Saramago tregon Saramago

Autobiografia

Kam lindur në një familje fshatarësh pa tokë në Azinhaga, një fshat i vogël i nodhur në provincën Ribatejo, në bregun e djathtë e lumit Almonda, nja 100 kilometra në verilindje të Lisbonës. Prindërit e mi quheshin José de Sousa dhe Maria da Piedade. José de Sousa do të kishte qenë edhe emri im në rast se nëpunësi i Gjendjes Civile, me iniciativën e tij, të mos më kishte shtuar mbiemrin me të cilin familja e tim eti njihej në fshat: Saramago. (Është mirë të sqarohet se saramago është emri i një barishteje spontane, gjethet e së cilës në ato kohëra, në epoka thatësire, përdoreshin si ushqim në kuzhinën e të varfërve). Qeshë vetëm 7 vjeç kur mu desh të paraqisja në shkollën fillore një dokument identiteti, ku u mësua se emri im i plotë ishte José de Sousa Saramago… Ama nuk qe ky problemi i vetëm i identitetit me të cilin u destinova në djep. Pavarësisht se kam ardhur në këtë botë më 16 nëntor 1922, dokumentat zyrtare tregojnë se kam lindur dy ditë më pas, më 18. Qe falë këtij mashtrimi të vogël që familja shmangu pagesën e gjobës prej deklarimit të munguar të lindjes sipas kërkesave të ligjit.

Ndoshta pse kishte marrë pjesë si artilier në Francë gjatë Luftës së Madhe dhe kishte njohur ambiente të tjera, të ndryshme nga jeta në fshat, në vitin 1924 im atë vendosi ta linte punën në fshat dhe të transferohej me familjen në Lisbonë, ku nisi të ushtrojë profesionin e agjentit të sigurisë publike, për të cilin nuk kërkoheshin “aftësi letrare” të tjera (shprehje rëndomtë atëbotë…) përveç leximit, shkrimit dhe bërjes së hesapeve. Pak muaj pas vendosjes tonë në kryeqytet, do të ndërronte jetë im vëlla Francisco, 2 vjet më i madh se unë. Megjithëse kushtet ku jetonim qenë përmirësuar pak me transferimin, nuk do të përjetonim kurrë një mirëqenie ekonomike në kuptimin e vërtetë të fjalës. Isha 13 apo 14 vjeç kur më së fundi shkuam të jetojmë në një shtëpi (shumë të vogël) e gjitha për ne: deri më atëhere kishim banuar gjithmonë në pjesë shtëpie, bashkë me familje të tjera. Gjatë gjithë kësaj kohe dhe deri në moshë madhore qenë të shumta dhe shpesh të zgjatura periudhat që kalova në fshat tek gjyshërit e mi nga nëna, Jerónimo Melrinho dhe Josefa Caixinha.

Isha nxënës i mirë në fillore: në klasë të dytë shkruaja tashmë pa gabime ortodografike dhe të tretën e të katërtën i bëra në një vit të vetëm. Më pas kalova në lice, ku qëndrova dy vjet, me nota të shkëlqyera në të parin dhe më pak të shkëlqyera në të dytin, por i vlerësuar nga shokët dhe mësuesit, në pikën që zgjidhem (isha vetëm 12 vjeç…) arkëtar i shoqatës shkollore. Ndërkohë, prindërit e mi kishin arritur në konkluzionin se, prej mungesës së mjeteve, nuk do të mund të vazhdonin të më mbanin në lice. Alternativa e vetme e mundshme ishte të hyja në një shkollë profesionale dhe kështu ndodhi: për 5 vite mësova zanatin e farkëtarit. Gjëja më e çuditshme ishte plani i studimeve të shkollës në atë kohë, megjithëse i orientuar natyrisht nga formimet teknike profesionale, përveç frengjishtes, përfshinte një lëndë letërsie. Duke qenë se nuk kisha libra në shtëpi (librat e mi, të blera personalisht, edhe pse me para të huazuara nga një mik, munda t’i kem vetëm në moshën 19 vjeçare), qenë librat shkollorë portugalisht, prej karakterit të tyre “antologjik”, ato që më hapën dyert e shfrytëzimit letrar: akoma sot do të dija të recitoja disa poezi të mësuara në atë epokë të largët. Me përfundimin e kursit, punova për rreth 2 vjet si farkëtar një një ofiçinë riparimi makinash. Gjithmonë në atë kohë, kisha nisur të frekuentoja në periudhat e hapjes slë mbrëmjes, një bibliotekë publike në Lisbonë. Qe aty, pa ndihma e pa këshilla, i shtyrë vetëm nga kurioziteti dhe nga dëshira për të mësuar, që lindi dhe u përsos kënaqësia ime për leximin.

