Shkëndija e Tetovës, surpriza e një “nate vere”

Shkëndija nuk zhgënjen, skuadra kuqezi nga Tetova siguron biletën për në turin e tretë paraeliminator të Europa League, pasi kaloi azerët e Neftchi Baku në Shkup pas një 90 minutëshi të dominuar në çdo aspekt. Barazimi pa gola i Bakut nuk e ndihmoi skuadrën mike të arrinte kualifikimin, pasi Shkëndija fitoi 1-0, por krijoi edhe një mori rastesh, duke marrë një sukses të merituar. E ndihmuar nga mijëra të pranishmit në shkallët e stadiumit të kryeqytetit, Shkëndija tregoi zemër, karakter, fuqi fizike, por edhe aftësi teknike në një ndeshje pa shumë gola, por me një epërsi të dukshme territoriale. Skuadra tetovare, dukshëm më e karikuar për ta fituar këtë sfidë, e nisi menjëherë në sulm, duke rrezikuar që në minutën e 3 me Junior, goditja e të cilit u grushtua nga Santini.
Shkëndija ndryshoi marsh, duke e zhvendosur lojën në gjysmëfushën kundërshtare dhe në minutën e 9 ishte shumë pranë golit, por as Hasani dhe as Ibraimi nuk e shfrytëzuan krosimin e rrezikshëm të Todorovskit. Qëndërsulmuesi Besart Ibraimi i papërmbajtshëm me një inkursion nga e majta shigjetoi portën, por topi kaloi ngjitur me shtyllën e majtë pingule, ndërsa në minutën e 31, Todorovski dhuroi një top të artë dhe Hasani me zgjuarsi në zonë e la për Ibraimin që ngriti peshë tifozët shqiptarë në stadiumin “Filipi II”.
Një natë e paharrueshme që bashkon shqiptarët e Maqedonisë rreth ngjyrave kuqezi. Skuadra e shqiptarëve të Tetovës nuk mbajti lart vetëm flamurin e vendit fqinj në kupat europiane, por mbi të gjitha hodhi një hap të madh drejt të ardhmes, asaj të ardhmeje për të cilën kompania “Ecolog” po investon për të ruajtur një traditë dhe një emër që mes shqiptarësh krijon emocione, dashuri dhe shumë krenari. Vetëm disa vite më parë, Shkëndija notonte në ujëra të turbullta ku falimentimi ishte alternativa më e prekshme.
Por tashmë kohët kanë ndryshuar, pasi Shkëndija është strukturuar në bazë të parametrave të një klubi modern që po e ndërton gur pas guri historinë e saj mbi themelet e një investimi të rëndësishëm. Emra jo shumë të njohur, por të dedikuar ndaj fanellës dhe futbollit, shumë djersë e derdhur, por mbi të gjitha besim. Shkëndija e këtij viti është pasqyrë e punës kolosale të bërë në mënyrën e duhur nga drejtuesit e klubit, sepse për të mbajtur lart një emër nuk nevojiten vetëm para, por edhe vizion.
Të dyja këto të miksuara në një filozofi të vetme kanë vetëm një përfundim, suksesin. Sezonin e shkuar, Shkëndija e mbylli sezonin në vendin e dytë të Kampionatit maqedonas, kjo edhe për shkak të tensionit mes fanatikëve të Vardarit që arritën kulmin me atë sulm fizik ndaj drejtuesve të Shkëndijës në transfertën e Shkupit vetëm pak muaj më parë. Gjithsesi, klubi kuqezi nuk u dorëzua dhe i tregoi një vendi të përçarë se shqiptarët dinë të dalin mbi paragjykimet, duke dhënë shembullin e profesionalizmit të tyre.

Artikulli paraprakTurpërohet Murinjo
Artikulli tjetërTrump sulmon Hillarin: Bota më pak e sigurtë sot