Serbia dorëzon kërkesën për ekstradimin e Haradinajt

Autoritetet serbe thanë dje se kanë dërguar në Francë kërkesën për ekstradimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, të cilin Beogradi e akuzon për krime lufte.
Gjykata në qytetin Colmar në Francën Lindore, duhet të shqyrtojë kërkesën para se të marrë një vendim për zotin Haradinaj, i cili po mbahet në paraburgim në atë qytet që nga 5 janari kur u ndalua në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga autoritetet serbe 13 vjet më parë.
Ndalimi i tij nxiti reagimin e institucioneve dhe partive politike në Kosovë, të cilat bënë thirrje për lirimin e tij të menjëhershëm, ndërsa tashmë avokatët mbrojtës kanë bërë edhe kërkesën zyrtare për lirimin e tij. Për të enjten është paralajmëruar një seancë rreth zotit Haradinaj.
Të martën Parlamenti i Kosovës hodhi në debat çështjen Haradinaj duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të tij. Kjo nuk është hera e parë që zoti Haradinaj ndalohet në bazë të një urdhërarresti serb.
Në qershor të vitit 2015 ai u ndalua në Aeroportin e Lubjanës, në Slloveni, derisa po kthehej nga një vizitë zyrtare në Berlin.
Autoritetet në Kosovë kanë kërkuar disa herë nga policia ndërkombëtare, Interpol që mos merren parasysh fletarrestimet e lëshuara nga autoritetet e Serbisë për qytetarët e Kosovës. Kërkesat kishin pasuar disa raste nëpër aeroporte të drejtuesve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bazë të fletarrestimeve të lëshuara nga Beogradi.
Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga një numër shtetesh që janë edhe pjesë e Interpolit e vështirëson shumë edhe bashkëpunimin e saj me këtë organizatë.
Ramush Haradinaj, dy herë është shpallur i pafajshëm për të gjitha akuzat për krime lufte në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë.
Ai dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të vendit më 8 mars të vitit 2005 për t’u dorëzuar vullnetarisht në Gjykatën e Hagës, Prokuroria e së cilës e akuzonte atë dhe dy bashkëluftëtarë të tij për krime lufte.
Procesi kundër zotit Haradinaj filloi më 5 mars të vitit 2007 dhe përfundoi në prill të vitit 2008 me pafajësinë e tij. Zoti Haradinaj u rikthye në rigjykim të pjesshëm në korrik të vitit 2010, që ishte rasti i parë i atij lloji në veprimtarinë e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte në hapësirat e ish-Jugosllavisë.
Më 29 nëntor të vitit 2012 ai sërish u shpall i pafajshëm.
Ndalimi i tij në bazë të urdhërarrestit serb ka shtuar tensionet në marrëdhëniet edhe ashtu të vështira ndërmjet Kosovës, e cila shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008 dhe Serbisë që vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e saj, megjithëse është përfshirë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën në shkëmbim të afrimit me Bashkimin Evropian.
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, tha se vendi i tij ka marrë informacione se, “diaspora shqiptare po përgatitet”, siç tha “për marrjen e përfaqësive diplomatike-konsullore serbe, me qëllim të detyrimit të Serbisë që të heqë dorë nga ndjekja e Ramush Haradinajt”.
Ai tha se këtë informacion Serbia e ka marrë nga agjencitë perëndimore të sigurisë.
Deklaratat e tij u dënuan ashpër nga Ministria e Jashtme e Kosovës, e cila “i konsideron ato nxitëse, tendencioze dhe që kanë për qëllim ta mbajnë në tension rajonin. MPJ vlerëson se kjo është gjuhë e viteve ‘90 dhe e frikës kur Serbia i orkestronte vetë sulmet që ua atribuonte të tjerëve. Për Ministrinë e Jashtme të Kosovës deklaratat e Daçiçit janë të papranueshme dhe si të tilla të paqëndrueshme. Ato janë nxitëse dhe tendencioze, të cilat i kontribuojnë destabilizimit dhe prishjes së procesit të normalizimit të marrëdhënieve. Në këto rrethana, akte të tilla të dhunës mund të orkestrohen nga vetë shteti serb, në mënyrë që t’i atribuohen pastaj diasporës shqiptare”, thuhet në një reagim të Ministrisë së Jashtme të Kosovës.

Artikulli paraprakPikëpyetjet e arrestimit të Haradinajt
Artikulli tjetërKompanitë call center largohen drejt Rumanisë?