Kur u martova, në vitin 1944, tashmë kisha ndryshuar aktivitet, duke shkuar të punoja në një ent përkrahjeje sociale si punonjës administrativ. Ilda Reis, ime shoqe, atëbotë daktilografiste tek Hekurudhat, shumë vite më vonë do të bëhej një prej gdhendësve më të rëndësishëm portugezë. Ka ndërruar jetë më 1998. Më 1947, viti i lindjes së vajzës time të vetme Violante, botova librin tim të parë, një roman që e titullova Vejusha, por që për komoditete editoriale do të dilte me emrin Toka e mëkatit. Shkrova edhe një roman tjetër, Lucernario, akoma sot i pabotuar, dhe fillova një tjetër, që nuk shkoi përtej faqeve të para: duhej të titullohej Mjalti dhe dylli apo ndoshta Luís, djali i Taddeo… Problemi u zgjidh kur braktisa projektin: filloi të më bëhej e qartë se nuk kisha për të thënë diçka që t’ia vlente barra qiranë. Për 19 vjet, deri më 1966, kur do të botoja Poezitë e mundshme, qëndrova larg nga bota letrare portugeze, ku do të ketë pasur shumë pak që e kanë vërejtur mungesën time.

Për motive politike, në vitin 1949 u gjenda i papunë, por falë vullnetit të mirë të një mësuesi tim të vjetër të kohës së shkollës teknike, arrita të gjej punë në një kompani metalurgjike i së cilës ai ishte drejtor. Në fundin e viteve ’50 nisa të punoj në një shtëpi botuese, e quajtur Estúdios Cor, si përgjegjës prodhimi, duke u futur kështu, ama jo si autor, në botën e letrave që kisha lënë disa vite më parë. Ky aktivitet i ri më mundësoi që të njihja dhe të lidhja raporte miqësie me disa prej shkrimtarëve më të rëndësishëm portugezë të atëhershëm. Për ta përmirësuar bilancin familjar, por edhe për qejf, duke filluar nga viti 1955 fillova t’u kushtoj pjesë të kohës së lirë aktiviteteve të përkthimit, aktivitet që do të zgjasë deri më 1981: Colette, Pär Lagerkvist, Jean Cassou, Maupassant, André Bonnard, Tolstoj, Baudelaire, Étienne Balibar, Nikos Poulantzas, Henri Focillon, Jacques Roumain, Hegel, Raymond Bayer qenë disa prej autorëve që përktheva. Tjetër punë paralele, midis majit të 1967 dhe nëntorit të 1968, qe ajo e kritikut letrar. Ndërkohë, më 1966, kisha botuar Poezitë e mundshme, një përmbledhje poetike që shënoi rikthimin tim në letërsi. Këtë libër e pasoi më 1970 një tjetër përmbledhje poetike, Ka mundësi gëzim, dhe menjëherë më pas, respektivisht më 1971 e 1973, nën titujt Të kësaj bote dhe të të tjerave dhe Bagazhi i udhëtarit, dy përmbledhje kronikash të botuara në shtyp, të cilat kritika i konsideron si thelbësore për kuptimin e plotë e veprës time të mëpasme. Pasi jam divorcuar më 1970, fillova një raport të ri bashkëjetese, që do të zgjaste deri më 1986, me shkrimtaren portugeze Isabel da Nóbrega.

E lashë shtëpinë botuese në fundin e 1971 dhe në dy vitet e mëpasme punova për të përditshmen e mbrëmjes “Diário de Lisboa” si koordinator i një suplementi kulturor dhe si editorialist. Të botuara më 1974 me titullin Opinionet që DL pati, ato tekste përfaqësojnë një “lexim” mjaft të saktë të periudhës së fundit të diktaturës që do të përmbysej në prillin e po atij viti. Në prillin e 1975 shkova të mbuloja funksionet e bashkëdrejtorit të gazetës së mëngjesit “Diário de Notícias”, post që e mbajta deri në nëntorin e atij viti dhe nga i cili u dorëhoqa në vijim të ndryshimeve të shkaktuara nga grushti i shtetit politiko – ushtarak i datës 25 të atij muaji, që bllokoi procesin revolucionar. Dy libra e dallojnë këtë epokë: Viti njëmijë993, një poemë e gjatë e botuar më 1975, që disa kritikë mendojnë se anonçon tashmë veprat e narrativës që do të fillonin dy vite më pas me romanin Manual pikture dhe kaligrafie, dhe, me titullin Os Apontamentos, artikujt me karakter politik që botova në gazetën i së cilës kisha qenë drejtor.

Pa punë edhe një herë akoma dhe, të peshuara rrethanat e situatës politike në të cilën jetohej atëhere, pa mundësinë minimale për ta gjetur, mora vendimin që t’i kushtohesha totalisht letërsisë: kishte ardhur momenti të zbuloja sesa mund të vleja realisht si shkrimtar. Në fillim të 1976 kalova disa javë në Lavre, nj rrethinë rurale e provincës Alentejo. Qe kjo periudhë studimi, vëzhgimi dhe mbledhjeje informacionesh që përfundoi për t’i dhënë jetë më 1980 një romani, i titulluar Një tokë e quajtur Alentejo, në të cilin lind mënyra e rrëfimit që karakterizon narrativën time fantastike. Ndërkaq, më 1978 kisha botuar tekstin teatral Nata, të cilin e pasoi pak muaj më parë botimit të Një tokë e quajtur Alentejo, një vepër e re teatrale, Çfarë do të bëj me këtë libër? Me përjashtim të një teksti tjetër teatral, i titulluar Jeta e dytë e Francesco d’Assisi dhe i botuar më 1987, vitet ’80 ju kushtuan totalisht romanit: Memorial i manastirit (1982), Viti i vdekjes së Ricardo Reis (1984), Trapi prej guri (1986), Historia e rrethimit të Lisbonës (1989). Në vitin 1986 njoha gazetaren spanjolle Pilar del Río. U martuam më 1988.

