Sektorët ku shqiptarët punojnë më pak

Punonjësit në hotele, bare-restorante, shërbim ushqimor nuk duket se e “justifikojnë” pagën e tyre, edhe pse ata mund të rezultojnë ndër më pak të paguarit. Nga matjet që ka bërë INSTAT për produktivitetin në punë në Shqipëri, ka gjetur se punonjësit në sektorin e akomodimit dhe shërbimit ushqimor kanë produktivitetin më të ulët, të matur si raport i vlerës së shtuar me punësimin. Kjo konstatohet si te ndërmarrjet e mëdha, me më shumë se 250 punonjës, ashtu dhe te bizneset mikro, me 1 deri në 9 të punonjës. Ndërsa më të papërtuar janë punonjësit e sektorit të ndërtimit, sidomos në bizneset e vogla dhe ata të nxjerrjes së naftës te sipërmarrjet e mëdha.
Në sektorin e akomodimit dhe restoranteve për mikrondërmarrjet (1-9 punonjës) produktiviteti i matshëm për punonjës është 279 mijë lekë në vit. Bizneset e tregtisë rezultojnë më eficiente, me një nivel produktiviteti për të punësuar prej 564 mijë lekësh në vit. Edhe tek sipërmarrjet e mëdha, sektori i akomodimit dhe restoranteve ka një produktivitet prej 553 mijë lekë në vit. Më eficiente në këtë sektor janë bizneset me 25-249 punonjës, me produktivitet prej 705 mijë lekësh në vit.
Në fakt, produktiviteti i ulët në këtë sektor, më shumë se “dembelizëm” të punonjësve, reflekton vlerën e ulët të shtuar që ka akomodimi dhe restorantet, një biznes ky i preferuar për shumë shqiptarë. Një kërkim i mëparshëm i “Monitor” gjeti se shteti i dytë në botë pas Spanjës për numrin më të lartë të bar-kafeve për 100 mijë banorë është vendi ynë. Teksa në vend kishte gjithsej 104 mijë biznese në fund të 2015-s, në mënyrë unike rreth 18% e totalit të bizneseve në Shqipëri janë bar-kafe dhe restorante. Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, numri i bar-kafeve në Shqipëri në fund të vitit 2015 ishte 13,612. Me një popullsi prej 2.88 milionë banorësh, Shqipëria ka 473 bar-kafe për 100 mijë banorë. Shteti i vetëm në botë që na e kalon është Spanja, i cili renditet si vendi me numrin më të lartë të bar-kafeve në botë, në raport me popullsinë. Në Spanjë ka 270 mijë bar-kafe për 46 milionë banorë apo 587 bar-kafe për 100 mijë banorë, shumë më i lartë se vendet e tjera, që në pjesën më të madhe kanë më pak se 200 bar-kafe për 100 mijë banorë, sipas statistikave globale.

Artikulli paraprakKosovë, punëtorët “pa letra” vërshojnë tregun e punës
Artikulli tjetërEurostat: Shqipëria, me më pak rrugë e hekurudha në rajon