SHBA: Apeli lë në fuqi pezullimin e urdhrit ekzekutiv për imigracionin

Gjykata e Apelit në San Françisko vendosi të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, i cili pezullonte përkohësisht urdhrin e presidentit Trump për të mos lejuar udhëtimin në Shtetet e Bashkuara të qytetarëve nga 7 vende me shumicë myslimane.
Fati i urdhrit presidencial pritet të vendoset përfundimisht nga Gjykata e Lartë.
Javën e kaluar gjykatësi James Robart vendosi të pezullojë përkohësisht urdhrin ekzekutiv të presidentit. Presidenti Trump u kundërpërgjigj me nervozizëm në Twitter, duke e cilësuar gjykatësin Robart “i ashtuquajtur gjykatës”, i cili “mori një vendim qesharak” që do të lejojë “shumë persona të këqinj dhe të rrezikshëm të hyjnë në vendin tonë”.
Avokati i Shtëpisë së Bardhë argumentoi para Gjykatës së Apelit se urdhri ekzekutiv ishte brenda kompetencave që Kongresi dhe Kushtetuta i kanë dhënë presidentit.
Çështja pritet të kalojë në Gjykatën e Lartë, e cila ka një vend bosh dhe kandidati i emëruar nga presidenti së fundmi për ta plotësuar atë, nuk ka të ngjarë të konfirmohet nga Senati në kohë për të votuar për këtë çështje. Gjykata e Lartë aktualisht është me 8 anëtarë, katër me prirje konservatore dhe 4 me prirje liberale.
Urdhri ekzekutiv nga ana tjetër ishte i vlefshëm vetëm për 90 ditë dhe ekziston mundësia që afati të skadojë para se Gjykata e Lartë të arrijë të diskutojë për të.

Artikulli paraprakBE kërkon qeveri me bazë të gjerë në Maqedoni
Artikulli tjetërTrump: Senatori demokrat shtrembëroi komentet e gjykatësit Gorsuch