SHBA dhe Franca i hedhin poshtë pretendimet e Assadit

Departamenti amerikan i Shtetit i ka hedhur poshtë pretendimet e presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, se akuzat për sulm me armatim kimik nga forcat e tij, ishin “100% fabrikim” dhe e ka kritikuar Sirinë dhe aleatin e saj Rusinë, për përpjekje për “ta varrosur të vërtetën”.
Në një intervistë për agjencinë franceze të lajmeve, “AFP”, të publikuar dje, Assad tha se qeveria e tij i ka dorëzuar të gjitha armatimet kimike.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mark Toner, ka vlerësuar se pretendimet e Assadit janë “të stilit të Assadit”.
“Kjo është një përpjekje nga ai për të ngritur flamuj të rrejshëm, për të krijuar konfuzion. Sinqerisht, është taktikë që ne e kemi parë edhe nga pala e Rusisë, po ashtu”, tha Toner.
Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Marc Ayrault, tha se komentet e Assadit janë krejtësisht të rrejshme.
“Janë 100% të rrejshme dhe propagandë”, tha dje Ayrault gjatë vizitës në Kinë dhe ka shtuar se “është 100% mizori dhe cinizëm”, duke e pasqyruar terminologjinë, që është përdorur nga vetë Assadi.

Artikulli paraprak“Urdhri i Lirisë” për senatorin McCain në Kosovë
Artikulli tjetërKosovë, plane për sulme ndaj udhëheqësve politikë?