Sekuestrohen në Itali 4.5 ton marijuanë e 36 kg kokainë, droga nisej nga Durrësi me gomone të shpejtë

Katër ton e gjysmë marijuanë, 36 kilogramë kokainë, 62 kilogram hashash dhe 4 litra vaj hashashi, janë sekuestruar në Itali gjatë një super aksioni të policisë.

Duke iu referuar autoriteteve italiane bëhet e ditur se gjatë aksionit ku morën pjesë 100 agjentë të policisë, janë arrestuar 5 shqiptarë dhe 9 italianë. Mes të arrestuarve është edhe ‘kapoja’ i bandës që kishte krijuar një rrjet mjaft inteligjent trafikantësh.

Mes të tjerash thuhet se grupi kishte në zotërim gomone të shpejta që niseshin nga Durrësi për të përfunduar në bregdetin italian të Adriatikut me ngarkesa.

“Selia” e organizatës kriminale ishte në një garazh brenda në Torino, në pronësi të një prej shqiptarëve të bandës.

Vlera e drogës së sekuestruar besohet të arrijë në 8 milionë euro. Sipas mediave italiane, droga përveç Shqipërisë vinte edhe nga Amerika e jugut dhe kryesisht ishte e destinuar për në Torino. Një nga të arrestuarit akuzohet edhe për shfrytëzim prostitucioni.

Ndërkohë policia italiane ka publikuar edhe skemën se si droga arrinte nga Amerika e Jugut në  Holandë dhe më pas në Torino të Italisë.

Artikulli paraprakBerisha: Rama nuk i do standardet e prokurimit të BE sepse i ngushtohet hapësira për të vjedhur
Artikulli tjetërRritet frikshëm numri i të prekurve nga koronavirusi në Itali, 587 raste brenda ditës