“Shëndetësia falas”, në Shkodër as glicemia nuk mund të bëhet

Situata në Spitalin e Shkodrës është në gjendje mjaft kritike, ku as glicemia nuk mund të bëhet në këtë spital. Kryetari i degës së PD Shkodër, Ramiz Çobaj bëri të ditur dje nëpërmjet një deklarate për mediat se si shumë premtime të tjera të mazhorancës qeverisëse edhe “Shëndetësia falas” na rezultoi një përrallë e bukur. Jo vetëm që nuk ndodhi kështu, por situata e shëndetësisë u përkeqësua akoma edhe më shumë, si në shërbime, ashtu edhe në investime. E vetmja gjë që pati rritje mjaft të madhe, ishte mashtrimi galopant i qeverisë edhe në këtë fushë.
“Shembulli konkret i mashtrimit është gjoja rritja e investimit dhe përmirësimi i shërbimit në shëndetësi, nëpërmjet check up-it të dështuar, ku qeveria kohët e fundit, pa asnjë argument teknik e shkencor, vendosi që mosha e atyre që përfitojnë nga ky shërbim, të zgjerohet deri në 70 vjeç. Tashmë të gjithë e dimë se ky zgjerim ndodhi për të fshehur dështimin e këtij shërbimi dhe për të justifikuar milionat e shpenzuara kot (milionat e vjedhura dhe të shpërdoruara) të buxhetit të shtetit. Ju kujtuam qytetarëve check up-in, sepse vetëm një pjesë e vogël e këtij fondi të shpërdoruar keqas të ishte përdorur për përmirësimin e kushteve të punës dhe shërbimit në Spitalin e Shkodrës, situata nuk do të ishte në atë gjendje të mjerueshme që është sot”, u shpreh Çobaj.
Sipas tij, të gjithë qytetarët që kanë patur nevojë t’i drejtohen spitalit, e dinë shumë mirë se në Spitalin Rajonal Shkodër nuk bëhet asnjë analizë me përjashtim të dy analizave (atë të urinës dhe fibrinogjenit). Ka mungesë reagentësh. E tillë është gjendja në këtë spital, sa as glicemia nuk mund të bëhet.
“Përveç kësaj, sfidë më vete për të sëmurët dhe familjarët e tyre, mbetet mungesa e medikamenteve në spital. Mungojnë shumë medikamente, duke filluar nga antibiotikët, duke vazhduar pastaj me antiinflamatorë, hepari, primperan, insulinë, tramadol, antituberkular etj.
Duke qenë gjendja kaq e rëndë, mjekët e Spitalit Rajonal Shkodër po rezervohen të bëjnë shtrime në spital. Ata kanë të drejtë. Me çfarë t’u shërbesh pacientëve, me çfarë t’i kurosh? Por nuk është ky problemi dhe shqetësimi i vetëm në këtë spital”, tha ai.
Një problem tjetër shumë madhor ka lindur kohët e fundit në shërbimin e dializës, që ka të bëjë me infektimin e pacientëve të këtij shërbimi me “hepatit C” dhe çdo gjë mbahet sekret, flitet vetëm nën zë. “Situatën e Spitalit Rajonal Shkodër, e rëndon edhe situata e Spitalit të Pukës, i cili përveç problemeve që ka Shkodra, ka edhe një shqetësim tjetër plus, sepse në këtë spital, shiu që bie jashtë futet pothuaj i gjithi brenda, duke pikuar deri në katin e parë dhe për pasojë të sëmurët po i sjellin në drejtim të Shkodrës, duke e rënduar më shumë situatën e këtij të fundit.
Kjo situatë në shëndetësi, por jo vetëm, duhet të marrë fund një orë e më parë, nëpërmjet largimit sa më parë nga pushteti të shkaktarëve të kësaj gjendjeje të rëndë. Kemi besim se mashtruesit dhe hajdutët së shpejti do të marrin përgjigjen e merituar”, përfundon deklarata e kreut të PD, Shkodër.

Artikulli paraprakTritol makinës së një 57-vjeçari në Sarandë
Artikulli tjetërSekuestrohen 10 kg drogë nga Shqipëria në Janinë