Shkëlzen Gashi në formacionin e javës

Dy golat e shënuar në barazimin 3-3, që Kolorado regjistroi përballë Vankuver, i siguruan Shkëlzen Gashit një vend në formacionin më të mirë të javës së 29-të në Major League Soccer.
I rikthyer në rolin e tij natyral si mesfushor ofensiv në krahun e majtë, kuqeziu shënoi fillimisht me 11-metërsh, ndërsa në minutën e 75-të realizoi një gol të jashtëzakonshëm, pas ekzekutimit të shkëlqyer nga goditje standarde. Me dy rrjetat e realizuara, por edhe pesë tentativa drejt portës kundërshtare dhe dy shanse të krijuara, Gashi ishte më i miri në fushë për skuadrën nga Denveri, ndërsa u përfshi edhe në formacionin ideal të javës.
28-vjeçari rreshtohet në skuadrën ideale përkrah mesfushorit Khiry Shelton dhe David Villa të New York City, me sulmuesin spanjoll që ishte protagonist në fitoren 4-1 përballë Chicago Fire në “Yankee Stadium” dhe pozicionohet i dyti në renditjen e golashënuesve të kampionatit amerikan me 19 gola, menjëherë pas anglezit Bradley Wright-Phillips.
Në anën tjetër, Shkëlzen Gashi ngjitet në kuotën e 7 golave sezonalë, ndërsa Kolorado Rapids mbetet në vendin e dytë në Konferencën e Perëndimit, që i siguron një vend në Serinë Finale drejt titullit kampion në futbollin amerikan.

Artikulli paraprakHysaj përjetë tek Napoli
Artikulli tjetërOperohet Vajushi, 4-6 muaj larg fushave