Shpenzimet për interesat e borxhit, më të ulëtat në 9 vjet

Shpenzimet qeveritare për pagesat e interesave të borxhit publik shënuan nivelin më të ulët të nëntë viteve të fundit, sipas të dhënave nga Ministria e Financave. Gjatë periudhës janar-qershor janë shpenzuar 14.2 miliardë lekë, niveli më i ulët që nga viti 2008. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, interesat ishin 18% më të ulëta. Në raport me planin e gjashtëmujorit, qeveria kurseu 2.8 miliardë lekë ose 21 milionë euro, të cilat do të mund të përdoren për importin e energjisë pas rishikimit të buxhetit 2017 gjatë muajit shtator. Ministria e Financave shpjegon se, reduktimi i shpenzimeve për interesa i atribuohet efektit të rënies së normave të interesit në tregun e brendshëm, kryesisht gjatë tri viteve paraardhëse për obligacionet dhe gjatë vitit 2016 për bonot e thesarit. Gjatë gjysmës së parë të vitit 2017, ka vazhduar tendenca e uljes së kostos së borxhit dhe përmirësimit të treguesve të riskut. Struktura e borxhit ka shfaqur përmirësim, kryesisht në aspektin e reduktimit të ekspozimit të riskut të rifinancimit dhe riskut të normave të interesit. Ndërkohë, risku i kursit të këmbimit pothuajse ka qëndruar në të njëjtat nivele me vitin e kaluar, pasi raporti ndërmjet borxhit në monedhë vendase me atë në valutë mbetet pothuajse i pandryshuar. Kërkesa e tregut për tituj shtetërorë ka qenë në nivele të larta dhe ka arritur të mbulojë nevojat e qeverisë për huamarrje, duke çuar në rënie të normave të interesit krahasuar me ato të fundit të vitit 2016. Ministria e Financave planifikon se, gjatë pjesës së mbetur të vitit 2017, menaxhimi i borxhit do të ketë në fokus reduktimin e mëtejshëm të ekspozimit ndaj risqeve të portofolit të borxhit (kryesisht portofolit të borxhit të brendshëm), si dhe ruajtjen e raporteve të qëndrueshme ndërmjet kostos dhe riskut. Ndërkohë, do të vazhdojnë të ndërmerren aktivitete, të cilat do të synojnë zhvillimin e mëtejshëm të tregut primar dhe nxitjen e aktivitetit të tregut sekondar për titujt shtetërorë.

Artikulli paraprakKLSH padit 2 ish-drejtorë të Prefekturës së Lezhës
Artikulli tjetërCinizmi si formë e ideologjisë