Shkodra, Vlora dhe Edi Rama!

Nga Sidi Hasanaj

S’ka fasadë të Ramës që mund të ngjall shpresë as për Shkodrën, as për ndonjë qytet tjetër!

Po bëhet një luftë e madhe nga post vizitës të Ramës në Shkodër, nga makineria e propagandës së Rilindjes, për të paraqitur një romancë politike mes Shkodrës dhe PS. Një romancë që sipas Rilindjes nisi vonë,pas 33 viteve, por ka baza të forta racionaliteti pasi “Shkodranët e kuptuan që nuk votohet me tifozeri qorrazi, duke hedhur në humnerë ekonominë e tyre”… ndërkohë që me Ramën “Shkodra do tranformohet, do begatojë etj etj”.

Pra e thënë me një fjali, sipas Ramës dhe medias së tij, “Rama e do sa më të zhvilluar Shkodrënqë ta ketë si model suksesi për projektet e tij politike, ku synon të thyejë tabutë ideologjike si Shkodra demokrate e Vlora socialiste.”

Kjo është një fabul deri diku sugjestionuese, sepse po patjetër që Rama dëshiron ta zgjerojë elektoratin e partisë e tij në Shkodër e Veri, dhe madje besoj se edhe do alokojë investime për të arritur këtë. Por ka diçka thelbësore, që e rrëzon këtë fabul të Rilindjes:

Nuk kemi përse parashikojmë ku do na çojnë gjurmët, bëjmë prognozë për modelin e Ramës në Shkodër, kur kemi “ujkun” para nesh prej 11vitesh!

“Ujku” është modeli ekonomiko-politik që Rama ka si bilanc në qytete si Vlora, Durrësi apo edhe Tirana. S’ka vend për prognoza, kemi çfarë analizojmë nga modeli Rama.

Është fakt që Rama në Vlorë dhe Durrës që prej 2013 ka hedhur qindra miliona euro investime, i ka menaxhuar madje si në nivel qëndrorë dhe lokal vetë… ngushtësisht vetë! Po kush është ambjenti ekonomik dhe social sot në Vlorë ose Durrës?

Vlora sot është një qytet që që nga 1 shtatori deri në 1 Qershor, shikon në rrugët e saj vetëm të moshuar, ku rinia ka emigruar masivisht.

Është një qytet që sipas statistikave ekonomike të të gjitha institucioneve kombëtare e ndërkombëtare (si Eurostat) ka një strukturë ku rreth 1/3 e saj jetojnë me të ardhura 225mijë lek në muaj (sipas vetë Instat 2023), ku rreth 90% e totalit të bizneseve janë të vogla me 1- 4, pra biznese familjare me të ardhura vjetore sa për të siguruar kafshatën e gojës.
Vlora sot dergjet në skamje, në papunësi dhe paprespektivë për të rinjtë… kanë ikur e kanë braktusur qytetin e tyre të bekuar nga Natyra.

Po përse ndodh ky fenomen, në korrelacion të zhdrejtë me paratë që PS ka investuar np Vlorë?

Sepse vërtet Rama investoi miliona në projekte si “LungoMare” në Vlorë, por nga ana tjetër pak nga pak i vrau Portin tregtarë qytetit, ja dha Oligarkut të tijë (Samir Mane) për të bërë një bllok të madh pallatesh të quajtur “vlora marina”.
Efekti është se volumi tregtar që mban gjallë një qytet si Vlora ra (ende ska projekt final për portin e ri) dhe Hotelet që u ndërtuan buzë Lungomares tashmë do hasin mungesën e vizitorëve të cilët do blejnë (me kredi të buta e afatgjata) apartamente te oligarku i Ramës… për 10 vite lekët e tyre nuk do hidhen në dhoma hotelesh, por në këste pagese të apartamenteve të tyre.

Vërtet u ndërtuan Hotele në Vlorë, por turizmi është ciklik, dhe mbi të gjitha:
Nëse KONSUMI nuk krijon PRODHIM, turizmi është një para e cila edhe pse në fillim shpërndahet në shumë “duar” (familje) shpejt përqëndrohet te pak oligarkë!

Vlora ka palma, fusha tenisi buzë detit, ka edhe stola me panele solare që mund të karikosh celularin, por nuk ka sektorë industrie që prodhojnë çarçafë për hotelet, materiale ndërtimi si pllaka, hidrosanitare etj për hotelet që po ndërtohen!

Vlora ka det të bukur, por ka një sektor peshkimi të falimentuar… në faliment total! Ka natyrë të mrekullueshme, por nuk ka thuajse fare sektorë Bujqësie dhe Blegtorie! E vërteta është se në hotelet e Vlorës konsumohet qumësht i importuar nga Serbia, në Llogara shërbehet mish nga Maqedonia… përtej propagandës së Rilindjes, kjo është e vërteta!

Në Vlorë, Rinia shikon turizmin në muajt e Verës që parakalon me makina luksoze, në hotele të shtrenjta por vetë rinia mund të punojë si kamarierë apo banakierë… s’ka asnjë askes në atë ekonomi! Ajo ekonomi është ekonomia e Ramës dhe Oligarkëve të tij nga Tirana!

Dhe më pas ndodhin dhe dramat sociale se përse në Vlorë ndodhin pafund zhdukje të rinjsh, trupa të tretura në vaska acidi, vrasje me snajper, pengmarrje, atentate me tritol e vrasje me kallashnikov si në Favelat e Rio De Janeiros.

Sepse modeli Edi Rama, nuk lejon prosperitetin dhe aksesin e rinisë në ekonomi, por është një fasadë investimesh estetike që prodhojnë miliona për oligarkët e tijë.

Shkodra nuk ka për të provuar helmin e Rilindjes, të embël në shije të parë, por vdekje prurë! Shkodra është qyteti i sipërmarrjes, ku tregëtia, biznesi, sipërmarrja kanë qenë lider në rajon që para 300vjetësh… qyteti me flotë peshkimi prej 3 shekujsh, me tradita në art si askush qytet tjetër!

Shkodra kërkon qeveri lokale e qëndrore, ti krijojë lehtësira taksash dhe të bërit biznes, kërkon të investohet në parandalimin e përmbytjeve të saj… më pas turizmin dhe biznesin dij ta bëjë vetë, jo të dirigjuar nga Rama dhe Oligarkët e tijë.
Por Rama nuk e njeh këtë model ekonomik, Rama njeh stadiumet, shëtitoret dhe fasadat e mbuluara në vanitet ndërkohë që brenda tyre gëlon skamja!

Artikulli paraprakStudimi/ Në këtë vend të Bashkimit Evropian një e treta e popullsisë vuan nga sëmundjet psikike
Artikulli tjetërFan Noli “rikthehet” në Universitetin Harvard