfaqësuesve të djathte, të cilët u shprehën kundër tij për një serë arsyesh, sepse qytetarët duhej të informoheshin dhe të dëgjoheshin të parët pastaj të arrihej marrja e vendimit nga ana e këshillit.
Banorët e Mbrostarit të vendosur për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e fëmijëve do të protestojnë ditë pas ditë, dhe me të drejtë, sepse aty ku nuk ka transparencë, ku vendimet kërkohen të merren fshehurazi, ku nuk respektohet jeta e qytetarëve, ku gjithçka vendoset për hir të interesave të karriges së pushtetit. Partia Demokratike Dega Fier do të jetë në mbështeje të çdo interesi në të mirë të qytetarëve, ashtu si u qëndroi pranë banorëve të Mbyetit, Plykut dhe Portëzës, të cilët me protesta të vazhdueshme arritën anullimin e vendimit. Partia Demokratike Dega Fier bëri të ditur se do të jetë në mbështetje të banorëve të Mbrostarit deri në anullimin e këtij vendimi absurd.
Banorët e Mbrostarit njësoj si ata të fshatrave Portëz, Mbyet dhe Plyk, kërkojnë që impjanti i mbetjeve të mos ndërtohet në territorin e tyre për shkak të ndotjes së ajrit dhe tokave të tyre. Disa ditë më parë, Këshilli Bashkiak në Fier vendosi parimisht që impjanti të ngrihet në Mbrostar, në një kohë që vendimi për ngritjen në Portez është anuluar. Banorët janë të mbështetur edhe nga funksionari i PS në Fier, i cili aktualisht është kryetar i Njësisë Administrative në Mbrostar. Ndërkohë, protesta do të vijojë edhe gjatë ditës së sotme, ku pritet që numri protestuesve të jetë edhe më i madh.

Mafia e plehrave, kërcënim i madh për jetën e banorëve

Ish-Kryeministri Berisha mbështet protestën e banorëve të Mbrostar-Ura kundër ndërtimit të impiantit të plehrave dhe u bën thirrje gjithë qytetarëve të Fierit që t’i bashkohen kësaj proteste. Në një postim në Facebook Berisha shkruan se, protesta kundër mafies së plehrave e banorëve në Mbrostar Ura, është protestë për mbrojtjen e shëndetit dhe jetës!
“Të dashur miq, prej tre ditësh banorët e Mbrostar-Ura protestojnë me vendosmëri kundër vendimit të ndërtimit të impiantit të plehrave në fshatin e tyre, 1 km nga qyteti i Fierit. Ata me shumë të drejtë kundërshtojnë vendimin e qeverisë dhe Bashkisë, pasi depozitimi i plehrave në fshatin e tyre përbën një kërcënim të madh për jetën e tyre.
Në kundërshtim flagrant me ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare, banorët nuk i ka pyetur ndonjë zyrtar për vendimin që kërcënon jetën e tyre.
Duke mbështetur fuqishëm protestën e drejtë të Mbrostar-Ura, ju bëj thirrje qytetarëve të Fierit të bashkohen pa asnjë dallim partiak me këta qytetarë që me burrëri dhe përgjegjësi të madhe po mbrojnë interesat jetike të tyre dhe Fierit nga mafia e plehrave!! sb”, shkruan Berisha.

R.POLISI

Artikulli paraprakPaloka: Droga në Tatimet e Dibrës
Artikulli tjetërMe të gjitha format e mënyrat për zgjedhje të lira pa Ramën