“Shkëndija që po ndizet”!

Më shumë se një Shkëndijë kuqezi në Europë, e cila pak nga pak po ndizet në kompeticionet kontinentale duke u shndërruar në një flakë pasioni jo vetëm për “Ballistët” e saj, por për të gjithë shqiptarët. Shkëndija e Tetovës në këtë verë po shndërrohet në një simbol të suksesit, të besimit, por dhe të forcës së përbashkët, pjesë e së cilës janë të gjithë ata që veshin fanellën kuqezi, në një klub ku të gjithë ndihen të barabartë dhe të lirë për të fluturuar me ëndrra, por dhe gola, pak a shumë si shqiponja e Junior në momentin e festimit të golit. Shkëndija është tashmë një flakë futbollistike dhe fitorja e fundit ndaj Mladostit e konfirmoi këtë.
Një skuadër e ndërtuar për të luajtur pa frikë, me një projekt të qartë, e konsoliduar dhe e denjë për t’u përballur me çdo kundërshtar si e barabartë. Suksesi ndaj çekëve pothuajse i ka hapur dyert e play off-it të Europa League dhe tashmë në ndeshjen e kthimit në Çeki do të nevojitet dhe një tjetër 90 minutësh për të arritur një tjetër kualifikim historik, e për të kërkuar sërish më pas një tjetër finish, plotësisht i arritshëm pasi te Shkëndija, gjërat nuk kanë ndodhur rastësisht. Të shikoje skuadrën kuqezi në fushë përballë Mladost, kuptoje se te ky formacion mbizotëron mbi të gjitha një mendësi fituese, e ndërtuar hap pas hapi, pavarësisht vështirësive dhe me durimin e besimin se një ditë, Shkëndija do të ndizej.
Një formacion, ku ndërthuren më së miri karakteri shqiptar, me teknikën braziliane, me një koncept të qartë loje dhe një balancë të ngritur falë rreshtimit të trajnerit boshnjak, Akrapoviç që u bë pjesë e një projekti, tek i cili besonte se mund të përmirësohej. Prej disa vitesh tashmë Shkëndija është një realitet i prekshëm futbollistik, e ndërtuar ndoshta pa shumë bujë, por që po përpiqet për mundësitë e saj të lërë një shenjë të madhe dhe festimi i tyre gjithashtu me tifozët është simbol i një afërsie dhe bashkimi, mes një skuadre dhe një tifozerie, që dinë të jenë gjithmonë pranë, në të mirë e në të keq për të ndezur pikërisht atë shkëndijë që mungonte.

Artikulli paraprakLiperi: Shqipëria më pak konkurruese krahasuar me rajonin
Artikulli tjetërHasani: Ekipi duhet të besojë. Kujdes në sfidën e kthimit