SHBA-të dhe Rusia zotohen të përmirësojnë marrëdhëniet

Në vizitën e tij të parë në Rusi për herë të parë si sekretar shteti, Sekretari Pompeo u tha udhëheqësve rusë se Presidenti Donald Trump është “i angazhuar t’i përmirësojë marrëdhëniet” mes të dy vendeve.
“Secili nga vendet tona do të mbrojë interesat e veta, do të mbrojë interesat e popullit të vet.

Por ne nuk jemi të destinuar të jemi armiq për çdo çështje; shpresoj që të mund të gjejmë fusha me interes reciprok dhe të fillojmë vërtet të ndërtojmë marrëdhënie të forta, të paktën për ato çështhje”, tha Sekretari Pompeo.

Sekretari Pompeo tha se Uashingtoni nuk do të toleronte asnjë ndërhyrje nga Moska në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 në Shtetet e Bashkuara, duke thënë se në se një veprim i tillë do të ndodhte, kjo t’i dëmtonte seriozisht marrëdhëniet tashmë të dobëta mes të dy vendeve.

“I kam bërë të qartë Ministrit të Jashtëm Lavrov… se ndërhyrja në zgjedhjet amerikane është e papranueshme. Nëse rusët do të angazhoheshin ta bënin këtë në vitin 2020, kjo do ta bënte marrëdhënien tonë më keq sesa ka qenë. …Unë do t’i inkurajoja ata të mos e bëjnë këtë. Ne nuk do të tolerojmë një gjë të tillë”, – tha zoti Pompeo.

Përveç çështjes së zgjedhjeve amerikane, zoti Pompeo dhe zoti Lavrov patën debate edhe për Venezuelën. Ministri i Jashtëm rus kritikoi Uashingtonin për përpjekjen për të minuar Presidentin Nicolas Maduro, për të cilin sekretari Pompeo tha se duhet të japë dorëheqjen për shkak të krizës ekonomike dhe protestave në shkallë të gjerë kundër sundimit të tij.

Për Ukrainën, Sekretari Pompeo i tha zotit Lavrov se Shtetet e Bashkuara nuk do ta njohin aneksimin e Krimesë nga Moska në vitin 2014. Në konferencën e përbashkët për shtyp pas bisedimeve me zotin Lavrov, sekretari Pompeo tha se Uashingtoni është i gatshëm të rindërtojë marrëdhëniet e saj me Moskën, por pret që homologët e saj rusë të veprojnë me të me seriozitet.

Zoti Lavrov përdori një ton të ngjashëm:
“E kuptojmë që ka pasur një numër dyshimesh dhe keqkuptimesh nga të dyja palët. Por as ju, as ne nuk po fitojmë asgjë prej tyre. Përkundrazi, kjo armiqësi reciproke po rrit rreziqet e sigurisë për ju dhe për ne dhe ka shkaktuar alarm në gjithë komunitetin ndërkombëtar”, tha ai.

Zoti Pompeo tha se për çështjet e kontrollit të armëve dhe përhapjes bërthamore, si edhe për konflikte të tjera rajonale dhe terrorizmin, ka hapësira ku të dyja palët të fillojnë të ndërtojnë mirëkuptim.
Forcat ruse kanë ndihmuar ushtrinë siriane që nga viti 2015, ndërsa Irani ka qenë mbështetës i madh i presidentit Bashar al-Assad, duke u ofruar mbështetje dhe trajnim milicive shiite.

Takimet në Soçi pasojnë takimet e sekretarit Pompeo me aleatët evropianë me të cilët ai ndau të dhënat e zbulimit mbi atë që Shtetet e Bashkuara e cilësuan “kërcënim të përshkallëzuar” të Iranit duke akuzuar Teheranin se ka dështuar të zgjedhë bisedimet mbi kërcënimet.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini tha se ministrat e bllokut i thanë zotit Pompeo se shqetësimet e tyre kryesore ishin të ruanin paqen dhe zbatimi i marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me Iranin.

“Mike Pompeo e dëgjoi këtë shumë qartë këtë mesazh nga ne, jo vetëm nga unë por edhe nga ministra të tjerë të Bashkimit Evropian, që ne po jetojmë në momente jetike, delikate ku qëndrimi më i përgjegjshëm do të ishte një vetëpërmbajtje maksimale dhe shmangia e çdo shkallëzimi ushtarak.

Nga ana tjetër, siç kam pasur shansin të them ditët e fundit, ne vazhdojmë ta ftojmë Iranin që të përmbushë të gjitha angazhimet bërthamore dhe do të bëjmë tonën për zbatuar marrëveshjen bërthamore”, tha zonja Mogherini.

Paralajmërimet e Bashkimit Evropian lidhur me rritjen e tensioneve vijnë ndërsa Shtetet e Bashkuara që u tërhoqën nga marrëveshja ndërkombëtare për të tkurrur ambiciet bërthamore të Iranit, zhvendosën aeroplanmbajtësen USS Abraham Lincolndhe katër avionë bombardues B-52 në Lindjen e Mesme në përgjigje të shqetësimeve se Irani mund të jetë duke planifikuar një sulm kundër objektivave amerikane.

Udhëtimi i zotit Pompeo vjen disa javë para takimit të nivelit të lartë G-20 në Osaka të Japonisë, ku pritet të marrin pjesë si Presidenti amerikan Donald Trump ashtu edhe homologu i tij rur, Vladimir Putin.

Artikulli paraprakËshtë i mundshëm komunikimi në gjendje kome?
Artikulli tjetërMarrëveshja tregtare, Trump kërkon dialog me Xi-në