“Shokohet” Interi

Merr fund në mënyrën më të keqe ëndrra Champions për Interin. Për të shuar edhe ato pak shpresa të skuadrës zikaltër për t’u renditur e treta në këtë sezon të Serisë A, mendoi Sampdoria që në “San Siro” arriti të mposhte 1-2 me përmbysje skuadrën e Piolit duke shokuar Interin. Ajo e të hënës në mbrëmje duhet të ishte ndeshja që Interi t’i afrohej disi Napolit në renditje, por dorianët bënë për ujë të ftohtë zikaltërit që tashmë rrezikojnë të mbeten jashtë edhe nga Europa League. Interi nuk hyri me mentalitetin e duhur në këtë ndeshje dhe kjo u kuptua që në minutën e 9-t, kur Candreva humbi një shans të shkëlqyer pas një topi të kthyer nga Viviano pas goditjes së Banegas. Në të 25-tën Quagliarella me një predhë nga distanca u ndal nga shtylla.
Edhe me pak fat Interi ia doli të zhbllokonte shifrat 10 minuta më vonë kur goditja e D’Ambrosios u devijua nga Silvestre dhe përfundoi në rrjetë. Megjithatë që skuadra e Giampaolos nuk kishte ardhur për turizëm në Milano kjo u kuptua më mirë në minutat e fundit të pjesës së parë kur sërish shtylla i mohoi golin skuadrës mike, këtë herë tentativa ishte e portugezit Bruno Fernandes, ndërkohë që Schik nuk arriti ta dërgonte në rrjetë. Por sulmuesi çek aq shumë i kërkuar nga Interi në merkato ndëshkoi vendasit në minutën e 50-të, teksa në një pozicion të dyshimtë, arriti të devijonte drejt portës goditjen e Bruno Fernandes. Kur të gjithë prisnin golin e Interit Sampdoria fitoi një 11-metërsh për një prekje të topit me dorë nga Brozoviç brenda zone. Nga pika e bardhë Quagliarella nuk fali duke dhënë goditjen e knock-out zikaltërve në minutën e 85-të.
Gabriel Barbosën e kanë lënë nervat, kur pa teksa Piolo zgjodhi që të aktivizonte Zhoao Mario në vend të tij. Sulmuesi brazilian e dinte fare mirë se, për t’i ndryshuar rrjedhën takimit të ditës së hënë, shërbente një lojtar që e njeh mirë portën dhe prandaj, kur mësoi se kush do të futej në fushë në vend të Perisiçit, u ul në stol duke goditur shishen e ujit me këmbë.
Ndërkohë, Mauro Ikardi ishte i hidhëruar pas takimit, pasi e dinte fare mirë se rezultati i së hënës largoi përfundimisht Interin nga lufta për një vend në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampioneve.
Ikardi ka deklaruar se Interi e humbi shansin për t’u futur në zonën e Champions. “Interi humbi, sepse ne nuk mbajtëm dot një ritëm të lartë gjatë të gjithë ndeshjes. Ne nuk e vlerësuam sa duhet faktin që ishim në avantazh të një goli dhe ulëm ritmin duke u lejuar rivalëve që të futeshin në lojë. Ishim edhe shumë të pafat me penalltinë që na akorduan.
Fakti që luanim përballë publikut tonë dhe se kishim për detyrim fitoren, mendoj se nuk kanë ndikuar në rezultat. Them se ndeshjet në ‘San Siro’ duhet që të na japin një marsh më shumë për t’i fituar. Kësaj here nuk ia dolëm dhe kthehemi në shtëpi me kokën ulur. Champions-i iku tashmë. Është e qartë se me ndeshjet e mbetura nuk mund ta arrijmë kurrë Napolin. Nuk mendoj se lajmet për të ardhmen e trajnerit na kanë destabilizuar. Jemi mësuar tashmë”, u shpreh Ikardi.

Artikulli paraprakMessi-Barcelona, firma në muajin maj
Artikulli tjetërNojer me 100% luan kundër Realit