Shkëlzen Berisha, padi penale zarit shpifës të Ramës në OSHE

Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha ka depozituar dje një padi penale për shpifje ndaj Romeo Karaj, ish-juristit të OSSHE, një njeri i paqëndrueshëm, të cilin mazhoranca kërkon ta përdorë si varkë shpëtimi për të shmangur hetimin e Edi Ramës në skandalin e CEZ. Njoftimin e ka dhënë vetë Shkëlzen Berisha në faqen e tij në rrjetet sociale ku shprehet se, “Përgjigja më e mirë për shpifësit është rruga ligjore. Në këtë mënyrë do u jepet mundësia të flasin aty ku duhet dhe jo atje ku nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për shpifjet e tyre. Padi të tjera do të vijojnë në ditët në vazhdim”, shprehet Berisha.

Akuza

Padia e Shkëlzen Berishës vjen pas deklaratave të Romeo Karaj në televizionin e Karlo Bolinos, italo shqiptarit që njihet si sekser i Edi Ramës. Në deklaratën e tij, Karaj do të shprehej se përgjatë vitit 2010-2011, Berisha ka udhëtuar dy herë në të njëjtin avion me administratorin e DIA Kastriot Ismailaj drejt Pragës. Intervista e dhënë një ditë më parë u mbështet dhe nga gazeta e Bolinos një ditë më vonë. Por gjithçka rezultoi një flluskë, sepse vetë Bolino do të pranonte se kishte gënjyer në gazetën e tij, duke i paraprirë kështu një padie penale që mund të ngrihej dhe ndaj tij për shpifje. Kjo pas paralajmërimit të Shkëlzen Berishës se çështjen do e çonte në gjyq. “Unë si cilido pasagjer përgjigjem vetëm për veten dhe destinacionin tim dhe nuk mbaj asnjë përgjegjësi kush hipën apo ku shkojnë 200 udhëtarët e tjerë të avionit. Pavarësisht kësaj, deklaroj me përgjegjësi të plotë ligjore, se nuk kam udhëtuar kurrë as në Pragë dhe në asnjë destinacion tjetër të rruzullit as me z.Ismailaj as me ndonkënd të afërt me të. I bindur që me afrimin e zgjedhjeve, shpifjet ndaj meje dhe familjes time do të vazhdojnë për të mbuluar mashtrimet, dështimet dhe vjedhjet e Ramës, njëlloj si refreni “fajin e ka Saliu”, kam vendosur t’u përgjigjem në rrugë ligjore. Disponoj të gjitha provat e duhura për të paditur për shpifje të gjithë ata që mendojnë se do shpëtojnë koncesionet, sarajet, paratë e vjedhura në marrëveshjet me CEZ dhe lëkurën e tyre përmes mashtrimit dhe trillimit. Padia për shpifje do të jetë penale!” do shprehej djali i ish-kryeministrit, gjë që bëri të tërhiqej trimin Bolino.

Padia

Por në rast se Bolino u tërhoq, në mes ngeli Romeo Karaj, të cilit tashmë i duhet të përballet me drejtësinë. Njeriu që njihet për çekuilibrin e tij emocional tashmë i duhet të vërtetojë në Gjykatë akuzat e bëra në adresë të Shkëlzen Berishës. Dhe në rastin e Gjykatës ai s’mund të bëjë akrobacira si në televizionet e Bolinos, apo në komisionet e Taulantit. Gjykata nuk do të dijë as për gjendjen e tij psikologjike dhe emocionale në momentin që e ka dhënë këtë deklaratë, pa pasur një provë të fortë nga mjekët. Pra, nëse Romeo Karaj kamikaz i radhës nuk ka fakte, atëherë do pësojë fatin e Taulant Ballës ose dhe të Sajmir Tahirit, të cilët kanë shuma të konsiderueshme parash gjoba të vëna nga gjykatat. Por me një ndryshim, sepse Taulanti dhe Sajmiri fshihen njëri pas mandatit të deputetit dhe tjetri si ministër, ndërsa Romeo Karaj është fare e lehtë të flaket nga Rama në mes të katër rrugëve…

Kamikazë të çekuilibruar që përdoren si avokatë të Ramës

Nuk është hera e parë që mazhoranca përdor persona të çekuilibruar për të mbuluar zullumet e saj. Një ditë më parë, bëri habi prezantimi i dëshmitarit Entjol Xhelili në Komisionin Hetimor për pajisjen e përgjimit IMSI-Catcher, kur i veshur me një flamur u ngrit të këndonte himnin e flamurit. Kështu është dhe rasti i Romeo Karaj, i cili shpreh si dëshmitar “shpifjet” që i serviren nga selia mavi. Por kjo kategori njerëzish ku futet dhe Izet Haxhia, i akuzuar për vrasjen e Azem Hajderit, përdoren, bëjnë lajm të parë në mediat e kontrolluara nga Rama, ku natyrisht flamurin e mban Karlo Bolino, italo-shqiptari i cili kohët e fundit është tmerruar nga humbja e sigurt e pushtetit të Edi Ramës. Kjo, sepse Karlo Bolino në këto katër vite ka qenë sekser në thuajse çdo pazar, ku më pas është regjistruar një skandal si në rastin e landfillit ku mbeti i vdekur Ardit Gjoklaj vetëm 17 vjeç. Nga ana tjetër është e habitshme aftësia e Edi Ramës për të gjetur dëshmitarë të këtij niveli, të cilët nuk ndryshojnë shumë nga sjellja e tij, kur bie fjala për t’u përballur para ligjit. Shqiptarët nuk i kanë harruar skenat me megafon të kryeministrit të sotëm gjatë kohës që hetohej nga Parlamenti në lidhje me abuzimet në Bashkinë e Tiranës, sjellje të cilat reflektohen dhe tek personat që ai sot i përdor për të mbuluar zullumet e tij.

Artikulli paraprakReforma në Drejtësi, miratohet Këshilli i Emërimeve, ja kompetencat
Artikulli tjetërVjedhje në emër të shtetit me licensat televizive