Shpërndahet Kuvendi i Kosovës, askush nuk kërkon koalicion me partinë e Thaçit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar pro shpërndarjes së vetvetes. Ky moment i ka hapur rrugë zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradianj më 19 korrik. Tashmë pritet vetëm dekretimi i datës së zgjedhjeve nga Presidenti Hashim Thaçi.

Legjislatura e gjashtë e Kuvendit të Republikës së Kosovës ka marr fund. Me 89 vota për, 1 kundër dhe 2 abstenime deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për shpërndarjen e legjislaturës së gjashtë, duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Kjo ka ardhur pas dorëheqjes se kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj i cili mori ftesë që të intervistohet nga Gjykata Speciale si i dyshuar. Tashmë pritet vetëm dekretimi i datës së zgjedhjeve nga Presidenti Hashim Thaçi.

“Pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës zgjedhjet e parakohshme caktohen nga Presidenti jo me vonë se dhjetë (10) ditë pas shpërndarjes”, thuhet në Ligjin për Zgjedhje. “Zgjedhjet e parakohshme nuk mund të mbahen më herët se tridhjetë (30) ditë dhe me vonë se dyzetë e pesë (45) ditë pas shpërndarjes”.

Legjislatura e gjashtë e Kuvendit, e cila u karakterizua për mungesa të shpeshta kuorumi, u konstituua më 3 gusht 2017. Që nga dorëheqja e Haradinajt, partitë politike kanë nisur një lloj fushate ende të pashpallur zgjedhore. Ndërkohë që janë arritur edhe koalicionet e para parazgjedhore, si dhe kanë nisur bisedimet ndërmjet partive politike për koalicione eventuale para apo pas zgjedhjeve.

Përfundimi i mandatit të qeverive dhe legjislaturave të Kosovës para skadimit të mandatit kushtetues, katër vjeçar, tashmë është bërë “praktikë”, ngase që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, asnjë qeveri nuk arriti ta përmbyllë mandatin kushtetues, çka sjell si rezultat mbajtjen e vazhdueshme të zgjedhjeve të parakohshme.

Para se të marrin vendimin për vetëshkarkim, deputetët votuar edhe vendimin e fundit gjatë këtij mandati të shkurtuar. Fillimisht, ata miratuan Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2018 (Instrumenti i Paraanëtarësimit) ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Me këtë rast Kosova ka përfituar mbi 90 milionë euro nga Bashkimi Evropian.

Artikulli paraprakNuk ka fund babëzia, tjetër taksë në Rinas për të rrjepur shqiptarët
Artikulli tjetërArta Marku e mbajti të fshehtë për 1 muaj transferimin e dosjes 184 në Dibër, tani “lan duart”…