Shënon Sadiku, fluturon Lugano

Armando Sadiku vazhdon të shfaqet protagonist në Superligën zviceriane, ndërsa Lugano ka marrë një fitore 1-2, në transfertën e vështirë ndaj Young Boys, i cili mban vendin e dytë. Sulmuesi i kombëtares shqiptare dha asistin për golin e parë të shënuar nga shqiptari i Maqedonisë, Alioski dhe më pas shënoi golin e dytë, në fillim të pjesës së dytë.
Tani Lugano është vetëm 3 pikë larg vendit të katërt dhe janë shtuar ndjeshëm shpresat për një vend te kupat e Europës. Sadiku dhe Alioski kanë qenë protagonistët absolutë të kësaj forme të mirë të Luganos, e cila kaloi nga lufta për të mos rënë nga Superliga, në garën për një vend në Europë.
Sadiku u transferua në janar, te Lugano, i kërkuar me ngulm nga ish zv/trajneri i kombëtares shqiptare, Paolo Tramezzani. Sulmuesi elbasanas ka shënuar 7 gola dhe ka asistuar dy të tillë, deri tani me ekipin zvicerian.

Artikulli paraprakDako shkel vendimin e gjykatës, vijon masakrën me projektin Veliera
Artikulli tjetërProtesta paqësore në të gjithë Shqipërinë, rrugët që u bllokuan