Shpenzimet për shëndetësinë, Shqipëria e fundit në rajon

Shqipëria është ndër vendet me shpenzimet më të ulëta për frymë për shëndetin. Sipas të dhënave nga Banka Botërore, për vitin 2014 për shëndetin e çdo shqiptari u shpenzuan mesatarisht 272 dollarë amerikanë. Me këtë shifër, Shqipëria renditet e fundit në rajonin e Ballkanit. Ky tregues përfshin shumën e shpenzimeve publike dhe private për shëndetin, në raport me numrin total të popullsisë. Shpenzimet e shqiptarëve për shëndetin nuk kanë rritje domethënëse në vitet e fundit, duke qëndruar në intervalin mes 240 dhe 270 dollarëve për frymë. Vendi ynë është ndjeshëm më mbrapa, në raport me vendet e tjera të rajonit. Më i afërti, Maqedonia, shpenzon 354 dollarë për frymë çdo vit në shpenzime shëndetësore. Vendet e tjera kanë shpenzimet mesatare për frymë më të larta, ndërkohë që renditjen mes vendeve të Ballkanit Perëndimor e kryeson Serbia, ku shpenzohen 633 dollarë në vit për shëndetin e çdo qytetari. Nëse bëjmë krahasime më larg, diferencat janë të jashtëzakonshme, po të kemi parasysh se vendet më të zhvilluara kanë shpenzime për shëndetësinë që shkojnë në mbi 6 mijë dollarë për frymë. Në vitin 2013, qeveria e koalicionit të majtë erdhi në pushtet me premtimin për shëndetësi falas, në kuptimin e një sistemi me mbulim shëndetësor universal, ku shërbimet do të bliheshin nga shteti për llogari të qytetarëve. Megjithatë, pas tre vjetësh, ky premtim është përmbushur në një masë të papërfillshme. Sot, një pjesë e popullsisë përfiton një kontroll vjetor parandalues, ndërsa është hequr pagesa për mjekun e familjes. Për pjesën tjetër, shërbimi shëndetësor vazhdon të jetë me pagesë për të pasiguruarit, ndërkohë që të siguruarit vazhdojnë të paguajnë kontribute për sigurimin shëndetësor.

Artikulli paraprakInstitucionet që shkaktuan dëmin më të madh ekonomik
Artikulli tjetërPornografia burokratike