Shkëlzen Gashi pozon me trofetë individualë

Vetëm pak ditë para gjysmëfinales së kthimit të Konferencës së Perëndimit në MLS mes Colorado Rapids dhe Los Angeles Galaxy, Shkëlzen Gashi poston në rrjetet sociale një foto të tij me dy trofe të rëndësishëm individualë: Këpucën e Artë dhe të preferuarin e fansave të Colorado Rapids. Sulmuesi i kombëtares shqiptare e shoqëron foton me këtë koment: Jam shumë krenar. Këpuca e Artë dhe i preferuari i fansave në vitin tim të parë te Rapids. Faleminderit për mbështetjen tuaj!
Këto dy çmime individuale janë një motiv më shumë për 28-vjeçarin për të qenë vendimtar në sfidën e dytë me kalifornianët, ku skuadrës së tij i duhet të fitojë me dy gola diferencë për të përmbysur humbjen 1-0 të takimit të parë. Një mision i vështirë, por jo i pamundur për Gashin, që pavarësisht vështirësive që pati gjatë javëve të para në MLS, arriti të hynte në zemrat e tifozëve të Rapids.
Në 29 ndeshje të këtij sezoni në MLS Gashi ka shënuar 9 gola, më shumë se çdo futbollist tjetër i Rapids, duke merituar edhe Këpucën e Artë te kjo skuadër.

Artikulli paraprakTorasa e lë me pasoja, Skënderbeu pa Vangjelin
Artikulli tjetërPaul Pogba në hije