Shkrirja e krimit me terrorizmin në Europë

Lizzie Dearden, “The Indipendent”

“Ndonjëherë njerëzit me të shkuarën më të keqe, krijojnë të ardhmen më të mirë”. Kështu shkruhet në një slogan të vendosur poshtë imazhit të një luftëtari të maskuar me një kallashnikov në krah, duke ecur drejt një drite verbuese. Posteri është shpërndarë me shpejtësi në Facebook nga Rayat al-Tawheed, një grup luftëtarësh britanikë të Shtetit Islamik nga Londra, të cilët e quajnë veten “Përfaqësia e Zotit”.
Qëllimi i këtij grupi terrorist janë meshkujt e rinj që kërkojnë shpagimin për krimet, drogën dhe anëtarësinë në grupe kriminale dhe duan të shpëtojnë shpirtin e tyre duke ushtruar xhihad për të ashtuquajturin Shtet Islamik.
Me gjithë këto mashtrime fetare të përhapura nga Shteti Islamik, një studim i ri ka zbuluar se shumica e të rekrutuarve të grupeve terroriste kanë histori kriminale në të shkuarën, diçka e paprecedent për lëvizjet e mëparshme islamiste, të cilët pretendonin se kërkonin vetëm njerëz me shpirt të pastër dhe dije.
Një raport i Qendrës Ndërkombëtare për Studimin e Radikalizimit (ICSR) tregon se, rrjetet kriminale dhe terroriste në të gjithë Europën janë duke u shkrirë në një për të krijuar një lloj të ri dhe më të rrezikshëm xhihadi, për të cilin dhuna nuk është vetën rrugë në kërkim të shenjtërimit, por një mënyrë e vërtetë jetese. Profesor Peter Newmann, drejtues i ICSR-së në Kolegjin e Londrës, thotë se, “lidhja krim-terror” është duke e vështirësuar tejmase përpjekjen e shërbimeve të sigurisë europiane për të identifikuar radikalizimin.
“Shumë analistë vazhdojnë të thonë se terroristët janë anëtarë të shtresës së mesme dhe të lartë të shoqërisë, njëlloj si Osama bin Laden, i cili ishte një milioner dhe sulmuesit e 11 shtatorit ishin studentë me rezultate të shkëlqyera”, thotë Newmann për “The Indipendent”. “Por unë mendoj se kjo bindje nuk e reflekton më realitetin që jemi duke parë kohët e fundit me Shtetin Islamik. Na duhet të ristrukturojmë strategjinë tonë për të studiuar dhe luftuar terrorizmin”.
Newmann thotë se shumë shërbime sigurie vazhdojnë të presin që të rinjtë që i bashkohen Shtetit Islamik të ndryshojnë sjelljen e tyre dhe të sillen sipas “rregullave fetare”, ndoshta duke rritur mjekrën apo duke ndryshuar mënyrën e të veshurit. Nga disa prej të rekrutuarve ky model vazhdon të ndiqet, por në shumicën e rasteve, veçanërisht me luftëtarët europianë që i janë bashkuar Shtetit Islamik dhe ndodhen në bazën e dhënave të ICSR-së, rezulton se vazhdojnë të pijnë duhan, të pijnë alkool, madje përdorin edhe lëndë narkotike derisa nisen drejt Shtetit Islamik.
Po kështu, kriminaliteti i tyre nuk ndërpritet pas anëtarësimit në xhihad. Said Kouachi mendohet se mund të ketë përdorur paratë nga shitja e mallrave të falsifikuar për të blerë armët që ai, së bashku me të vëllain, përdorën për të kryer masakrën në “Charlie Hebdo”. Po kështu, “supercelulat” e Parisit dhe Brukselit kanë përdorur lidhjet e tyre të botës së fshehtë kriminale për të prodhuar dokumente të falsifikuar që i lejuan ata të kalonin të pashqetësuar nga forcat e sigurisë.
Newmann thotë se nga xhihadistët e ekzaminuar gjatë studimit, dy të tretat e tyre jo vetëm që kishin pasur histori kriminale, por edhe një histori të krimeve të dhunshme. Në vendet europiane ku shifrat janë të njohura, më shumë se gjysma e luftëtarëve të Shtetit Islamik rezultonin të regjistruar më parë në bazën e të dhënave të policisë. “Shteti Islamik po i jep kriminelëve justifikimin e nevojshëm moral për të bërë atë që kanë bërë gjithmonë, vetëm se tani, atyre u thuhet se kështu do të shkojnë në parajsë”, shtoi Newmann.
Ideologjia e Shtetit Islamik e vendos më pak theksin tek njohuritë fetare dhe më shumë tek bindja absolute në interpretimin e saj të rregullave fetare dhe sipas një dokumenti të formularëve të regjistrimit të bërë publik kohët e fundit, shumica e rekrutëve kishin një nivel “bazik” të njohurisë së tyre për ligjet Sharia.
