SHBA dënon dhunën ndaj protestuesve në Moskë

Në Rusi, policia ndaloi dje udhëheqësin e opozitës Alexei Navalny dhe dhjetëra mbështetës të tij gjatë protestave të antikorrupsionit në mbarë vendin që kishin në shënjestër Presidentin rus, Vladimir Putin dhe aleatët e tij.
Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se Shtetet e Bashkuara e dënojnë ndalimin e protestuesve të opozitës, si një shkelje e vlerave demokratike. “Shtetet e Bashkuara do ta ndjekin nga afër situatën dhe i bëjmë thirrje qeverisë ruse t’i lirojë menjëherë protestuesit paqësorë”, tha zëdhënësi.
Alexei Navalny, i cili ka deklaruar synimet e tij për të garuar kundër zotit Putin në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm, u ndalua para shtëpisë së tij në Moskë pak para fillimit të protestave në Moskë, Shën Petersburg dhe qyteteve të tjera të vendit.
Sipas medias dhe grupeve për të drejtat e njeriut, policia ka ndaluar rreth 120 vetë në protestat e zhvilluara në kryeqytetin e vendit dhe më shumë se 130 të tjerë në Shën Petersburg. Më shumë se tre mijë njerëz protestuan në qytetin siberian të Novosiberskit, ndërkohë që janë zhvilluar protesta edhe në Soçi, Kranojarsk, Tomsk dhe Vladivostok.
Zyrtarët rusë i paralajmëruan protestuesit të shmangin “provokimet dhe veprimet e paligjshme”.
Alexei Navalny është një kritik i Presidentit rus, Vladimir Putin, duke e akuzuar atë dhe zyrtarë të tjerë për korrupsion.

Artikulli paraprak5330 ushtarë të NATO-s stërviten në Lituani
Artikulli tjetërBiznesi kërkon taksa të ulëta dhe ministri të vetën