Shpërthen Alegri

Sarri sulmon Ligën, por merr përgjigjen e Massimiliano Allegrit. Trajneri i Napolit u ankua për kalendarin, por ka gjetur përgjigjen e menjëhershme të kolegut bardhezi, i cili, pas ndeshjes Juventus-Genoa, u shpreh mbi këtë temë. “Kur më sjellin kalendarin, shoh lojërat dhe luaj, thotë Allegri për “Premium”. Nuk është përgjegjësia ime, nuk është për mua t’i përgjigjem Sarrit, që duhet të jetë i lumtur me atë që po bën. Juve po i jep jetë një dueli sportiv në Seria A. Ka organe kompetente për kalendarin”.
Ndërkohë, referuar ndeshjes kundër “Ligurianëve”, Max Allegri shpjegon: “Ne ishim pak të lodhur. Ndoshta kishim pak ankthin e rezultatit në shtëpi. Kemi punuar shumë gjatë pushimit dhe ishte normale që të kishte vështirësi. Kishte pjesëmarrje të të gjithëve, kuptuam se nuk mund të luanim më shumë dhe iu përkushtuam rezultatit. Përgëzime për djemtë! Ishte e rëndësishme të qëndronim pas Napolit, pa e thelluar diferencën e pikëve, dhe të fillojmë përsëri me një fitore në shtëpi”.
Një falënderim shkon edhe për autorin e golit, Douglas Costa, por edhe për Higuain: “Lojë e shkëlqyer e të parit, si edhe Gonzalo, i cili mund të shënonte në pjesën e dytë, por ishte i pafat. Fizikisht është shumë rehatshëm dhe së shpejti do të kthehet te goli”.
Kapitulli “Buffon”, afër kthimit? “Këtë javë do të jetë pjesë e grupit. Shpresojmë që të rikthehet sa më shpejt dhe i shëndetshëm, pavarësisht se Szczesny është duke bërë një kampionat të madh dhe është fat që luan me ne”.
Lufta e titullit në Seria A është gjithnjë e më bindëse: “Ky sezon është një sfidë për t’u kapërcyer me veten, titulli i shtatë do të jetë diçka, që shkon përtej legjendës. Pra, djemtë duhet të bëjnë diçka të jashtëzakonshme, por edhe Napoli është duke ecur mirë. Ne duhet të garojmë me Napolin dhe ta ruajmë distancën, sepse kështu kemi një avantazh, që na garanton hyrjen në Ligën e Kampionëve”.
Juventus ka fituar me rezultatin e ngushtë 1-0 ndaj Genoa-s. Ishte një ndeshje pa shumë emocione, siç janë zakonisht ndeshjet e së hënës, por gjithsesi të besuarit e Max Allegri-t kanë marrë tri pikë të rëndësishme, duke ruajtur distancën me kryesuesit e Napolit.
Ndeshja nuk kishte shumë raste kulmore teksa ndeshja u kontrollua, ashtu siç pritej, nga vendasit. Ishin ata që krijuan më shumë mundësi por asnjëra, përveç golit, nuk ishte e pastër, pasi Genoa mbrohej me shumë forca në prapavijë.
Vizitorët nuk regjistruan asnjë gjuajtje në kuadrat në 90 minuta, kjo tregon dominimin e Juventus në mbajtjen e topit. Goli i vetëm i takimit erdhi që në minutën e 16’ kur Mandzukiç fut një top të bukur në zonë për Douglas Costa që nuk fal para portierit Perin.

Artikulli paraprakMbappe humb dy ndeshjet me Realin
Artikulli tjetërTension i lartë tek Milani