Shans për një dialog serioz mes dy Koreve

Bisedimet për Lojërat Olimpike Dimërore mes Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut janë një shans i ri për një dialog serioz për paqen.
Gjatë dy viteve të fundit nuk ka pasur bisedime të drejtpërdrejta midis Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut. Ndërkohë udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim, bëri në fjalimin e tij për Vitin e Ri një ofertë për bisedime dhe ofroi të dërgojë atletë koreano-veriorë për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore në Pjeongçang, të cilat fillojnë brenda pak javësh. Po ashtu u riaktivizua edhe lidhja e posaçme telefonike mes Phenianit dhe Seulit zyrtar.

Në krye të delegacioneve persona të rëndësishëm
Përfaqësuesit e të dyja palëve zhvilluan edhe takimin e tyre të parë në fshatin Panmunjom të Koresë së Jugut, që gjendet në rajonin kufitar mes dy vendeve. Madje ato arritën edhe një marrëveshje për pjesëmarrjen e sportistëve.
Eksperti për Korenë Hartmut Koschyk, tha në një intervistë për radion publike gjermane DLF, se “kjo tregon se midis dy vendeve ka një shans për një dialog serioz”. Delegacionet e të dyja palëve udhëhiqen nga persona të rëndësishëm. Sidomos delegacioni koreano-verior, i cili drejtohet nga Ri Son-Gvon një person tepër i besuar i Kim Jong-Unit. Megjithatë sipas ekspertit Hartmut Koschyk nuk mund të pritet ndonjë zgjidhje e shpejtë në mosmarrëveshjet për programin bërthamor koreano-verior. Sipas ekspertit Koschyk, të dy vendeve u duhet dhënë kohë në këtë çështje.

Nuk priten zgjidhje të shpejta
Bisedimet u përqendruan fillimisht tek Lojërat Olimpike, të cilat duhet të shndërrohen “në lojëra olimpike të paqes”. Megjithatë, në planin afatgjatë, çështja e programit bërthamor nuk mund të përjashtohet edhe nga këto bisedime. Sipas ekspertit Hartmut Koschyk përmes këtyre bisedimeve Koreja e Veriut synon që, duke bashkëpunuar me Korenë e Jugut të vazhdojë nga njëra anë zhvillimin ekonomik të vendit dhe nga ana tjetër të jetë në gjendje të bisedojë me SHBA-në në kushte të barabarta.

Artikulli paraprakCavusoglu: Rusia dhe Irani t’i ndalin sulmet e Sirisë në Idlib
Artikulli tjetërOfensiva diplomatike serbe kundër njohjeve të Kosovës