Shkëlzen Gashi rrezikon finalen e parë

Shkëlzen Gashi rrezikon të humbasë sfidën e parë përballë Seatle, në finalet e Konferencës së Perëndimit. Sulmuesi shqiptar u dëmtua në kaviljen e djathtë, në sfidën play-off përballë Los Angeles Galaxy të luajtur 10 ditë më parë. 28-vjeçari u largua mes dhimbjeve nga fusha, pasi më parë kishte realizuar një gol të jashtëzakonshëm, që riktheu Colorado Rapids në lojë, me skuadrën nga Denveri që u kualifikua pas ekzekutimit të 11-metërshave. Konfirmimi për mungesën e mundshme të Gashit u dha nga trajneri Pablo Mastroeni.
“Gashi po përmirësohet pas çdo dite që kalon dhe rikuperimi i tij ka ecur më mirë sesa parashikohej. Aktivizimi i tij në finalen e parë është në dyshim, por besojmë se jemi në rrugë të mbarë, që Shkëlzeni të japë kontributin në ndeshjen e kthimit në fushën tonë. Për momentin, më e rëndësishmja është që Gashi të jetë rikuperuar 100 për qind, për të synuar më pas ta hedhim në fushë. Megjithatë, nëse do të jetë gati, nuk ka dyshim që do ta aktivizojmë”, u shpreh Pablo Mastroeni.
Shkëlzen Gashi ishte lojtari më i spikatur i Colorados në këtë sezon, me 9 gola të realizuar. Ai u përzgjodh si Lojtari i Vitit nga tifozët e Rapids, ndërsa fitoi edhe garën për Golin më të Bukur të Vitit në Major League Soçer. Sfida e parë finale në Konferencën e Perëndimit do të luhet më 23 nëntor në fushën e Seattle, ndërsa takimi i kthimit është programuar 4 ditë më pas në Denver, me Coloradon që kërkon triumfin, për të synuar më pas titullin në kampionatin amerikan.

Artikulli paraprakTatimet, presion dhe gjoba ndaj bizneseve për kasat
Artikulli tjetërTransportet: Buxheti për rrugët nuk mjafton