Ndërkohë që Al-Kaeda shkroi pothuajse një libër për të justifikuar sulmet terroriste, Shteti Islamik nxjerr vetëm paragrafë të shkurtër dhe preferon ta tërheqë audiencën me revista dhe video moderne. “Është gjetur tashmë një konsensus perfekt ndërmjet këtyre të rinjve kriminelë dhe një grupi terrorist që i ka minimizuar të gjitha përpjekjet për të përhapur diskursin fetar”, vazhdon Newmann.
“Grupi ka vënë re se mund të lulëzojë akoma më shumë duke mohuar rregullat fetare dhe dijetarët Salafi. Me pak fjalë, Shteti Islamik tani thotë: Mund të vini nëse pranoni të merrni pjesë në mision, nuk na intereson nëse e njihni Islamin. Ne jemi Islami”. Grupi terrorist ka gjithashtu për qëllim ta portretizojë anëtarësimin si një rrugë drejt veprimit, aksionit, aventurës, pushtetit dhe ndjenjës së vëllazërisë që kërkohet shpesh prej rekrutëve të dëshpëruar në kërkim të qëllimit dhe anëtarësisë në një grup çfarëdo. Alain Grignard, një anëtar i agjencisë belge të antiterrorizmit, thotë se Shteti Islamik mund të konsiderohet si një zgjatim, si një përhapje e aktivitetit kriminale të rekrutëve europianë.
“Myslimanët e rinj me një histori shkeljesh kriminale dhe sociale janë duke u bashkuar me Shtetin Islamik për të qenë pjesë e një ‘superbande’”, thotë Qendra e Luftës kundër Terrorizmit. “Më parë përballeshim kryesisht me ‘islamistë radikalë’ – individë të radikalizuar drejt dhunës për shkak të një interpretimi ekstremist të Islamit – por tani po përballemi me ata që i kemi quajtur ‘radikalë të islamizuar’”.
Lidhja ndërmjet krimit dhe terrorit është duke u përforcuar akoma më shumë nga një fenomen i ri i vërejtur kohët e fundit, që është “kthimi i xhihadit në lojë”. Shteti Islamik është duke i modernizuar videot e përgjakura propagandistike, të cilat i përngjajnë më shumë një loje në kompjuter, të kompletuara me grafikë perfektë, pamje 3-dimensionale, madje edhe me rikrijime emocionuese të sfidave dhe labirinteve që duhen kaluar. Problemi është që loja, luhej në jetën reale.
Metoda e re e rekrutimit ka funksionuar më së miri pasi radikalizimi po shpejtohet. Tani procesi zgjat vetëm disa javë ose muaj për pjesën më të madhe të militantëve të Shtetit Islamik, krahasuar me muaj të tërë apo vite që nevojiteshin për t’u anëtarësuar në grupe si Al-Kaeda dhe talebanët. “Në të shkuarën, dikush mund ta fillonte aktivitetin si një student aktivist dhe të fillonte të mbështeste ideologjinë xhihadiste, por më pas nevojitej një punë e jashtëzakonshme dhe e vështirë për ta bindur atë të kryente një sulm terrorist apo të vriste dikë”, thotë Newmann. “Por këta kriminelë e kanë përdorur dhunën në të shkuarën, ndaj kapërcimi nga ekstremizmi drejt ekstremizmit të dhunshëm për ta është më i lehtë”.
Një shembull konkret është vrasësi i Kopenhagenit, Omar el-Hussein, i cili vrau dy viktima gjatë një sulmi që pretendonte se kryente në emër të Shtetit Islamik. Ai ishte bashkuar me një bandë kriminale kur ishte adoleshent, ishte përfshirë në grabitje, krime të vogla dhe shpërndarje droge, përpara se të burgosej në vitin 2013 për sulm me thikë. Gjatë viteve të tij të burgimit u bë shumë besimtar dhe filloi të shprehte dëshirën për të luftuar në Siri, por tri kërkesa që i drejtoi autoritetit të radikalizimit nuk morën përgjigje.
Pasi u lirua, El-Hussein ishte i pastrehë dhe i papunë dhe e kreu sulmin e tij terrorist dy javë pasi kishte dalë nga burgu. Shteti Islamik tërheq gjithashtu të rinjtë përmes asaj që analistët e përshkruajnë si “narrativa e shpagimit”, sipas së cilës përkushtimi dhe martirizimi për kauzën e ISIS, është rruga e vetme drejt pastrimit nga mëkatet e mëparshme.
“Shpesh ndodh një eksperiencë traumatike që shërben si orë zgjimi, ndonjëherë dënimi me burg, ndonjëherë një mik që vritet apo një vëlla që sëmuret me kancer”, thotë Newmann. “Ata fillojnë të mendojnë: ‘Çfarë jam duke bërë? Si mund të shlyej mëkatet?’ Në këtë pikë mund të kenë rënë në kontakt me xhihadistë dhe kanë dëgjuar narrativën e tyre”.

