Shitjet jashtë vendit, 63% janë rieksporte

Mallrat e eksportuar nga Shqipëria gjatë periudhës janar-tetor 2017 arritën vlerën e 225.4 miliardë lekëve sipas të dhënave zyrtare nga doganat, por vetëm 86 miliardë lekë nga kjo vlerë janë eksporte definitive dhe pjesa tjetër prej 137 miliardë lekësh, apo rreth 63% janë rieksport.
Të dhënat tregojnë se, eksportet “Made in Albania” që realizojnë ciklin e mbyllur në vendin tonë janë rritur me ritme më të shpejta (14%) se rieksportet (13%) në raporte me janar-tetor 2016.
Rritja e eksporteve definitive që kanë vlerë të shtuar në ekonominë vendase janë ndikuar këtë vit nga rritja e eksporteve të hekurit dhe materialeve të ndërtimit.
Grupi i “materialeve të ndërtimit dhe metaleve”, që për 10-mujorin ka shënuar dhe rritjen më të madhe në vlerë absolute me rreth 10 miliardë lekë (nga 27 miliardë lekë që ishte rritja në total e eksporteve), duke arritur në 36 miliardë lekë (+39%). Kurum, prodhuesi i çelikut, ndonëse në falimentim po vijon punën pas planit të riorganizimit, ndërsa ka një gjallërim të industrisë së çimentos dhe materialeve të ndërtimit. Pesha e këtij grupi ka arritur në 16%, pothuajse sa ajo e “minerale, lëndë djegëse dhe energji”. Gjithashtu eksportet e produkteve definitive janë nxitur nga shitja jashtë vendit e prodhimeve bujqësore, të cilat për 10-mujorin u rriten me 17 për qind.
Megjithë rritjen dyshifrore të eksporteve me cikël të mbyllur, rieksportet me mall porositësi dominojë. Këto përfaqësohen nga industria fason, e cila prej gati dy dekadash nuk po mundet të përparojë për të rritur vlerën e fitimit që mbetet brenda Shqipërisë.
Industria ka mbetur peng i porosive të industrisë italiane të tekstilit edhe pse shembujt që kanë realizuar vetë ciklin e mbyllur kanë rezultuar mjaft pozitivë.
Në kuadër të procesit të integrimit në BE, prodhuesit shqiptarë kanë përgatitur një paketë me kërkesa ndaj qeverisë shqiptare me qëllim që ata të merren në konsideratë në vitin 2018. Krijimi i markave “Made in Albania” do të jetë shpëtimi i ekonomisë shqiptare thotë Arben Shkodra, nënkryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë. Lehtësimi i kostove ndaj prodhimeve unike shqiptare duhet të merret në konsideratë, jo vetëm për stimuluar bizneset e sektorit dhe eksportit, por për të orientuar modelin e rritjes së ekonomisë.

Artikulli paraprakBasha: Përmbysje diktaturës së krimit
Artikulli tjetërKoncesionet, tranferohen 221 milionë euro