Serbia do të mbajë zgjedhjet parlamentare me 21 qershor

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha të hënën mbrëma se zgjedhjet parlamentare dhe ato për pushtetin lokal në Serbi do të mbahen më 21 qershor.

Zgjedhjet parlamentare që shihen si shumë të rëndësishme për forcimin e pushtetit të Partisë së tij Përparimtare, qenë caktuar për 26 prill por u shtynë për shkak të pandemisë së koronavirusit. Më 15 mars, autoritetet serbë shpallën gjendjen e jashtëzakonshme e cila është ende në fuqi, por pritet që të hiqet të mërkurën.

Serbia ka konfirmuar mbi 9 mijë e 500 raste të të infektuarve me koronavirus dhe 197 viktima.

Vendimi për zgjedhjet pasoi një takim të presidentit serb me përfaqësuesit e partive politike, që kanë paralajmëruar pjesëmarrjen në zgjedhjet e reja.

Pjesa më e madhe e partive opozitare në Serbi ka vendosur të bojkotojë zgjedhjet, duke akuzuar presidentin serb për sundim autokratik, shkelje të lirisë së medies, sulme ndaj veprimtarëve të opozitës, korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar.

Presidenti serb dhe mbështetësit e tij që mbajnë shumicën në parlamentin me 250 vende, i kanë mohuar vazhdimisht pohimet e tilla.

Artikulli paraprakItalianët i kthehen shijes së kafesë në lokale
Artikulli tjetër5 kërkesat e Bashës: Ndërhyrje e menjëhershme e qeverisë në mbështetje të Turizmit