Sfida e Viktor Orban për Sorosin dhe BE

Thomas D.Williams

Kryeministri hungarez, Victor Orban, mbajti një fjalim mbresëlënës përpara Parlamentit Europian ditën e mërkurë, duke theksuar me këmbëngulje të drejtën e Hungarisë për t’u vetëqeverisur dhe për të mbrojtur veprimet që kërkon të marrë qeveria sovrane në lidhje me emigracionin dhe kundër spekulatorit financiar amerikan, Xhorxh Soros.
“Jam i ndërgjegjshëm se pushteti, përmasat dhe pesha e Hungarisë është shumë herë më e vogël krahasuar me atë të spekulatorit financiar, Xhorxh Soros, i cili tani ka vendosur të sulmojë hapur Hungarinë”, tha Orban gjatë fjalimit të tij. “Pavarësisht se ka shkatërruar jetën e miliona e miliona europianëve me spekulimet e tij, pavarësisht se është penalizuar në Hungari për spekulime dhe është një armik i hapur dhe i betuar i euros, është përsëri i lavdëruar dhe i mirëpritur nga liderët e lartë të Bashkimit Europian”, tha ai.
Fjalimi i kryeministrit hungarez ishte ndërtuar mbi komentet që ai ka bërë gjatë intervistës së tij në ditën e Pashkëve me Magyar Idok, intervistë në të cilën ka theksuar qartë motivet që e kanë shtyrë Hungarinë drejt mosbesimit ndaj Xhorxh Sorosit dhe aktiviteve të tij të errëta. “Nuk mund të ketë asnjë privilegj special dhe askush nuk mund të qëndrojë mbi ligjin, as njerëzit e Xhorxh Sorosit”, tha Orban.
Përmes organizatës së tij që operon prej kohësh në Hungari, edhe pse e fshehur nuk syri i publikut, u shpreh kryeministri, “Xhorxh Sorosi është duke shpenzuar sasi të pakufizuara parash për të mbështetur emigracionin e jashtëligjshëm. Për të ndjekur interesat e tij, Soros paguan një sërë organizatash lobuese që operojnë nën petkun e rremë të shoqërisë civile”.
Orban tha gjithashtu se, Sorosi ruan një rrjet të rregullt propagandues me promovuesit e tij, mediat e tij, me qindra e qindra njerëz të punësuar dhe me universitetin e tij. “Unë jam i bindur se Xhorxh Sorosi nuk duhet nënvlerësuar në asnjë moment”. “Ai është një miliarder tepër i fuqishëm me një vendosshmëri të jashtëzakonshme dhe që, kur bëhet fjalë për interesat e tij, Xhorxh Soros nuk ndalet përpara Zotit dhe as përpara njeriut”, tha ai.
Në fjalimin e tij përpara Parlamentit Europian ditën e mërkurë, Viktor Orban tha se qëndrimi që është duke mbajtur kokëfortësisht qeveria hungareze është tërësisht i kundërt me qëllimet e Komisionit Europian në lidhje me emigracionin. “Pozicioni ynë është i qartë: ne nuk duam dhe nuk mendojmë se është në përputhje me traktatet themeluese të Bashkimit Europian, që vendi ynë të detyrohet me çdo kusht që të pranojë emigrantë”, tha ai. “Vendimi se me kë duam të jetojmë brenda territorit tonë është vetëm në dorë të qytetarëve hungarezë”.
Kryeministri i Hungarisë tha se ishte tepër e rëndësishme të theksohet fakti që Xhorxh Sorosi dhe OJQ-të e tij duan të transportojnë një milion emigrantë brenda Bashkimit Europian çdo vit. Ai e ka prezantuar publikisht dhe personalisht këtë program, madje ofron edhe hua financiare për ta realizuar këtë.
“Ne, populli hungarez, e refuzojmë kategorikisht këtë”, tha Orban. “Ne nuk duam në asnjë mënyrë të humbasim të drejtën tonë kombëtare mbi shërbimet publike, sepse kemi frikë se kjo do të rriste akoma më shumë barrën mbi popullin dhe do të çonte edhe një herë në rritje drastike të çmimeve, faktorë nga të cilët populli hungarez ka vuajtur mjaftueshëm tashmë”.
Në lidhje me ligjin për funksionimin e aktiviteteve të organizatave joqeveritare (OJF), Orban tha se propozimi hungarez ndjek shembullin amerikan. Pyetja më e ndërlikuar, tha ai, është se si mund të arrijmë t’i bëjmë sa më transparente operacionet e lobeve të huaja të fuqishme, të cilët kërkojnë të influencojnë vendimmarrjen demokratike.
“Legjislacioni hungarez është i ndërtuar mbi principin e qartësisë dhe transparencës. Nuk duam asgjë tjetër veçse të jemi të aftë të dimë në çdo kohë se çfarë sasie parash dhe cilat motivacione fshihen vërtet pas OJQ-ve që operojnë në Hungari. Kjo nuk shkel aspak të drejtat e tyre kushtetuese për t’u dëgjuar, për të përfaqësuar interesat e tyre dhe për t’u organizuar në liri të plotë”, tha ai.
Orban tha se hungarezët janë në favor të “bisedimeve të drejtpërdrejta” dhe i refuzojnë të gjitha përpjekjet e errëta për t’u fshehur pas gjuhës diplomatike kur diskutohen çështje të rëndësishme. “Ne flasim qartë dhe pa dykuptime në mënyrë që kushdo të arrijë të kuptojë, edhe pse e dimë se kjo mund të mos i tërheqë të gjithë”, tha ai. “Ne jemi gjithashtu të irrituar nga gjuha e kufizuar politike, që nuk arrin t’i japë gjërave emrin e tyre, strategji që është përhapur së tepërmi në jetën publike europiane të kohëve të fundit”.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakMe çfarë do të përballet Britania përpara Brexit?
Artikulli tjetërMesazhi tjetër nga SHBA