Shifra skandaloze, 42% e tenderave në 2016 u dhanë në tavolinë

Agjencia e Prokurimit Publik u ka rekomanduar institucioneve që të përdorin sa më shpesh marrëveshjet kuadër në lidhje me shërbimet apo produktet e vazhdimësisë. Kjo do të thotë që, institucionet të kenë marrëveshje me sa më shumë operatorë ekonomikë, të cilët funksionojnë brenda një sistemi të mbyllur, por që kjo mundëson zgjidhjen e emergjencave me kosto më të ulët.
Në rastet kur ka nevojë për blerje emergjente, institucionet preferojnë procedurat e negocimit pa shpallje paraprake, pra institucioni zgjedh operatorin që i intereson dhe negocion në tavolinë për çmimin. Marrëveshja kuadër, nga ana tjetër, bën që në garë të jenë dy ose më shumë operatorë, me të cilët mund të negociohet, duke rritur kështu konkurrencën.
“APP thekson se në mënyrë kategorike nuk duhet të përdoret procedura e prokurimit. “Negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës” nga autoritetet kontraktore për mallrat dhe shërbimet e vazhdueshme, të cilat duhet të fillohen menjëherë me procedurat e prokurimit për të lidhur Marrëveshje Kuadër.
Gjithashtu APP tërheq vëmendjen e autoriteteve kontraktore që të marrin masat për planifikim sa më të mirë të nevojave të tyre për vitin në vijim, me qëllim prokurimin e tyre në kohë dhe shmangien në mënyrë kategorike të përdorimit të procedurës së prokurimit “negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”, thuhet në rekomandimin e APP.

Produktet apo shërbimet pjesë e marrëveshjeve kuadër

Marrëveshjet kuadër mund të përdoren për një seri produktesh dhe shërbimesh nga ana e institucioneve.
Të tilla janë: pajisje kancelarie, përfshirë letër për përdorim në zyrë, mobilim zyre standard, telefona dhe/ose komunikimi, materiale/ vegla të instalimeve elektrike, pajisje fotokopje, printerë, skanerë, makineri shumëfunksionale, makina për përdorim zyrtar/pjesë këmbimi, pajisje IT, materiale ndërtimi, p.sh. tuba për ujërat e zeza, dritat e rrugëve, elemente ndërtimi, produkte farmaceutike, shërbime të konsulencës, shërbime pastrimi, shërbime të mirëmbajtjes dhe të riparimit, shërbime të udhëtimit.
Gjatë këtij viti, dominuese në procedurat me negocim pa shpallje paraprake kanë qenë sidomos produktet farmaceutike.

Procedurat me negocim zunë 42% të totalit në 2016

Në vitin 2016, raporti vjetor i APP nënvizoi se rreth 42% e procedurave të zhvilluara nga ana e autoriteteve kontraktore ishte me negocim pa shpallje paraprake. Edhe pse një shifër e lartë, kjo në raport me numrin total të procedurave, sërish në aspektin e vlerës që përmbajnë këto procedura janë vetëm 7.5% e totalit, pra vetëm 8 miliardë lekë.

Artikulli paraprakTabaku: Qeveria ka varfëruar shtresën e mesme
Artikulli tjetërParadiese papers dhe furtuna e pritshme ballkanike