Shefi i krimit i policisë Kufitare kapet me 2 kg heroinë në Greqi

Trafiku i drogës drejt Italisë dhe Greqisë vazhdon pandërprerje për shkak se kryhet nga vetë drejtuesit e policisë. Një sasi heroine që i përkiste një zyrtari të lartë të Policisë Kufitare në Korçë u sekuestrua dje nga policia greke në pikën doganore të Kapshticës. Lënda narkotike u gjet në një autobus dhe se sasia e sekuestruar ishte 2 kg heroinë. Pas sekuestrimit të drogës së fortë u zbulua se pronari i linjës së autobusit ku u zbulua heroina është Edmond Çela, oficer policie me detyrë shef i Hetimit të Krimit në Drejtorinë e Kufirit të Migracionit në Korçë. Droga u gjet në një autobus të kompanisë “Metro” që bënte linjën Shqipëri-Greqi. Policia greke ka arrestuar drejtuesin e autobusit. Bëhet e ditur se policia greke po heton edhe për raste të tjera, pasi dyshohet se në këtë linjë autobusi është transportuar drogë edhe disa herë të tjera.
Autobusi i kishte shpëtuar kontrollit të Policisë Kufitare në Kapshticë, por nuk mundi të kalonte në doganën greke. Droga e fshehur në autobusin e shefit të Krimit në Policinë Kufitare nuk u bllokua nga policia shqiptare, pasi ishte e zyrtarit të lartë të policisë. Autobusi u lejua të kalonte në doganën e Kapshticës, por është bllokuar në doganën greke. Gjatë kontrollit fizik të kryer me skaner nga pala greke u zbulua droga e fshehur në autobus.
Ndërsa, policia greke ka arrestuar drejtuesin e mjetit dhe ka zgjeruar hetimet, ndërsa policia shqiptare nuk ka marrë asnjë masë ndaj shefit të Hetimit të Krimit në Drejtorinë e Kufirit të Migracionit në Korçë, Edmond Çela, i cili ishte pronari i drogës së sekuestruar.
Policia shqiptare nuk ka vullnet për të goditur trafikun e drogës, pasi është e përfshirë vetë në të. Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka emëruar në poste kyçe të policisë disa nga njerëzit e tij më të besuar për të forcuar klanin e tij në trafikun e drogës.
Policia italiane dhe ajo greke bllokojnë për çdo ditë drogë të futur lehtësisht nga Shqipëria. Po ditën e djeshme u kap në pikën kufitare një sasi droge prej 5 kg heroinë që po trafikohej drejt Italisë. 57-vjeçari Petraq Greku nga Tirana po udhëtonte drejt Italisë përmes doganës së Muriqanit. Ai e kishte fshehur drogën në gomat e makinës së tij, por gjatë kontrollit në doganë u zbuluan pakot me drogë. Dhe pas peshimit rezultoi se Greku po transportonte drejt Italisë 4 kg dhe 476 gramë heorinë. Greku fillimisht ka mohuar që droga ishte e tij, por më pas ka ndryshuar deklaratën. Antidroga po heton nëse në këtë trafik ndërkombëtar është tjetër kush me Petraq Grekun apo jo.
Dy ditë më parë, policia italiane sekuestroi 8 kuintalë drogë të futur nga Shqipëria. Policia italiane bëri të ditur se, sekuestroi 8 kuintalë drogë të llojit hashash dhe marijuanë me një vlerë prej katër milionë eurosh. Droga ishte futur nga brigjet shqiptare dhe ishte magazinuar në një depo në Puglia. Financierët e Guarda di Finanza ndërhynë në momentin që po bëhej shkëmbimi i drogës me eurot. Gjatë operacionit janë sekuestruar edhe një pistoletë, katër automjete (dy autovetura e dy furgonë) si dhe 32 mijë euro.
Mediat italiane shkruajnë se, një nga depot më të mëdha të magazinimit të drogës në Italinë Jugore u zbulua në Bisceglie, në Puglia, nga financierët e Njësisë së Policisë Ekonomiko-Financiare të Barit. Financierët ishin dëshmitarë në shkëmbimin e parave për blerjen e një sasie të madhe lëndësh narkotike: u sekuestruan edhe 32 mijë euro, katër makina dhe një pistoletë me municione. Në pranga ka përfunduar një shqiptar njëzetvjeçar me një pasaportë greke prej 20 vjetësh, një bashkatdhetari i tij 27-vjeçar dhe Benito Botta, një person me precedentë penalë i lagjes Libertà, 40 vjeç. Në operacion financierët, të mbështetur nga kolegët e Gico të Barit, gjithashtu identifikuan një depozitë në të cilën përpunohej droga dhe një vilë në fshatrat e Bisceglie, të cilën një nga dy shqiptarët e kishte marrë me qira.

Artikulli paraprakQeveria plaçkiti ARMO-n dhe e nxori në faliment!
Artikulli tjetërPolicia i dhunon, naftëtarët: Grevë si minatorët në 1992