“Sekretet e Luftës”, një libër për të panjohurat historike

Gazetari dhe studiuesi Erald Kapri promovoi të mërkurën librin “Sekretet e luftës”, bazuar mbi një mori dokumentash të nxjerra për herë të parë nga arkivat britanike, që i sjellin në dritë ngjarjet aq shumë të debatuara. Ky botim erdhi falë Institutit të Studimeve Historike “Lumo Skëndo”, i drejtuar nga historiani Uran Butka.
Në libër, autori rrëfen arsyen thelbësore të fshehjes së këtyre sekreteve nga qeveria komuniste. Kapri tha se, bëhet fjalë për 150 dokumente të rrallë, të cilët flasin për raportin gjatë luftës. Britanikët kanë një farë rëndësie të madhe për Shqipërinë, për shkak se aty erdhën 150 oficerë britanikë që luftuan për një vit e gjysëm dhe sollën një sasi parash dhe ndihmash në mënyrë kolosale.
Prof.Dr Romeo Gurakuqi vlerësoi këtë botim. “Përmbledhja dokumentare, “Sekretet e Luftës”, Shqipëria tjetër në dokumentet britanike”, e studiuesit Erald Kapri, është një botim shumë i rëndësishëm, që do të ndihmojë në kuptimin dhe saktësimin e ngjarjeve historike të kohës së Luftës së Dytë Botërore dhe viteve menjëherë pas saj. Erald Kapri është ndër njohësit më të mirë të Historisë së periudhës nga pranvera 1943 deri në instalimin e plotë të diktaturës komuniste. Kaprin gjithashtu e vlerësoj si njeri, si një studiues serioz dhe bashkëpunues, të hapur për debat shkencor dhe të karakterizuar nga një mirësi e spikatur për kohën tonë. Botimi i këtij dokumentacioni, përbën një ngjarje të rëndësishme shkencore”, tha Gurakuqi.
Historiani Uran Butka e vlerësoi botimin si një ngjarje të rëndësishme për historinë shqiptare. Deputeti Agron Shehaj, i cili është mbështetësi i Institutit “Lumo Skëndo”, tha se, ky institut do të vazhdojë të mbështesë studiuesit shqiptarë për të zbardhur të vërtetën historike, si një kontribut që i jepet shoqërisë shqiptare.
Gjatë promovimit morën pjesë personalitete të njohura të politikës shqiptare, si kreu i opozitës Lulzim Basha, ish-Presidenti Nishani, Princi Leka, historianë, studiues, gazetarë, etj.
Në vitet ‘43 dhe ‘44, 150 ushtarakë britanikë morën pjesë në misione në Shqipëri. Ata shpenzuan dhe dhanë shpërblime rreth 120 mijë monedha ari, që nëse i konvertojmë sot, janë mbi 30 milionë paund britanikë. Mbi 2300 tonë ndihma materiale ushtarake. Ndihma britanike përcaktoi fituesin në Shqipëri, sepse pjesën më të madhe të tyre e mori lëvizja komuniste.
Rasti shqiptar vijon të jetë ende i debatuar në historiografinë britanike. Si ndodhi që Britania financoi dhe mbështeti luftën guerile në Shqipëri nuk arriti ta përdorë këtë kapital? Pse Britania e Madhe nuk mundi të ndajë qartazi Shqipërinë nga blloku i Lindjes? Dokumentacioni britanik në këtë botim jep një panoramë të plotë të kësaj enigme historike.
Këto dokumente hedhin dritë për disa ngjarje që ende sot mohohen apo thuhen me gjysëm zëri. Në Shqipëri nuk ka pasur vetëm luftë nacionalçlirimtare, por ka pasur luftë, e madje edhe luftë civile. Kjo e pohuar nga dokumentacioni britanik i kohës.
“Sekretet e Luftës janë një përpjekje 4-vjeçare kërkimi dhe leximi të mëse 20 mijë faqeve dokumente të Arkivit Britanik. Janë përfshirë 150 dokumente dhe fotografi, të cilat japin një panoramë të plotë të ngjarjeve kryesore të luftës. Dokumente të zyrës së kryeministrit Çurçill, të ministrisë së Jashtme britanike, të Ministrisë së Luftës, të Shërbimeve Sekrete dhe të SOE-s, zyrës speciale që ngriti kryeministri britanik për luftën në prapavijë”, tha Kapri.
Britanikët mbajnë në arkivin e tyre një dokumentacion thelbësor për të kuptuar luftën shqiptare. Ky botim ka të plotë shënimet e Çurçillit për Shqipërinë ku jepen disa të vërteta tronditëse. Në takimin më të rëndësishëm të shekullit të kaluar, Konferenca e Moskës, ku perëndimi ndau me Moskën influencë në Ballkan, Shqipëria u harrua. “E keni menduar ndonjëherë se, Enver Hoxha kishte kontakte me gjermanët dhe të kishte një marrëveshje me ta? Po që Stalini kërkonte që Mbreti Zog të mos shkelte më në Shqipëri? Po që britanikët vlerësonin lart figurat nacionaliste që zgjodhën të ngrinin një qeveri nën pushtimin gjerman? Këto dokumente janë pjesë e këtij botimi”, tha Kapri.

Artikulli paraprakDokumente që hedhin dritë për ngjarje që ende sot mohohen
Artikulli tjetërMinistri i Ramës, 100 mijë euro për të emëruar vrasësin drejtor