Sfida e parë e Macronit

Franca nuk është ajo e balotazhit dhe është e rëndësishme që të gjithë ta kuptojnë para se të arrijnë në përfundime të lehta.
Balotazhi vendoste votuesit përballë me një zgjedhje, e bardha kundër të zezës, një histori politike kundër një tjetre dhe shumë francezë nuk e pranuan. Kjo nuk ishte një sfidë që mund të entuziazmonte, as të zhgënjyerit e të majtës, as konservatorët antisocialistë.
Kjo ishte një zgjedhje mes të “keqes më të vogël” dhe francezët kanë zgjedhur atë, që sipas tyre, ishte më pak keq. Sepse balotazhi është kjo, ose më saktë, edhe kjo. Ka një elektorat që shkon kompakt për të konfirmuar kandidatin e tij të raundit të parë, pastaj është një shumicë zgjedhësish që reshtohen me atë që, pak a shumë, përfaqëson më mirë interesat e veta.
Pra, Franca e raundit të dytë nuk është Franca e vërtetë. Kjo është Franca rezervë, si një lloj ndryshimi formacioni, pasi është luajtur sfida e vërtetë. Pasi në raundin e parë u manifestua Franca e vërtetë, e thellë dhe e gatshme për të treguar vetveten. Dhe kjo është një Francë, e cila nuk është ajo e Macronit. Është një tjetër vend, i cili është në fakt ai që doli nga raundi i parë dhe pjesërisht, edhe nga balotazhi. Dhe është vendi që ka zgjedhur në masë për ndryshimin e politikës dhe për euroskepticizmin. Milionat e votave të Marine le Penit, Dupont-Aignan, ato 19% të Melenchon në raundin e parë, miliona vota të shpërndara në mozaikun e partizave antisistem, janë një tjetër Francë, e cila vendoset kundër europeizimit që kërkon Macroni.
Pra, ka një vend që është tashmë kundër Presidentit. Ai vend që ishte kundër Presidentit në ikje, Hollande dhe tani, natyrisht, nuk do të mbështesë Macronin, i cili tani ka përpara një sfidë të madhe, të vështirë, interesante dhe të rrezikshme: të bindë Francën. Kombi, të cilin do të komandojë është, në fakt, i ndarë, i tronditur, i frustruar dhe nuk e sheh tek ai garanci që mund të ringrihet në këmbë. Punëtorët, fshatarësia, periferitë, sipërmarrja e vogël dhe zejtaria, shkojnë tani në qendër të programit politik të një presidence si ajo e Macronit. Sepse pikërisht aty nis pakënaqësia dhe aty mund të rritet dhe të bëhet shpërthyese, sidomos nëse mban parasysh testin shumë delikat të zgjedhjeve legjislative të qershorit.
Shenjat e pamundësisë për të pranuar kundërshtarin si president, tashmë janë shumë. Protestat, trazirat, përplasjet, fyerjet tregojnë se detyra e vërtetë dhe më e vështirë e Emmanuel Macronit, do të jetë para së gjithash të bindë francezët dhe nuk do të jetë e lehtë. Abstenimi, fletët e bardha dhe të pavlefshme dhe milionat e votave për Marine le Pen, tregojnë se ka një pjesë të rëndësishme të vendit, që nuk është e gatshme të pranojë Macronin, si të keqen më të vogël. Dhe kjo është e drejtë, sepse demokracia është edhe kjo.
Në Paris, tani fryn era e macronizmit. Do të na e pikturojnë Francën si një vend i iluminuar, racional, i lidhur me vlerat e BE-së dhe republikanizmit francez. Mediat kombëtare glorifikonin që më parë “djaloshin” pasardhës të establishmentit dhe do ta bëjnë sërish, ndërsa shtypi ndërkombëtar, pasi u shmang rreziku i rënies së Francës në duart e të djathtës ekstreme, mund  të vazhdojë i qetë “lundrimin” në ujëra të qeta.
Por duhet të jemi shumë të matur. Franca nuk është ajo që shkoi të votojë në balotazh. Edhe vetëm fakti që i ashtuquajturi “pakti republikan” dështoi në qëllimin për të shkatërruar konsensusin për Marine le Penin, tregon pa asnjë hije dyshimi, se ekziston një vend i thellë dhe se ky vend nuk gjendet në “start-up”-et e Macronit, as në përpjekjet e tij për të iluminuar botën me financën e lartë. Tani ka ardhur momenti për Macronin, që të tregojë se edhe ai është i vetëdijshëm.

Reagimet e liderëve botërorë
“Sot fillon një epokë e re e shpresës dhe besimit për Francën”, shkruajti në Twitter Presidenti i ri francez për “AFP”.
“Presidenti është Emmanuel Macron”. Pas njoftimit të dhënë nga televizioni francez, afro 5,000 militantë “En marche!” u mblodhën përpara Luvrit në Paris, duke shpërthyer në brohorime gëzimi dhe festë, duke valëvitur flamujt tringjyrësh të Francës. Macron u është bashkuar pas orës 21.00, për të festuar bashkë me ta në skenën e madhe të instaluar në qendër të Esplanade, të mbushur plot e përplot.
“I telefonova Macronit për ta përgëzuar. E urova për sfidat e pafundme që do të përballojë”. Këto ishin fjalët e para të Marine le Pen, pas daljes së rezultateve. “Francezët kanë zgjedhur për vazhdimësinë”, tha ajo duke pranuar humbjen. “Për ne kjo është një arritje historike”, që “e vendos Frontin Nacional si forcë e parë opozitare”, shtoi Marine le Pen. “Unë dua të siguroj francezët që zgjodhën të më japin votën. Dua të falënderoj të gjithë ata që më kanë ndjekur dhe që kanë bërë një zgjedhje kurajoze dhe themelore”, shtoi ajo. “Dua të falënderoj 11 milionë francezë, të cilët më kanë dhënë besimin e tyre”, tha Marine le Pen. “Unë do të punoj për të mbledhur edhe më shumë njerëz, në mesin e atyre që duan të zgjedhin Francën”.
Të menjëhershme kanë qenë reagimet e udhëheqësve të botës pas zgjedhjes së Emmanuel Macron. “Përshëndetje të përzemërta për Emmanuel Macronin. Fitorja e tij është një fitore për një Europë të bashkuar”, shkruajti në Twitter zëdhënësi i Angela Merkel, Steffen Seibert. “Urime për Emmanuel Macron! I kënaqur që francezët kanë zgjedhur një të ardhme evropiane”, tani “së bashku për një Evropë më të fortë dhe më të drejtë”, është mesazhi i Presidentit të Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.
“Urime për Emmanuel Macron, ne presim një Francë që të ndihmojë të ndryshojë Bashkimin, për ta afruar me popullin!”, ka shkruar në Twitter presidenti i Parlamentit Europian, Antonio Tajani. Edhe Theresa May ka nxituar për të uruar Emmanuel Macronin, për zgjedhjen si president i Francës.
“Urime për Emmanuel Macron dhe francezët, të cilët kanë zgjedhur lirinë, barazinë dhe vëllazërinë dhe i thanë ‘jo’ tiranisë së ‘lajmeve të rreme’”, tha Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk në Twitter.
Matteo Renzi, Kryeministër i Italisë ka shkruajtur në Twitter: “Fitorja #Macron shkruan një faqe të jashtëzakonshme shprese për Francën dhe për Europën #EnMarche #incammino.!”.

Artikulli paraprakForcat ajrore afgane godasin objektivat e IS-it
Artikulli tjetërBëhuni pjesë e konsensusit ose përballuni me popullin