Sheshi parking, 400 mijë euro ceremonia, Veliaj 4 ditë aheng

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj do të inaugurojë sot Sheshin “Skënderbej”, rikonstruktuar me bekimin e kryeministrit Edi Rama. Shpenzimeve marramendëse të rikonstruksionit do t’i shtohen edhe shumë para të tjera për inaugurimin, që dalin nga xhepat e qytetarëve të Tiranës.
Bëhet e ditur se, Bashkia e Tiranës do të shpenzojë 400 mijë euro për ceremoninë që do të zhvillohet sot në mbrëmje për sheshin e kthyer në parking. Vetëm ndriçimi dhe fonia e aktivitetit do të kushtojë 80 mijë euro, ndërsa çmimi i ekranit gjigant arrin deri në 50 mijë euro.
Veliaj ka zgjedhur Ergi Kuken, djalin e Pali Kukes, i cili punon në SHBA, për t’u marrë me efektet gjatë ceremonisë, që do të kapin vlerën e 30 mijë eurove, raporton “Politiko”.
Një koncert katër ditor do të zhvillohet në Sheshin ‘Skënderbej’, ndërsa një prej këngëtareve të ftuara është Aurela Gaçe, si dhe artistë nga të gjitha trevat shqiptare.
400 mijë euro është një prej ‘dhuratave’ që Erion Veliaj po i bën kryeministrit Edi Rama në këtë fushatë, si shenjë respekti për zgjedhjen në krye të Tiranës. Në një kohë kur Bashkia ka rritur taksat për bizneset dhe ka vendosur taksa të reja për qytetarët, 400 mijë euro është një shifër që nuk mund të justifikohet lehtë.

16 milionë euro për pllakat e thyera

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka harxhuar plot 16 milionë euro për pllakat e vendosura në Sheshin “Skënderbej” në qendër të Tiranës. E sikur të mos mjaftonte ky skandal korrupsioni, pllakat e vendosura në shesh janë të thyera. Punimet janë kryer me cilësi shumë të dobët dhe shumë shpejt, pllakat do të dalin jashtë përdorimit për t’u zëvendësuar me të tjera dhe për të harxhuar miliona lekë të tjera nga lekët e taksapaguesve të kryeqytetit.
U lajmërua rreth një vit më parë, që projekti i ri për ndërtimin e këtij sheshi do të zgjaste plot 12 muaj dhe se vlera e tij do të ishte 16 milionë euro. Kur morëm vesh se i gjithë sheshi do t’u dedikohej këmbësorëve dhe do të kishte edhe gjelbërim, menduam se diçka e mirë do të bëhej në këtë qytet, por ky ishte zhgënjimi më i madh i qytetarëve nga Veliaj.
Sot, sheshi do të inaugurohet, por po të shikosh pllakat, asnjëra s’ka lidhje me tjetrën. Shumë prej tyre janë të thyera, të krisura dhe pa kombinimin e ngjyrave.
Para pak ditësh ish-Kryeministri Berisha e komentoi këtë gjendje të sheshit, si një shesh të sheshit i Lal plehut. “Ky është sheshi i Lal plehut! Në shi do të kalohet me gomone, kurse në vapë merrni xhezvet me vete për të bërë kafen!!”, shkruante Berisha në një postim në Facebook pra pak ditësh.

Masakrimi i metropolit shqiptar

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, bëri rikonstruktimin e sheshit qendror të kryeqytetit, duke iu referuar planit të ish-kryebashkiakut Rama. Faza e parë e planit të Veliajt për rikonstruksionin e Sheshit “Skënderbej” shkoi deri në 4.8 milionë euro. Ndërkohë, rikonstruksioni i Sheshit “Skënderbej” me pllaka të coptuara kushtoi plot 16 milionë euro.
Megjithë paratë e harxhuara, metropolit shqiptar i është bërë një masakrim. Ndërtimet që janë kryer në shesh kanë lënë pa fjalë qytetarë që e jetojnë mbi kurrizin e tyre këtë masakër.
Specialistët shprehen se, me Sheshin “Skënderbej” është bërë një masakër e vërtetë, ndërsa 16 milionë eurot e harxhuara nga Bashkia nuk justifikojnë punimet e kryera. Me këto para të harxhuara mund të kryheshin investime jo vetëm për sheshin, por për të gjithë Bulevardin. Tenderi për këtë shesh është bërë vetëm për të mbushur xhepat e Veliajt dhe të miqve të tij. Veliaj rriti taksat dhe falimentoi biznesin, duke mbyllur vende pune dhe këtë e cilëson si një arritje të Bashkisë së Tiranës.

Rexhep POLISI

Artikulli paraprakRegjistroi 70 vetë fiktivë në vilën e tij për votat, paditet Gjoza i LSI
Artikulli tjetërTrump sfidon Comey: Gati të dëshmoj për bisedat me të