Pornografia burokratike

“Besnikëria ndaj vetvetes dhe moralit është një zgjedhje fakultative që fisnikëron ose njollos individin, por besnikëria ndaj detyrës është gjest i emancipimit profesional, është shprehje e një kulture të çmuar demokratike”

Pranvera SHEHAJ

Le të besojmë për një çast se virtytet njerëzore nuk kanë nevojë për t’u vendosur në provë. Le të mendojmë se ato janë të rrënjosura në rrjetën e hekurt të karakterit, prej së cilës as nuk mund të hyjnë dhe as nuk mund të dalin. Kur diskursi kalon nga rangu shoqëror drejt atij politik, gjithçka ridimensionohet dhe përshtatet me një tjetër kontekst. Përshtatet me përgjegjësinë ndaj masës,  merr konotacion zyrtar dhe vesh kollaren e një shërbyesi të shtresës sipërore, por gjithsesi shërbyes.
Shoqëritë si e jona, ku meskiniteti mashkullor ka marrë përsipër integrimin drejt një shoqërie të civilizuar, nuk mund të mos jenë mishërim i pastër i skandaleve elitare, ku akademizmi i shtirur kthehet në mburojën e një karakteri të përdhosur e ku aftësia e lartë artikuluese të bën avokat të djallit. Pa dallim ngjyrimi politik, pavarësisht nuancës së mureve të një zyre, blu apo rozë qoftë ajo, kamerat investigative kanë arritur të nxjerrin prej andej filma me metrazh të shkurtër që denigrojnë në mënyrën më neutrale dhe të merituar, figurën e zotëruesit të karriges zyrtare.
Nëse do të tregohesha paksa e rezervuar në vendosjen një “nickname”, që mund të përmbledhë epopenë e skandaleve të skenës politike shqiptare, unë do ta quaja thjesht dhe pa kompleks: “pornografia burokratike”. I vetmi detaj që diferencon protagonistët e këtyre filmave me jehonë të bujshme shoqërore, por të përkohshme, është titulli zyrtar. Në thelb ngelën identik personazhe të skenarëve pronografike, po aq perverse dhe të ndaluar moralisht sa ata, pa as më të voglën diferencë. E çuditshme në fakt, se si një kryebashkiak e kthen veten në një tutor të nëpunësve të tij, por më karizmatik është fakti se si po ky personazh e interpreton filmin që ka zhvilluar si pjesë të një skenari politik. Një skenar politik, sado i niveleve mjeshtërore nuk mundet të depërtojë në moralin njerëzor dhe etik të dikujt, ashtu si nuk mundet që në mënyrë inkoshiente të të bëjë protagonist të pornografisë së zyrave. Skenari politik absolutisht që mund të jetë pjesë e ingranazhit të skandalit, por me të vetmin funksion: demaskimi i një zyrtari që detyrën e kthente në llogari bankare për të plotësuar tekat e pamoralshme e që në mënyrën më perverse e strumentalizon pushtetin si vegël në dispozicion teë shfrenimit të tij mendor dhe fizik.
Megjithatë, do të doja të dilja nga skema interpretuese me të cilën media dhe opionioni publik e portretizoi ngjarjen e qytetarit të parë të një qyteti verior. Nuk ishte skandali i parë dhe as i fundit që do t’i shtohet mozaikut të primitivizmit të shoqërisë sonë. Nuk ishte as i vetmi rast kur profesioni më i vjetër në botë, ushtrohet brenda zyrave administrative. Aspekti që nuk mori vëmendjen e duhur mediatike ishte karvani i punonjësve që vendin e punës e kishin blerë në të njëjtën mënyrë, me ofertën e leverdisshme “bli paketën e kryetarit dhe fito një vend pune”. Mund të duket sarkastike dhe e ulët si shprehje, por nuk është faji i askujt nëse një kryetar bashkie e kthen bashkinë në ndërrmarje të ushtrimit të profesionit.
Dihet se çudia më e madhe zgjat vetëm tre ditë, e pas kësaj tragji-komedie pornografike, gjithçka vazhdoi si më parë. Efektin shok që kjo ngjarje prodhoi në opinionin publik, do ta cilësoja si një nga shumë reagimet hipokrite dhe false që shoqëria jonë përshfaq. Duhej një kamerë investigative, një vajzë pak më e guximshme se të tjerat dhe pak mbështetje mediatike që një ngjarje e rëndomtë e zyrave shqiptare të kthehej në lajm gazetash. Më saktë, paradoksi ynë qëndron në vetëdijen se negativja është midis nesh, se ajo ka uzurpuar çdo aspekt socio-politik të ambjentit tonë të punës apo më gjerë, por mëkati identifikohet vetëm në momentin që publikohet, që përplaset në murin e së vërtetës së pamohueshme.
