Sfida e sulmeve të frikshme

Nuk është El Clasico, por ndoshta ka shijen e një sfide të tillë. Barcelona-Atletico Madrid, vitet e fundit është rikthyer një sfidë që rëndon shumë në peshoren e La Ligas dhe kjo për meritë të “Los Colchoneros”. Ringritja e madrilenëve gjatë viteve të fundit falë punës së bërë nga Diego Simeone ka ndikuar padyshim në tablonë e futbollit spanjoll që tashmë është bërë trepolar. Nëse gjatë viteve 2000, Barcelona dhe Reali i Madridi ia linin stafetën njëri-tjetrit me ndonjë përjashtim të vogël herë pas here, gjatë 5 viteve të fundit, Atletico Madrid është rikthyer në vendin që i ka rezervuar historia. Skuadra “Rojiblancos” nuk konsiderohet më si ekipi fatkeq i Madridit i detyruar për të mbijetuar nën hijen e Realit, sepse Diego Simeone i ka rikthyer madhështinë falë një filozofie të qartë. Kampionët e Spanjës dhe nënkampionët e Europës shkelin gazin në maksimum, pasi “Camp Nou” pret sfidën më të fortë të javës së 5.
Dy ndjekëset e Realit të Madridit përballë njëra-tjetrës në testin e parë të vërtetë të sezonit prezantojnë armatimin e rëndë. Tredhëmbëshi i Barcelonës kundër atij të Atleticos. Mesi, Luis Suarez dhe Neymar me 13 gola në 9 ndeshje dhe 35 në total ndaj Atleticos, kundër Griezmann, Gameiro e Torres me 11 gola në 8 sfida. Në total, e famshmja MSN ka një mesatare prej 69% të golave të shënuar në radhët e Barcelonës dhe nëse vazhdon me këtë ritëm, nuk është aspak çudi që në fund të sezonit ata të thyejnë rekordin personal me 131 rrjeta sezonale në kampionat. Mesi, Suarez dhe Neymar e gjetën që të tre rrugën e rrjetës në sfidën e fundit ndaj Leganes, ashtu si edhe Torres, Grizmann e Gameiro ndaj Gijonit. Gjithsesi, Simeone nuk e ka thënë ende fjalën e fundit në lidhje me Torres, i cili nuk e ka ende vendin e sigurt në 11-shen titullare. Mund të jetë belgu Carrasco njeriu që “El Cholo” mund të hedhë në fushë. Sezoni më frytdhënës i treshes blaugrana ndaj “Los Cholconeros” është 2014-2015 me Barcelonën që arriti të triumfonte në dy përballjet e kupës dhe dy të kampionatit.
Atletico e theu mallkimin vetëm një sezon më pas në çerekfinalen e UEFA Champions League ku eliminoi skuadrën e Luis Enriques. Simeone e pranon hapur, se është Neymar lojtari që do të dëshironte në skuadër, por braziliani edhe këtë herë do të kërkojë ta dëmtojë sa më shumë ekipin madrilen dhe ndoshta është Griezmann njeriu që do ta frymëzojë Atleticon edhe pse ai nuk ka arritur ende të shënojë në mitikun “Camp Nou”. Francezi e ka ndëshkuar Barcelonën vetëm me fanellën e Real Sociedad, ndërsa Gameiro nuk ka festuar ende asnjë gol ndaj katalanasve dhe ku i dihet, ndoshta fanella e Atleticos mund të jetë e duhura për të gjetur rrugën e rrjetës në një prej ndeshjeve më të rëndësishme të sezonit. Spanja prezanton një tjetër klasike të aksit Barcelonë-Madrid, këtë të mërkurë në orën 22:00 janë “Los Colchoneros”, ata që synojnë goditjen e madhe përpara 99 mijë të pranishmëve në “Camp Nou”.

Artikulli paraprakAbramovich i pakënaqur me Conten
Artikulli tjetërSimeone: Në Barcelonë, e vështirë