Shifrat zyrtare janë tronditëse, 3.7 miliardë euro fatura e vjedhjeve të shqiptarëve nga Rama në 5 vjet

Eshtë një shifër jashtë çdo logjike të një veni normal. Shqiptarët janë vjedhur dhe vazhdojnë të vidhen gjatë këtyre 5 viteve si asnjë komb tjetër në Europë. Plot 3.7 miliardë euro është fatura e çertifikuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit i korruspionit të qeverisë Rama dhe kjo përkthehet në varfëri dhe padrejtësi për shqiptarët
Deklarata e Bashës
Korrupsion ka patur çdo qeveri. Edhe qeveritë e Partisë Demokratike kanë patur pjesën e tyre të korrupsionit dhe kjo është e padiskutueshme. Por korrupsioni qeveritar i Edi Ramës është i paprecedentë në 30 vite. Në 30 vite nuk ka patur korrupsion të tillë. Meqë Edi Rama fshihet pas Ulsirave dhe Fugërave, faktet të cilave duhet t’u japë përgjigje janë këto; faktet zyrtare, KLSH-ja: 3,7 miliardë euro abuzim. 3,7 miliardë euro është një shifër që nuk ia rrok mendja asnjë shqiptari.
Ta përkthejmë, i bie 5 mijë euro për çdo familje shqiptare. Vetëm vitin e kaluar, abuzimi ka qenë 923 milionë euro, pra 300 euro për familje shqiptare. 300 euro për familje shqiptare vjedhje të parave publike, vjedhje të taksave të shqiptarëve. Ju merr taksën dhe i kthen ato para në vjedhje dhe rryshfete për veten e tij, ministrat e tij dhe klientelën e tij. Si e bën këtë? Rasti epik, vjedhja më e shëmtuar, më kriminale është padyshim “check-up”-i, dmthbëhet vjedhje në kurriz të drejtpërdrejtë të shëndetit të shqiptarëve, nga foshnjat deri tek të moshuarit.
Vetëm këtu, siç tregon KLSh-ja, është paguar 22 milionë euro nga lekët e shqiptarëve, nga të cilat 7 milionë euro për analiza që nuk i ka kryer kurrë. KLSH-ja i ka thënë rishiko kontratën, por nuk ndërmerret asnjë veprim.

Pse? Sepse këto 7 milionë euro natyrisht nuk shkojnë thjesht dhe vetëm në xhepat e Vilma Nushit, ndahen me Edi Ramën dhe shpurën e tij. 19 milionë euro me pronën publike, sepse nuk mjaftohet me taksat e shqiptarëve – siç e tregon rasti i Teatrit, Ligji “Fusha” tani syrin ua ka vënë pronave publike në qendrën e Tiranës, parqet dhe hapësirat publike, bregdetin, vijën turistike, pasuritë minerare, naftën dhe gjithçka tjetër që është pronë e përbashkët, publike, e shqiptarëve.
Vjedhja dhe korrupsioni pra kanë arritur nivele alarmante, më të lartat në 30 vite. Më të larta edhe se në 98-n, kur qe shpartalluar totalisht shteti. Kjo është një vjedhje e çertifikuar, një vjedhje me ligj, siç thuhet në gjuhën popullore, e cila faktohet më mirë se në çdo rast tjetër, nga ligji “Fusha”. Arsyeja kryesore pse Edi Rama ka shtënë në dorë sistemin e drejtësisë dhe reformën në drejtësi, është pikërisht të mbrojë këtë vjedhje, natyrisht edhe aleancën e tij me kriminelët dhe bashkëqeverisjen me ta.
Por përveç këtyre parave, 5 mijë euro në total për familje, që ka vjedhur në këto 5 vite, 300 euro për familje vetëm vitin e kaluar, kemi edhe paratë e tjera të cilat vidhen me koncesione dhe PPP. Sepse vjedhja është shtrirë në dy dimensione të tjera, të panjohura ose pak të njohura më parë. Kemi të paktën 300 milionë euro që paguhen nga taksat e shqiptarëve vetëm në sektorin e shëndetësisë, kemi 120 milionëshin e Vilmës, kemi 100 milionë për laboratorët, dhe 92 milionë për sterilizimin e pajisjeve mjekësore.
Asnjë nga këto nuk ka kontribuar në përmirësimin e shërbimit shëndetësor për shqiptarët. Asnjë prej tyre nuk ka kontribuar në përmirësimin e sistemit dhe ofrimin e një shërbimi më kualitativ, përkundrazi, njerëzit ankohen këtë vit, më shumë se vjet, vit për vit më shumë, për një shërbim shëndetësor të rënë përtokë, për radhë të gjata, për mungesë ilaçesh, deri edhe për ilaçet për sëmundje të rënda, dhe për një cilësi të tmerrshme në institucionet e shërbimit shëndetësor, duke filluar me spitalin e QSUT-së, imagjinoni me spitalet e tjera.

Artikulli paraprakVeliaj, masakër me betonizimin e Tiranës, 498 leje ndërtimi në 6-muaj!
Artikulli tjetërKryebashkiaku Gurra kërcënon kryetarin e PD Librazhd: Do të fusim në burg po fole për plehrat