Shkarkohet kryepolici i Vaut të Dejës, kërcënoi reporterin e PD

Shefi i Komisariatit të Policisë së Vaut të Dejës, Edmond Metko u shkarkua dje nga detyra nga ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj, për shkak se bashkë me shoferin tij kërcënuan reporterin e Partisë Demokratike. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm, para se të zhvillohej mitingu i çeljes së fushatës në Vaun e Dejës.
Burime nga vendi i ngjarjes bënë të ditur se, reporteri i PD po udhëtonte me makinë për të marrë pjesë në mitingun e opozitës, ku ishte i pranishëm edhe kryetari Basha. Ai ka parakaluar makinën e shefit të komisariatit për të pasqyruar aktivitetin e opozitës, por kryepolici i Vaut të Dejës i ka bllokuar rrugën makinës së reporterin dhe pasi ka dalë nga makina e ka kërcënuar, duke i thënë se do t’i vërë prangat.
“Kush je ti që më parakalon mua. Unë të vë prangat në vend dhe të rras në burg”, i ka thënë kryepolici reporterit të PD. Edhe shoferi i tij e ka kërcënuar reporterin, megjithëse ky i fundit i ka sqaruar se po shkonte në aktivitetin e opozitës për ta pasqyruar në media.
Lajmin e bëri të ditur kryetari i opozitës, Lulzim Basha, gjatë hapjes së fushatës në Shkodër. PD hapi dje fushatën elektorale në Vaun e Dejës i pranishëm ishte vetë Basha.
Rasti është denoncuar me shpejtësi te ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj, i cili ka shkarkuar nga detyra shefin e komisariatit të policisë. Ky është incidenti më serioz i regjistruar deri më tani që nga hapja e fushatës elektorale.

Artikulli paraprakMinistri Demiraj pret ambasadorin italian për zgjedhjet dhe drogën
Artikulli tjetërGjithë administrata e Delvinës dhe Sarandës ‘zbarkon’në fushatë