Sheshi i shëmtirës, injorancës dhe babëzisë!

Sali BERISHA

Në një rast unik në historinë e kohës, aty ku është Sheshi Skënderbej, u krijua në Tiranë, si fryt i injorancës të skajshme dhe babëzisë së papërmbajtur, sheshi i rrasave të gurit me një madhësi të frikshme, i cili ngjet si një megatransplant i hedhur në një mjedis, me të cilin duke filluar nga maja e Dajtit, tërësisht e gjelbëruar, vazhduar në qytet ku guri pothuaj nuk ekziston dhe deri në kurorën e bukur të kodrave valëzuese të Tiranës, të gjelbëruara dhe ato gjer në majat e tyre, nuk e lidh asgjë.
Personalisht kam vetëm vlerësim dhe admirim për gurin si material ndërtimi dhe dekorativ, por theksoj se mballosja e një sheshi të këtyre përmasave me rrasa guri në qendër të kryeqytetit, pra në epiqendrën e vendit, dëshmon injorancën më të thellë se vetë padija e autorëve të këtij përçudnimi. Kjo provon gjithashtu se Edi dhe Lal Plehu nuk kanë njohuritë më elementare në arkitekturë dhe urbanistike, se janë pak me thënë kretinë të kohës së gurit në njohuritë e tyre për gurin, vetitë e tij fizike, fuqinë e tij absorbuese dhe reflektuese të rrezeve, si dhe energjisë në tërësi, paraqitjen e tij estetike në gërshetim, në përthyerje, në proporcion apo dhe në transplant masiv.
Sheshi sot, më shumë se çdo gjë tjetër të kujton një copë shkretëtirë të transplantuar në qendër të Tiranës, ose, për të mos shkuar larg në kontinentet me shkretëtira dhe për t’u ndalur në Shqipëri, sheshi ngjet me faqen e rrjepur e të shëmtuar të malit të shkaktuar nga gurorja e Dajtit apo të ndonjë guroreje të maleve të Krujës vendosur në mes të Tiranës dhe shëmton jo më pak qytetin se sa shëmtojnë guroret faqet e malit të rrjepura prej tyre.
Por sheshi nuk është vetëm një shëmtirë në kompleksin urbanistiko-arkitekturor të qendrës së qytetit të Tiranës. Ai tani është dhe një krim i rëndë mjedisor me ndikim të fuqishëm negativ në mikroklimën dhe mjedisin e qytetit. Shirat do ta kthjenë atë në pellg për bretkoca, ngricat në vend për thyerje qafe për qytetarët, ndërsa verës ai do të kallë nga zhegu kalimtarët dhe banesat përreth.
Ky krim bëhet edhe më i rëndë kur mendon se çdo gjë në krijimin e këtij transplanti të shëmtuar në zemër të Tiranës është diktuar jo vetëm nga injoranca e plotë, por dhe babëzia e madhe e Edvin Kristaq Ramës dhe Lal Plehut.
Turp, një mijë herë turp për dhunimin, shëmtimin që i bëtë kryeqendrës së Shqipërisë. Këtë nuk ia bëri as Enveri që vinte nga qyteti i gurtë!

Artikulli paraprakVëzhguesit: Subjektet politike mos të bëjnë presion mbi votuesit
Artikulli tjetërAnulim kamatvonesave, ulje çmimit të energjisë