Promovimi i xhihadit bëhet shpesh nëpër burgjet e Europës

Promovimi i xhihadit bëhet shpesh nëpër burgjet e Europës, ku fenomeni është manifestuar përmes radikalizimit të të burgosurve, madje edhe me formimin e celulave terroriste brenda burgut. Harry Sarfo, një militant gjerman i Shtetit Islamik, i cili është rritur në Britani, ka treguar për “The Indipendent” mënyrën se si i kanë mësuar ideologjinë Tawheed dhe të xhihadit, teksa shlyente dënimin e tij me burg për përfshirjen në një grabitje në supermarket.
Ai u burgos në Bremen bashkë me René Marc Sepac, një radikal i Al-Kaedës i dënuar për përhapjen e propagandës së xhihadit, i cili i kishte ndryshuar të gjithë kuptimin që kishte për islamin. Sarfo udhëtoi drejt Sirisë për të luftuar në krah të Shtetit Islamik vitin e kaluar, por e braktisi grupin pas tre muajsh dhe u kthye në Gjermani, ku vazhdon të jetë i burgosur.
Newmann thotë se raporti i ISCR-së kishte dokumentuar shumë raste kur autoritetet e burgjeve nuk kishin pasur dijeni për procesin e radikalizimit që ndodhte brenda, ose kishin injoruar paralajmërimet e agjencive të antiterrorit. Një nga shembujt më konkretë është rrjeti që kreu sulmet e Parisit dhe Brukselit.
Koordinatori Abdelhamid Abaaoud, bombarduesi Ibrahim Abdeslam dhe vëllai i tij Salah, ishin të përfshirë në krime në periferitë e Brukselit, kur Abdelhamid dhe Salah ishin burgosur së bashku në vitin 2010. Amedy Coulibaly, i cili vrau katër persona në një supermarket kosher në Paris, ishte burgosur më parë për trafik droge dhe grabitje.
Teksa ndodheshin brenda burgut Fleury-Mérogis, i cili është bërë i famshëm për formimin e xhihadistëve, Coulibaly ka thënë për “Le Monde”: Burgu është shkolla ideale e krimit. Në të njëjtin vend mund të takosh njerëz të feve të ndryshme, xhihadistë, grabitës, trafikantë droge të vegjël e të mëdhenj, vrasës etj. Mëson shumë nga vitet e tyre të eksperiencës”.
ICSR-ja ka bërë thirrje për reformimin e burgjeve në të gjithë Europën për t’u siguruar që stafi të trajnohet për të identifikuar shenjat e radikalizimit dhe të jenë të aftë të shpërndajnë dhe respektojnë paralajmërimet e agjencive të inteligjencës për të vështirësuar krijimin e rrjeteve ektremiste. Një tjetër hap i rëndësishëm për ndërprejen e “lidhjes krim-terror” është që faljet e të burgosurve të drejtohen nga imamë, jo nga radikalë që ndodhen aty të burgosur.
“Britania e Madhe po përpiqet të bëjë reforma, por ka ende vend për përmirësime”, thotë Newmann. “Disa burgje në Francë dhe Belgjikë e kanë humbur kontrollin mbi këtë situatë”. Hapa të tjerë të rekomanduara nga raporti i ICSR-së përfshijnë rritjen e shpërndarjes së informacionit ndërmjet shërbimeve të sigurisë, përfshirë këtu policinë, doganat dhe shërbimet e inteligjencës, të cilët duhen vënë në dijeni të lidhjes ndërmjet procedurave kriminale dhe planeve terroriste.
Një zëdhënës i qeverisë britanike tha se policia dhe agjencitë e sigurisë dhe inteligjencës në Britani kanë nisur të bashkëpunojnë intensivisht për të parandaluar sulmet terroriste përmes shpërndarjes së informacionit dhe operacioneve të përbashkëta. “Kemi një gamë të gjerë pushtetesh në dispozicion për të ndërprerë udhëtimin drejt zonave të konfliktit dhe për të menaxhuar rrezikun e të kthyerve si terroristë”.
“Kushdo që kthehet nga Siria apo Iraku do të jetë pa dyshim objekt hetimi për të përcaktuar nëse përbëjnë kërcënim dhe nuk duhet vënë në dyshim që do të përdorim çdo mjet në dispozicion për të mbrojtur sigurinë kombëtare”. Në muajin gusht, Ministria e Drejtësisë britanike deklaroi planet për t’i mbajtur të burgosurit islamistë në njësi të veçanta.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakPaul Ryan: Nuk tërhiqem nga mbështetja e Trump
Artikulli tjetërNuk largohem nga Kombëtarja