Fenomeni i krybeashkiakut, është ndoshta maja e akullnajës së hekurt të amoralitetit. Shoqëritë si ajo e jona ku varfëria ekstreme sfidon hapur dhe pa frikë kufijtë e moralit dhe karakterit, janë të parat që infektohen nga të tilla absurditete të kohëve moderne. Nëse funksionari i burokracisë, e kthen pushtetin në mekanizëm personal, kjo nënkupton dy përfundime logjike: në radhë të parë ai është i bindur se instrumenti i tij i pushtetit diku do të funksionojë dhe në radhë të dytë ka vetëkontrollin dhe bindjen se emërimi i tij në postin drejtues është absolut dhe autokratik, ç’ka i legjitimon autoritetin absolut në institucionin që drejton.
Personalisht, nuk e gjykoj si fatale atë që skandali pornografiko-politik na ofroi, përkundrazi vlerësoj imazhin e tij si kod identifikimi për qindra zyrtarë të tjerë që okupojnë zyrat më bazike deri te ato politikisht më prestigjioze. Nënshtrimi moral ndaj një kushti, në këmbim të një vendi pune, vjen si rrjedhojë e një lufte për jetë a vdekje, ku mizëria dhe kalbësira shoqërore reflekton depresionin e thellë dhe të pashpresë ekonomik. Gjykimi im nuk frenon tek skandali në vetvete, aq sa frenon tek motivet që kthejnë një vajzë, grua, motër apo nënë në një figurë një përdorimshe të pushtetit absolut të një borgjezie që s’ka asnjë ngjashmëri me fisnikërinë, vlerat e larta shoqërore apo morale që ajo reflekton. Sepse në fakt, është pangopësia e proletariatit post-demokratik që i duhet të shfrytëzojeë çdo sekondë për të plotësuar sado pak inferioritetin e rrënjosur thellë në gjakun e amoralitetit.
Akademia dhe intelekti nuk do të mundet kurrë të superojë atë që eksperienca e popullit ka gdhendur në memorien kolektive, se “shtëpitë e mëdha kanë edhe puset më të thella”, aty ku më së shumti flitet për moral, për nder, për familje dhe vëllazëri shoqërore, aty do të shënjohen edhe mëkatet më të pashlyeshme. Eshtë koha kur, duhet të ndalim së menduari se pornografia burokratike, nuk ka ftuar akoma si protagoniste, bijën, motrën, nënën apo bashkëshorten time. Eshtë koha për të provuar vërtet se morali dhe nderi janë virtyte të patjetërsueshme të shoqërisë shqiptare. E kjo nuk është një valë reflektimi që duhet të pritet nga rruga institucionale. Eshtë një kapitull ende në pritje për t’u shkruar nga vetë opinioni publik shoqëror.
Si mund të edukosh një brez produktiv në një klimë shoqërore që beson verbërisht në padrejtësi, në amoralitet, në paaftësi dhe në mediokritet profesional! Si mund të prosperosh drejt së nesërmes nëse intelektin e vendos në sfidë të hapur me lakuriqësinë, duke provuar efektivitetin e së dytës kundrejt të parës! Si mund ta transformosh emancipimin në vulgaritet e ta kthesh epokën e demokracisë politike në një primitivizëm të pështirë ku portreti njerëzor është kthyer në mjet uni-funksional e ku dinjiteti shitet dhe blihet me çmimin që e vendos arroganca e një tutori pushtetar.
Kriza nuk qëndron te skandali aq sa qendron te drama e të jetuarit në një shoqëri ku prapambetja nuk ka ndërmend të shkëputet nga retrospektiva. Krimi nuk qëndron te vetë i pamoralshmi burokrat, aq sa qëndron te fakti se turpi është kthyer në punë dhe vetë puna në produkt të turpit. Sigurisht kjo vlen për sa kohë të mund të flitet për turp, sepse logjikisht, do të mjaftojnë edhe një apo dy filma të tjerë me metrazh të shkurtër të pornografisë burokratike për ta thyer deri në fund tabunë e për t’u perceptuar si diçka krejt e zakonshme, që ka ndodhur e pa as më të voglin dyshim do të ndodhë.
Kaloi një javë, që prej ditës kur masat administrative transkriptuan në mënyrë të drejtë një shfrytëzim posti, dhe pas një jave heshtja pllakosi krejtësisht skenën mediatike dhe shoqërore, a thua se retë e zeza të aferave imorale ia lanë vendin një shoqërie që funksionon mbi bazën e vlerave profesionale… Beteja që duhet të kapërcejmë nuk ka lidhje me spastrimin e mikrobeve të niveleve burokratike. Përkundrazi ky është aksion që realizohet brenda ditës me kushtin që çdo qytetar i këtij vendi, të ndërgjegjësohet dhe të kuptojë se nesër formularin e aplikimit të shitjes së dinjitetit do t’i duhet ta plotësojë edhe vetë ai.
Krimi nuk sinjifikon vetëm marrjen e jetës, por edhe vrasjen e besimit se vlerat njerëzore dhe intelektuale mund të triumfojnë në një shoqëri të emancipuar.

Pranvera Shehaj-Studente në degën  “Shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare”, pranë  “Università degli Studi di Trento”, Itali

Artikulli paraprakShpenzimet për shëndetësinë, Shqipëria e fundit në rajon
Artikulli tjetërKërkohet rivlerësimi i dosjes së tritolit në farmacinë e Tahirit