Në vijim të censurës së ushtruar nga qeveria portugeze ndaj romanit Ungjilli sipas Jezù Krishtit (1991), që ia ndaloi prezantimin në Çmimin Letrar Europian me pretekstin se libri ishte fyes për katolikët, në shkurtin e 1993 ime shoqe dhe unë u transferuam në ishullin Lanzarote, në Arqipelagun e Kanarieve. Në fillim të atij viti botova tekstin teatral In Nomine Dei, shkruar ende në Lisbonë, nga ku do të nxirrej libreti i operës “Divara”, me muzikë të kompozitorit italian Azio Corghi, që debutoi në Münster të Gjermanisë më 1993. Nuk qe ky bashkëpunimi im me Corghi: gjithmonë e tij është muzika e operës “Blimunda”, sipas romanit Memoriali i manastirit, që kishte debutuar në Milano më 1990. Po në 1993 fillova të shkruaj një ditar, Fletoret e Lanzarote, të cilit i janë botuar 5 vëllime. Më 1995 botova romanin Verbëri dhe më 1997 Të gjithë emrat dhe Rrëfimi i ishullit të panjohur. Në vitin 1995 mu dha Çmimi Camões dhe në vitin 1998 Çmimi Nobel për Letërsinë.

Në vijim të dhënies së Çmimit Nobel, aktiviteti im publik përjetoi rritje. Udhëtova në 5 kontinente, duke mbajtur konferenca, duke marrë tituj akademikë, duke marrë pjesë në mbledhje dhe kuvende, si me karakter letrar, ashtu edhe social e politik, por, mbi të gjitha, aderova në iniciativa rivendikimi të dinjitetit të qenieve njerëzore dhe të respektimit të Deklaratës së të Drejtave të Njeriut për krijimin e një shoqërie më të drejtë, ku prioritet absolut është njeriu dhe jo tregëtia apo luftërat për një pushtet hegjemonist, gjithmonë shkatërruese.

Besoj se kam punuar shumë këto vitet e fundit. Nga viti 1998 kam botuar Folhas Políticas (1976 – 1998) (1999), Shpella (2000), Lulja më e madhe e botës (2001), Njeriu i dyfishuar (2002), Ese lidhur me kthjelltësinë (2004), Don Zhuani ose I çfrenuari i liruar (2005), Ndërprerjet e vdekjes (2005) dhe Kujtimet e vogla (2006). Tani, në vjeshtën e kësaj 2008, do të dalë një libër i ri: Udhëtimi i elefantit, një tregim, një tekst narrativ, një fabul.

Më 2007 është vendosur të krijohet në Lisbonë një fondacion me emrin tim, i cili ndër objektivat kryesore të tij ka mbrojtjen dhe divulgimin e letërsisë bashkëkohore, mbrojtjen dhe pretendimin e respektimit të Kartës së të Drejtave të Njeriut, përveçse vëmendjes që si qytetarë të përgjegjshëm i detyrohemi kujdesit ndaj mjedisit. Në korrikun e 2008 është firmosur një protokoll dhënieje i Casa dos Bicos në Lisbonë, selisë së Fondacionit José Saramago, ku ky do të vazhdojë të intensifikojë dhe konsolidojë objektivat që propozohen në Deklaratën e Parimeve të tij, duke ua hapur dyert projekteve të gjalla me fermentim kulturor dhe propozime në gjendje ta transformojnë shoqërinë.

Shënim i Fondacionit: Pas Udhëtimit të elefantit, José Saramago shkroi Kaini, Fletorja I dhe Fletorja II, libra që nuk ka arritur t’ia shtojë Autobiografisë së tij. Saramago ka ndërruar jetë më 18 qershor 2010 në shtëpinë e tij, në Lanzarote. Në momentin e vdekjes së tij po shkruante një roman të ri, të cilit i kishte vënë titullin në origjinal Alabardas, alabardas, espingardas, espingardas, i botuar pas vdekjes, më 1 janar 2014. Eshtrat e tij pushojnë nën rrënjët e një ulliri të ardhur nga Azinhaga del Ribatejo, vendlindja e tij, dhe i mbjellë përpara Casa dos Bicos. E shoqëron një epigraf që riprodhon shprehjen e fundit e Memorialit të manastirit: “Por nuk u ngjit tek yjet, pasi i përkiste Tokës”.

(nga libri “L’autore si spiega” i José Saramago)

Përgatiti

ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakVideo/ Si Rama i nxiste banorët ta konsumonin, mbi 300 banorë janë helmuar nga uji në Krujë
Artikulli tjetërSkandal! Zv/ministri i Energjitikës, Ilir Bejtja fyen të vdekurit në burgje për borxhet ndaj OSHEE